Partizani mbetet peng i Ministrisë së Ekonomisë
Ka shumë dilema për të ardhmen e të kuqve të kryeqytetit, ku së pari pritet krijimi i sh.a-së së re dhe dalja në ankand, gjë që vë piketat për sezonin e ri
Partizani i sezonit 2011-2012 e ka mbyllur me sukses misionin e tij, duke u ngjitur në Kategorinë e Parë. Një javë pas përfundimit të kampionatit askush nuk mund të thotë me siguri se cila është e ardhmja e të kuqve të kryeqytetit.
Pas finales së Kategorisë së Dytë, administratori i skuadrës, Gjergji Thaka, pohoi se pas asaj ndeshjeje nuk kishte Partizan, kështu që u mbetet për detyrë dikastereve qeveritare, që të vendosin për të ardhmen e të kuqve.
Prej kohësh është thënë se është bërë gati dosja për regjistrimin e shoqërisë së re aksionare të Partizanit, procedurë të cilën do ta bënte Ministria e Ekonomisë dhe jo e Mbrojtjes. Pas regjistrimit në QKR, u tha se Partizani do të dalë në ankand, ku ekziston interesi për ta blerë skuadrën legjendare.Mësohet se e ardhmja e Partizanit mbahet peng nga Ministria e Ekonomisë, qw, ndonëse e ka në tryezë dosjen, nuk e merr nismën për ti përshpejtuar proceduarat.
Sezoni i ri Burokracia e institucioneve mund ti kushtojë shtrenjtë Partizanit, pasi klubi është shumë prapa për të plotësuar kriteret e pjesëmarrjes në sezonin e ri. Është thënë se Partizani i sezonit të ri nuk mund të ecë në gjurmët e skuadrës që sapo mbaroi kampionatin, sepse nuk është kjo rruga, që duhet ndjekur për ringritjen e Partizanit.
Nëse Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Ekonomisë nuk përshpejtojnë procedurat, nuk është çudi që Partizani të mos ekzistojë në edicionin e ardhshëm. Që Partizani të kthehet sa më shpejt në vendin që i takon, duhet të mendojë që tani dhe jo në momentet e fundit, siç është vepruar në 4 sezonet e fundit. Sirenat e alarmit për Partizanin janë dhënë edhe nga FSHF-ja.
Sekretari Eduard Prodani, pas ndeshjes me Këlcyrën, u bëri apel instancave shtetërore që të veprojnë shpejt, pasi skuadra është prapa në plotësimin e kritereve. Ai pohoi se këtë vit nuk do të ketë asnjë lëshim apo falje, pavarësisht emrit që do të ketë klubi.
Për momentin Partizani konsiderohet i shpërbërë dhe askush nuk mund të japë një datë se kur mund të nisë puna dhe kush do të jenë ata që do ta nisin projektin e demave të sezonit 2012-2013.
