Varrezat e ushtarëve grekë, firmoset marrëveshja me Greqinë
Komisioni i përbashkët i ekspertëve të dy vendeve, u ka dhënë fund detajeve të marrëveshjes për varrezat greke në Shqipëri
krijimin ose jo të varrezave greke në Shqipëri.Është nënshkruar tashmë marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë, lidhur me krijimin e dy varrezave greke në vendin tonë. Pak ditë më parë u zhvillua edhe mbledhja e fundit e komisionit të përbashkët të ekspertëve, që duket se i dha dorën e fundit marrëveshjes. Kjo marrëveshje konsiston pikërisht në krijimin e dy varrezave të ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, në vitet 1940-1941, në qytetin e Gjirokastrës dhe Këlcyrës. Nga ana e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, kjo marrëveshje u cilësua si një “zgjidhje e duhur” që, njëkohësisht do të ndikojë në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë e ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshjeje do t`i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike”,- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që, për hir të së vërtetës, u publikua në sitin zyrtar, vetëm pasi mediat greke dhe vetë Ministria e Jashtme e Greqisë, kishte folur posaçërisht për këtë çështje.
Greqia
Ishte pikërisht qeveria greke ajo që e publikoi zyrtarisht nënshkrimin e marrëveshjes, të cilën e cilësoi si zgjidhjen e një teme të rëndësishme për historinë e Greqisë. “Zgjidhet kështu një temë e rëndësishme humanitare dhe shpirtërore për të gjithë popullin grek, për të cilin ngelet e paharruar kjo pjesë e historisë. Një epokë, e cila është simbol për luftën në vite për të fituar lirinë dhe pavarësinë”, - tha dje Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis. E kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje, ajo shprehu falënderimet edhe për popullin shqiptar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre që çuan në një zgjidhje pozitive për këtë çështje që ishte e pazgjidhur prej vitesh.
Marrëveshja
Mbi marrëveshjen e nënshkruar, pak shumë është mësuar. Njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ka qenë i thatë dhe pa asnjë informacion lidhur me hollësitë e marrëveshjes. Ndërsa mediat greke kanë zbardhur pikërisht pikat e paktit të firmosur mes dy vendeve, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka pasuar heshtje. Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve, sipas mediave greke, nuk ndryshohet numri i varrezave, pra do të jenë dy varreza, në Gjirokastër dhe Këlcyrë. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen dhe numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dy vendet. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dyja palët. E drejta e administrimit të varrezave i jepet kishës ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. 28 tetori është dita që në Greqi përkujton fillimin e luftës Italo-Greke. Pretendohet se një numër i konsiderueshëm ushtarësh grekë, u vranë në territorin shqiptar gjatë luftimeve me italianët dhe që nga viti 1984 kanë nisur kërkimet për gjetjen e eshtrave të tyre.
Pikat e marrëveshjes së nënshkruar:
1. Nuk ndryshohet numri i varrezave, pra do të jenë dy varreza në Gjirokastër dhe Këlcyrë.
2. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen
3. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dyja vendet.
4. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.
5. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dyja palët.
6. E drejta e administrimit të varrezave i jepet kishës ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar te tyre.