Ma i mirë se Carlos

Dy vjet më parë, në ndeshjet që Basel i zhvillonte si vendas, Xherdan Shaqiri ishte vetëm një mbledhës i topave në stadiumin St. Jakob - Park. Sot, mesfushori me prejardhje nga Kosova, është njëri nga shpresat më të mëdha të futbollit zviceran.
Anëtari i përfaqësueses U-21 të Zvicrës, ka kontratë profesioniste me Baselin, deri në vitin 2014. Ai ka luajtur në shumicën e takimeve, derisa në këtë sezon ka arritur të realizojë dy gola.
“Viti i kaluar ishte si një ëndërr. Kur erdhi Thorsten Fink, në verë, ai ma dha rastin. Unë e shfrytëzova këtë mundësi”, thotë Shaqiri, për të përditshmen zvicerane Blick.
“Shpesh është thënë se isha shumë i vogël. Kjo për mua ishte një motiv shtesë. Unë ia kam dëshmuar të gjithëve se kjo në futboll nuk është me rëndësi”, theksoi 18-vjeçari, i cili është vetëm 169 centimetra i gjatë.
Por Shaqiri ka edhe një karakteristikë tjetër. Ai është i ngjashëm me yllin brazilian Roberto Carlos (168 centimetra). Të dy luajnë në krahun e njëjtë dhe muskujt e këmbës po ashtu i kanë të njëjtë.
Për këtë arsye, Blick ka bërë një testim të muskujve të Shaqirit, derisa rezultati është i jashtëzakonshëm. Ylli i ri i Baselit ka kofshën më të madhe se të kampionit të botës -Carlos.
Sipas Blick-ut, kofsha e mesfushorit kosovar është 60 centimetra, derisa ajo e ish-mbrojtësit të Interit dhe Real Madridit - 58.5 centimetra. Shaqiri, pulpën e këmbës e ka 41.5 centimetra, derisa braziliani 41cm.
Mirëpo sipas Blick-ut, Shaqiri ka të tjera probleme. Ai ka nevojë për një patentshofer dhe kërkon një vend titullar, në pjesën e dytë të kampionatit. Gjithashtu Shaqiri synon të fitojë tituj.
“Unë nuk do të flas me klubet nga vendet e huaja, para se të fitoj disa trofe me Baselin”, thotë 18-vjeçari, i cili ëndërron Bundesligën dhe Barcelonën. “Ju duhet t’i vini vetes objektiva të larta”.
Ai e di që gjërat mund të shikojnë shumë shpejt në futboll. “Shaq”, vetëm një vit më parë, e ndante dhomën e tij me dy vëllezërit, pa pasur asnjë ngrohje. Tani, ai i ka siguruar familjes një apartament të mirë.
“Dua ta ndihmoj familjen time. Para se ta blej një ‘Ferrari’, dua t’ia blej një babait tim, ose vëllait”, përfundoi numri 17 i Baselit.