Behrami i shtrenjtë

Valon Behrami mund të mbetet në West Ham deri në fund të sezonit, pasi asnjëri nga klubet e interesuar për të nuk mund ta paguajnë dëmshpërblimin, ka thënë menaxheri i kosovarit Allessandro Beltrami.
Me fillimin e afatit kalimtar të janarit, spekulohej se reprezentuesi i Zvicrës mund të largohet nga Upton Park. Rikthimi në Itali është përmendur si mundësi, ndërsa spekulohej se Behrami është objektiv i Romës dhe Lazios.
“Rikthimi për Behramin në Itali është vetëm spekulim. Vlera e tij është e lartë dhe ka pak ekipe që mund të shpenzojnë 15 milionë euro në janar. I vetmi klub nga Premierliga që mund të shpenzojë një shumë të tillë është Manchester City”, ka thënë Beltrami, për uebfaqen Itasport.
Nga ana tjetër, menaxheri i mesfushorit kosovar, beson se klienti i tij, do ta vazhdojë kontratën me West Hamin, ku ka raporte të shkëlqyeshme me menaxherin Gianfranco Zola.
“Valoni ndihet mire ne West Ham dhe jemi duke biseduar rreth vazhdimit të kontratës së tij. Ai është i adhuruar nga tifozët dhe ka raporte të mira me menaxherin”, ka theksuar Beltrami.
Përveç Romos e Lazios, thuhet se interesim për t’i siguruar shërbimet e Valon Behramit, ka shprehur edhe menaxheri i Manchester Unitedit, Alex Ferguson.