Përveç Runit, Junajtid mund të shesë edhe Olld Traford
Kriza financiare
Familja Gllejzër, e cila zotëron klubin e Mançester Junajtid, po shqyrton për herë të parë mundësinë që të shesë stadiumin “Olld Traford”, në mënyrë që të ulë borxhin me vlerë afro 789 milionë euro (700 milionë paund). Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike, “The Daily Mail”. Në periudhën kur morën në zotërim skuadrën e famshme të Premiershipit në vitin 2005, pronarët amerikanë e hodhën kategorikisht poshtë një masë të tillë drastike. Por, në këtë moment kur “Djajtë e Kuq” po kalojnë një krizë të vërtetë financiare, ata po mendojnë të shesin asetet e klubit: përveç stadiumit legjendar, Malkom Gllejzër synon të nxjerrë deri në 563 milionë euro (500 milionë paund) të ardhura edhe nga shitja e kompleksit stërvitor në Kerrington. E përditshmja shkruante gjithashtu se Junajtid nuk ka më fonde për të financuar afrimin e lojtarëve të rinj, ndërkohë që në të ardhmen klubi mund të jetë i detyruar të shesë disa prej yjeve të skuadrës së Sër Aleks Ferguson, për të përballur borxhet. Lojtari për të cilin së fundmi është spekuluar se mund të largohet është Uejn Runi. Edhe pse është elementi më i rëndësishëm i “Red Devils”, sulmuesi mund të jetë i detyruar që të largohet: Reali i Madridit dhe Barcelona kanë filluar luftën e ofertave, për një shifër që mund të shkojë deri në 79 milionë euro.
#