E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: PS t'i drejtohet Kushtetueses për zgjedhjet

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Fatos Beja, tha se opozita duhet të marrë pjesë në komisionin hetimor lidhur me pretendimet, që ka për zgjedhjet.


Ai mohoi ekzistencën e një drafti nga Parlamenti Europian


TIRANË- Mazhoranca qeverisëse ngulmon gjithnjë e më shumë se zgjidhja e krizës politike mund të vijë nëpërmjet kuadrit ligjor, duke përjashtuar çdo vullnet politik për arritjen e një kompromisi politik.


Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetari i komisionit për politikën e Jashtme, Fatos Beja, në një intervistë për gazetën "Shekulli", specifikon se zgjidhja e situatës politike mund të realizohet përmes ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar, i cili në objektin e tij të hetimit të ketë zgjedhjet e kaluara.


Ai thekson se nëse opozita gjatë shqyrtimit të problematikës të zgjedhjeve në këtë komision, vëren probleme, atëherë sipas tij, ajo duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje.


Përsa i përket, draftit të propozuar nga Parlamenti Evropian për zgjidhjen e krizës politike, Beja qartësoi se nuk është vënë në dijeni të një drafti të tillë edhe pse është kryetari i komisionit për politikën e Jashtme.


Ai shtoi se deklaratat e eurodeputetëve në PE, janë të nxitura nga e majta shqiptare, me qëllim për të penguar procesin e heqjes së regjimit të vizave përmes krizës politike.
Z. Beja kriza politike po mbush rreth një vit që nga fillimi i saj.


Me gjithë protestat e opozitës, grevës së saj të urisë, ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe vendosjen e një afati dy javor për zgjidhjen e krizës politike, palët politike nuk po arrijnë një marrëveshje dhe kryesisht mazhoranca vazhdon të mbajë një qëndrim kategorik ndaj opozitës për kryerjen e transparencës së zgjedhjeve.


Përse shumica vazhdon të mbajë ende një qëndrim të tillë?

Unë besoj se ka një zhvillim. Kur ju flisni për krizë, flisni për historikun e krizës. Së fundmi ne jemi në një situatë normale, të marrëdhënieve politike, të funksionimit të institucioneve dhe unë shikoj që praktikisht ne kemi një situatë në të cilën Parlamenti po futet në rolin e tij të vërtetë. Unë besoj se kjo situatë e re do të japë një impuls pozitiv dhe ecjes së Shqipërisë përpara.


Shqipëria tashmë po përçon një sinjal pozitiv dhe shpresoj që kjo të japë një produkt të drejtpërdrejtë në të ardhmen. Ajo që është e rëndësishme, është që në Shqipëri institucionet të funksionojnë si në të gjithë vendet e tjera, që demokracia të mos cenohet, që ndarja e pushteteve të funksionojë dhe në këtë drejtim unë shikoj që gjërat janë brenda standardit normal.


Pak nga pak po bëhet një vit që pas zgjedhjeve dhe është mirë që aktorët politikë t'i njohin të gjithë zgjedhjet jo vetëm me fjalë por edhe praktikisht me veprimet e tyre. Në këtë situatë ku jemi sot vendi po shkon pak nga pak drejt zgjedhjeve vendore, ku forcat politike do të masin veten e tyre.


Janë propozuar disa variante si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita për mënyrën e kryerjes së transparencës së zgjedhjeve, si mund të procedohet përmes këtyre varianteve për të arritur në një pikë takimi midis palëve me qëllim zgjidhjen e krizës politike?


Cila është kriza politike?


Njihen apo nuk njihen zgjedhjet. Opozita ka dëshmuar që jo vetëm i ka njohur me deklarata zgjedhjet, por së fundmi me pjesëmarrjen e plotë në komisionet parlamentare, me strukturimin e grupit parlamentar, me pjesëmarrjen në seanca, është kapërcyer ngërçi i çështjes së zgjedhjeve.


Zgjedhjet në Shqipëri janë ato që thuhen në raportin e OSBE-ODIHR-it. Përsa i përket pretendimeve për transparencën e zgjedhjeve, unë besoj se fakti që përmenda dëshmon që pretendimet kanë rënë. Është gjë tjetër, pastaj dëshira për të përmirësuar sistemin, ku pozita dhe opozita është e udhës që të bashkëpunojnë.


Duke mbetur tek variantet edhe vetë Kryeministri Sali Berisha i ka propozuar opozitës një paketë për zgjidhjen e krizës politike, por pa e specifikuar përmbajtjen e saj.


Cila është përmbajtja e kësaj pakete? Cili është problemi që mbetet?


Problemi është ai që ka pretenduar Partia Socialiste dhe drejtuesi i saj; të kemi zgjedhjet më të mira në të ardhmen.

Të ulen palët në tavolinë dhe të gjejnë mënyrën që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mira. Historia e zgjedhjeve të kaluara ka mbaruar, është mbyllur, është e padiskutueshme, pasi nuk ka qenë e diskutueshme ndonjëherë përveç pretendimeve të pabazuara.


Pretendimet e bazuara shkojnë në gjykatë. Merret prokuroria me çështjen dhe çohet më pas në gjykatë, e cila jep edhe ndëshkimin. Pra, procesi i zgjedhjeve të kaluara është një proces i mbyllur.


Procesi i zgjedhjeve të ardhshme është shumë i rëndësishëm për kapërcimin e dyshimeve. Këtu palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, të gjejnë interesin e gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht interesin e partive respektive.


Duke marrë në konsideratë atë komision, që ka kërkuar për zgjedhjet e kaluara, opozita mund të jetë e dobishme.


Është e mundshme që komisioni hetimor parlamentar të bëjë objekt diskutimi zgjedhjet e kaluara?


Është e mundshme. Qysh në fillim mazhoranca ka qenë dakord me këtë punë.


Cili ka qenë problemi?


Problemi ka qenë, që opozita donte që kjo të diskutohej jashtë Parlamentit dhe jashtë Parlamentit vendoseshin standarde dhe ndryshime sesi duhet të funksionojë komisioni hetimor. Kjo është e kundraligjshme.


Kjo është kundër Kushtetutës. Kushtetuta përcakton sesi krijohet një komision parlamentar, përcakton tagrin e tij dhe përcakton detyrimet e Parlamentit, për të bërë një ligj për të përcaktuar gjithë procedurat e një komisioni parlamentar, që nga përbërja deri tek funksionimi i tij, marrja e dëshmisë dhe produkti që nxjerr në fund. Të gjitha këto janë në ligj, janë në Kushtetutë dhe janë në vendimet e Gjykatës Kushtuese.


Pra, kemi një kuadër ligjor të plotë, i cili shërben për një komision hetimor parlamentar çfarëdo objekti të ketë që të trajtojë dhe të hetojë. Është e mundshme ta bëjë edhe për zgjedhjet e kaluara.


Aty është hapësira dhe aty mund të ulen palët dhe aty mund të ecin përpara. Opozita tani që është në Parlament, të marrë pjesë në komision. Përtej detyrimeve ligjore mazhoranca nëpërmjet kryetarit të saj Sali Berishës ka ofruar mundësi më të mëdha sesa ofron ligji për opozitën. Është lënë që shumica në vendimmarrje të jetë e opozitës dhe kjo është një gjest i dëshirës së mirë për të shmangur dyshimet e opozitës.


Ligji krijon të tëra mundësitë që zgjedhjet të hetohen në përputhje me ligjin dhe t'i qëndrohet çdo shkeljeje të mundshme që mund të provohet deri në fund. Çfarëdo lloj propozimi bëhet në komision. Palët diskutojnë mes tyre.


Nëse ka një pretendim apo kërkesë nga njëra palë e cila nuk pranohet nga pala tjetër, është tërësisht e mundshme që të shkohet më tej, ku më tej është ankimi në Gjykatën Kushtetuese, e cila interpreton Kushtetutën dhe ligjin. Kjo është rruga normale proceduriale.


Asnjë pengesë nuk ka, madje që të hënën, opozita të dalë me propozimet e njerëzve të saj në komision dhe me çdo lloj propozimi tjetër, në kuadrin të Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtuese ose duke zgjeruar spektrin duke i dhënë komisionit atribute të tjera nëse dëshiron.


Me atributet kam parasysh jo vetëm hetimin e zgjedhjeve të kaluara, por edhe rekomandimet dhe sugjerimet për përmirësimin e Kodit Elektoral për zgjedhjet e ardhshme në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.


Parlamenti Evropian ka propozuar së fundmi një draft për zgjidhjen e krizës politike dhe sipas përfaqësuesve të këtij institucioni kjo draft-zgjidhjeje u është vënë në dijeni krerëve të forcave politike.


A jeni në dijeni të këtij drafti dhe nëse po, cila është përmbajtja e tij?


Unë nuk jam në dijeni të këtij drafti. Unë nuk kam parë asnjë draft dhe nuk mund të komentoj diçka që nuk e kam parë. Nuk e di nëse ekziston apo jo një draft i tillë. Nuk kam parë asnjë deklarim zyrtar të Parlamentit Evropian, as të Komisionit të Jashtëm, as të grupit të eurodeputetëve.


Çdo deputet i Parlamentit Evropian mund të thotë çdo gjë që ai mendon. Por, nuk është e njëjta gjë kur kemi një dokument në emër të institucionit dhe kur kemi mendime apo sugjerime nga deputetë të veçantë.


Unë jam kryetari i delegacionit të palës shqiptare në këtë institucion. Po e përsëris sërish që unë nuk kam asnjë dijeni për asnjë lloj drafti për pozicionin zyrtar që kam.


Por, një gjë mund t'ju them me siguri, që kam vërejtur që ka përpjekje nga disa deputetë të majtë europarlamentarë që nën ndikimin e deputetëve të së majtës shqiptare përpiqen të kushtëzojnë marrjen e vizave me histori të krizës së kaluar politike në Shqipëri. Pra, që të bllokojnë marrjen e vizave nga Shqipëria. Të gjitha deklaratat zyrtare janë në të kundërtën e kësaj.


Përpos deklaratës për propozimin e një draft-zgjidhjeje, zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Viktor Boshtinaru ka theksuar se nëse nuk zgjidhjet kriza politike BE-ja do të ngrijë integrimin e Shqipërisë përfshirë këtu edhe heqjen e vizave.


A po përpiqet shumica t'i shmangë këto pasoja?


Mazhoranca ka kryer të gjitha detyrimet që ka Shqipëria dhe ka garanci që vizat do të hiqen. Në qoftë se del një deputet i majtë europian dhe thotë që vizat të mos hiqen për shkak të kërkesës të së majtës shqiptare kjo ka pak shanse që të realizohet. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet.


Zgjedhjet e qershorit


Historia e zgjedhjeve të kaluara ka mbaruar, është mbyllur, është e padiskutueshme, pasi nuk ka qenë e diskutueshme ndonjëherë përveç pretendimeve të pabazuara. Pretendimet e bazuara shkojnë në gjykatë. Merret prokuroria me çështjen dhe çohet më pas në gjykatë, e cila jep edhe ndëshkimin. Pra, procesi i zgjedhjeve të kaluara është një proces i mbyllur.

Drafti i PE-së


Unë nuk kam parë asnjë draft dhe nuk mund të komentoj diçka që nuk e kam parë. Nuk e di nëse ekziston apo jo një draft i tillë.


Nuk kam parë asnjë deklarim zyrtar të Parlamentit Evropian, as të Komisionit të Jashtëm, as të grupit të eurodeputetëve. Çdo deputet i Parlamentit Evropian mund të thotë çdo gjë që ai mendon. Por, nuk është e njëjta gjë kur kemi një dokument në emër të institucionit dhe kur kemi mendime apo sugjerime nga deputetë të veçantë. Unë jam kryetari i delegacionit të palës shqiptare në këtë institucion.


Qëndrimet


Opozita ka dëshmuar që jo vetëm i ka njohur me deklarata zgjedhjet, por së fundmi me pjesëmarrjen e plotë në komisionet parlamentare, me strukturimin e grupit parlamentar, me pjesëmarrjen në seanca, është kapërcyer ngërçi i çështjes së zgjedhjeve.


Zgjedhjet në Shqipëri janë ato që thuhen në raportin e OSBE-ODIHR-it. Përsa i përket pretendimeve për transparencën e zgjedhjeve, unë besoj se fakti që përmenda dëshmon që pretendimet kanë rënë. Është gjë tjetër, pastaj dëshira për të përmirësuar sistemin, ku pozita dhe opozita është e udhës që të bashkëpunojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›