E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Kompensimi i ish-pronarëve, brenda vitit

 

DURRËS/ Kreu i ZRKKP deklaroi se ka nisur puna për evidentimin e trojeve të lira të të gjithë zonës

DURRËS- Pas publikimit të hartës së vlerës së tokës për qarkun e Durrësit, pritet që aplikimet për kompensimin e pronave nga ish-pronarët të përfundojnë brenda vitit. Megjithatë, ish-pronarët shprehin shqetësim për vonesat dhe problemet e shumta që u janë paraqitur nga burokracia shtetërore dhe jo rrallë janë revoltuar, duke i quajtur të qëllimshme vonesat. Ata thonë se çdo kalim kohe u jep mundësi personave me fuqi politike dhe ekonomike të ligjërojnë përvetësimin e sipërfaqeve në zona të mira turistike dhe e shtyjnë në kalendat greke kompensimin e tyre. Kreu i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për Durrësin, Klodian Beja, deklaroi (ndoshta edhe për të qetësuar situatën) se ky proces do të përfundojë brenda këtij viti. Sipas Bejës, në Zyrën e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Durrës po shqyrtohen 200 kërkesa, shqyrtim që pritet të përfundojnë brenda muajit dhjetor. Ai tha se nga ana e kësaj zyre ka filluar puna për evidentimin etrojeve të lira që mund të ketë e gjithë zona. Sipas statistikave, vetëm në qarkun e Durrësit ndodhen rreth 350 ha, të cilat do të shërbejnë si sipërfaqe për kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Një problem në vete është edhe moskthimi i deritanishëm i trojeve të qytetit, të cilat janë gllabëruar nga sipërfaqet e betonuara të ndërtuesve. Madje, ka pasur edhe deklarata se sipërfaqe të lira për pronarët durrsakë kanë mbetur vetëm në zonën e Krujës, gjë që ka shkaktuar jo pak pakënaqësi tek ata që presin që këtë problem të arrijnë ta zgjidhin në Durrës, ku edhe kanë pasur pronat e vjetra. Beja shprehet se edhe ky problem po ndiqet me vëmendje dhe punohet që të evidentohen të gjitha sipërfaqet e lira të trojeve në qytet. Pas kësaj, ai premtoi se do të ndiqen të gjitha kriteret e rregullta ligjore që të zgjidhen problemet e ish-pronarëve. Me këtë problem është angazhuar edhe Bashkia e Durrësit. Këtu territori i tyre është ndarë në dhjetë zona, në funksion të vlerës që kanë. Ndërsa për komunat e qarkut të Durrësit toka është vlerësuar në bazë të funksionit, duke u ndarë në tokë bujqësore, nëtokë pyjore, në kullota apo në tokë ku kryhen ndërtime. Sipas të dhënave të marra në këto zyra, për Bashkinë e Durrësit, çmimet e tokave variojnë nga 20 mijëlekë deri në 44 mijë lekë të reja për metër katror. Ndërsa për komunat, toka është vlerësuar nga 300 deri në 1200 lekë të reja për metër katror. Harta e vlerës së tokës dhe evidentimi i trojeve të lira janë dy përparësi për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas akteve zyrtare dhe fjalës së personave të ngarkuar me zbatimin e tij, nga ky ligj do të përfitojnë vetëm ata ish-pronarë që plotësojnë të gjithë dokumentacionin e duhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›