Imuniteti i Mediut, Ndryshon raporti

Raporti i Këshillit të Imunitetit për çështjen “Mediu” pritet që sot të pësojë disa ndryshime, por nuk do të ndikojë në vendimin për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ndryshimet mund të vijnë si pasojë e debateve mes anëtarëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Raporti, sikurse bëhet e ditur nga anëtarët e Këshillit të Imunitetit, përmban dy qëndrime, atë të mazhorancës dhe atë të opozitës. Burimet bëjnë të ditur se debatet mes mazhorancës dhe opozitës në Këshillin e Imuniteteve kanë të bëjnë me kërkesën e mazhorancës, e cila do të përfshijë në raport edhe dokumentet që hedhin poshtë akuzat e prokurorisë. Megjithatë, burimet sqarojnë se opozita mund të kërkojë që në raport të mos përfshihen edhe dokumentet që synojnë të hedhin poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria, me argumentimin se hedhja poshtë e akuzave nuk është detyrë e Këshillit të Imuniteteve. Anëtari republikan i Këshillit të Imunitetit, Arian Madhi, thotë se qëndrimi i përbashkët me opozitën është ai i heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, ndërsa shprehet i bindur në argumentimin e tij në relacionin përkatës. “Pavarësisht nga vullneti politik, për aq sa unë kam analizuar në raport, e kam të provuar katërcipërisht që nuk ka prova dhe argumente bindëse për të pasur një të dhënë prokuroria për të argumentuar fillimin e procedimit penal. Le të ngrihet një nga anëtarët e Këshillit të Imunitetit dhe të më thotë se makinat ushtarake nuk kanë transportuar municion. Unë do ta pranoj me kënaqësi që të bëhet oponencë faktike, por jo vetëm formulime frazash. Koncepti i pretendimeve të mia ka të bëjë me provat që nuk janë bindëse. Provat janë parë në mënyrë të njëanshme për këtë pjesë të akuzës”, thotë Madhi. Edhe pse ka kundërshtime nga ana e opozitës për mënyrën e hartimit të raportit, Madhi thotë se kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin përfundimtar, që është heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nga ana tjetër, edhe anëtari i Partisë Socialiste në Këshillin e Imunitetit, Besnik Dervishi, thotë se tashmë gjithçka është e përfunduar dhe mazhoranca e opozita do të paraqesin raportin me dy variante. Ai shpjegon se përfshirja e dokumenteve të shumta, sikurse ka bërë mazhoranca, janë detaje të parëndësishme për raportin. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës për hartimin e raportit, edhe Dervishi thotë se palët kanë një qëndrim të përbashkët, i cili është për heqjen e imunitetit. Ndërkohë, sipas rregullores, raporti i Këshillit të Imunitetit nuk mund të bëhet pjesë e diskutimeve në seancën parlamentare.
Kundërshtimet
-Relatori i mazhorancës, Arian Madhi, ka argumentuar në relacionin e tij, se akuzat e ngritura nga prokuroria janë të pabazuara. Në relacionin e tij ka përfshirë edhe dokumentet që vërtetojnë se akuzat nuk qëndrojnë.
-Relatori i opozitës, Besnik Dervishi, i ka cilësuar si detaje të parëndësishme disa nga dokumentet e përfshirë në raport nga ana e relatorit të mazhorancës.
-Raporti do të jetë i ndarë në tri pjesë, ku pjesa e parë do të jetë me pikat e përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa dy pjesët e tjera të raportit do të jenë varianti i mazhorancës dhe varianti i opozitës.