E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji djeg tre metalurgë

Aksidenti ndodhi në kohën kur furra kishte përfunduar procesin e shkrirjes dhe prej saj po largoheshin skoriet e mbetura në fund. Tre punëtorët, me djegie të shkallës së parë dhe të dytë, jashtë rrezikut për jetën

ELBASAN- Shpërthim në Ferro-Kromin e Elbasanit, digjen tre metalurgë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:00 në furrat e shkrirjes së firmës ruso-austriake Alb Krom në qytetin e Elbasanit, vetëm pak metër larg furrave me induksion. Një nga kovat e mbushura me skorie ka shpërthyer në mënyrë të fuqishme, pasi mesa duket në fund të saj ka pasur ujë, duke shkaktuar panik dhe frikë në gjithë uzinën. Për pasojë janë djegur metalurgët Luan Jaupi, 38 vjeç, Mehmet Serica, 54 vjeç dhe Aqif Pepa, 44 vjeç, me banim në Elbasan. Punëtorët kanë pësuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë në pjesë të ndryshme të trupit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se plagë më të rënda ka pësuar metalurgu Luan Jaupi. Aksidenti ka ndodhur në kohën kur furra kishte përfunduar procesin e shkrirjes dhe prej saj po largoheshin skoriet e mbetura në fund. Metalurgët kanë pastruar furrën dhe kanë derdhur skoriet në kova, ndërsa shpërthimi ndodhi rreth 2 orë pas mbushjes së kovës me skorie. Ata kanë qenë fare pranë saj dhe janë goditur nga lëmshi i zjarrtë i skorieve. Pas marrjes së ndihmës së parë ata janë nisur me urgjencë drejt spitalit kirurgjik të qytetit. Mjekët e këtij spitali kanë dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe u shprehën se për këtë rast u morën masa të menjëhershme për të shpëtuar jetën e metalurgëve. Sipas të dhënave të spitalit, rezulton se punëtorët kanë pësuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë në pjesë të ndryshme të trupit, megjithatë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Një shpërthim i tillë ndodhi në muajin janar në repartin e shkrirjes së çelikut në Elbasan. Si pasojë e shpërthimit të furrës vdiqën dy metalurgë dhe u plagosën dy të tjerë. Hetimet vërtetuan se shpërthimi ndodhi si pasojë e rrjedhjes së ujit brenda furrës së mbushur me llavë.

Jaupi: Kova shpërtheu nga uji

“Ne ndodheshim pranë kovës që shpërtheu. Ajo kishte dy orë që ishte e mbushur me skorie. Ndoshta në fund të saj mund të ketë pasur një gropë me ujë të grumbulluar nga shiu që ka rënë këto ditë. Ne nuk diktuam që kova kishte ujë, pasi nuk do të kishim hedhur skorie brenda saj.  Kova ka shpërthyer si pasojë e temperaturës së lartë. Uji nuk ka pasur asnjë mundësi që të avullojë dhe në raste të tilla ai provokon shpërthime të mëdha. Gjithçka ndodhi nga pakujdesia. Shpërthimi nuk kishte të bënte me furrën”, pohoi ai dje. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Nga të dhënat e para mendohet se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e temperaturës së lartë në të cilën është ndodhur uji në fund të kovës. Burime hetimore bëjnë të ditur se  në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë defekt teknologjik apo për mosrespektim të rregullave të sigurimit teknik. Kova nuk është kontrolluar më parë nga punëtorët dhe mbi të janë hedhur skoriet me temperaturë të lartë. Në raste të tilla, avulli i ujit nuk ka ku të dalë dhe pasohet me shpërthime të fuqishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›