E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi, ja shkelja e qeverisë me shitjen e makinave

Përmes komisioneve të ankandit të ngritur në çdo institucion, automjetet shtetërore po u shiten funksionarëve publikë me çmime qesharake


TIRANË Nisma e qeverisë për të shkurtuar shpenzimet e buxhetit të shtetit me heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë është kthyer në një mundësi të artë abuzimi me pasurinë publike.


Të gjitha automjetet që deri në fund të vitit të shkuar ishin në pronësi publike dhe në përdorim të zyrtarëve të lartë ose jo, po shiten me tenderë jo transparentë për "një copë bukë".


Pjesë e këtij procesi abuziv janë bërë edhe të gjitha makinat në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe që deri para pak kohëve përdoreshin për transportin e deputetëve ose të drejtuesve të tjerë të lartë të këtij institucioni.


Nëpërmjet komisioneve të ankandit të ngritur në çdo institucion, automjetet shtetërore po u shiten me të drejtën e parablerjes që siguron ligji i miratuar në fund të vitit të shkuar "Për rregullimin e shërbimit të transportit të funksionarëve publik".


Në bazë të këtij ligji vetëm një javë pas miratimit të tij qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një vendimi nëpërmjet të cilit përcaktoi praktikën e shitjes së automjeteve në pronësi të institucioneve publike dhe në shërbim të zyrtarëve. Kështu vendimi respektiv përcakton se fillimisht titullarët e institucioneve shtetërore përcaktojnë listën e automjeteve të tepërta dhe që në bazë të ligjit do u jepen për t'u parablerë nga vet përdoruesit e tyre.


Lista përkatëse e automjeteve i vihet në dispozicion drejtorisë së doganave e cila nëpërmjet buletineve të saj dhe vlerësimit të tregjeve europiane paraqet vlerën e blerjes së automjetit nga ana e institucionit përkatës. Ndërkohë që titullari i institucionit paralelisht me marrjen e vlerës së automjetit nga zyra më e afërt doganore ngreh komisionin e ankandit, i cili përpilon dhe formularin përkatës të shitjes së automjetit zyrtarit që e posedon.


Në bazë të nenit 4, pika 1, komisionet për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit që do të dalë në ankand, i referohet tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane.


Kësaj vlere të përcaktuar në këto tabela doganore, sipas pikës 2 të të njëjtit nen i zbritet 50 për qind si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur pas kësaj zbritje, është edhe vlera fillestare që do ti paraqitet zyrtarit për ta blerë.


Pikërisht kjo formulë përllogaritje lë vend për abuzim dhe nuk jep vlerën reale të automjetit. Kështu zyrtarëve së pari automjetet nuk do u njihet si vlerë totale e automjetit kostoja e zhdoganimit, pasi bëhet fjalë për automjete në pronësi shtetërore.


Së dyti ajo që e bënë këtë proces vlerësimi të automjetit skandaloz është kriteri i zbritjes së vlerës së amortizimit. Përcaktimi që bëhet në vendimin e qeverisë nuk bënë dallim nëse automjetit është futur në përdorim në Shqipëri prej 1, 2 apo më shumë vitesh.


Të gjitha automjetet pavarësisht nga viti i hyrjes në përdorim në vendin tonë kanë të njëjtën vlerë amortizimi, pra duke iu zbritur 50 për qind të vlerës së raportuar nga zyra doganore. Kështu për të bërë vlerësimin përfundimtar të automjetit nuk merret parasysh viti i prodhimit, vitet e përdorimit në Shqipëri, si dhe gjendja faktike e automjetit.


Pak rëndësi ka nëse një automjet është në një gjendje të rëndë apo të mirë teknike, pasi vlera e zbritjes është e barabartë, pra 50 për qind. Kjo sjell një humbje të konsiderueshme të pasurisë shtetërore, pra të pasurisë së shqiptarëve, pasi nga vlera fillestare makinat do shiten me gjysmën e atij çmimi. Humbja bëhet më e madhe në rastin e makinave të shtrenjta, pavarësisht se në përqindje është e barabartë.


Nëpërmjet këtij favori funksionarit përkatës i garantohet mundësia e parablerjes së automjetit me vlerën fillestare të përcaktuar nga komisioni i ankandit, pa qenë e nevojshme të kalohet në një proces të rregullt ankandi çka mund të rriste edhe vlerën e automjetit apo asetit publik. Por nuk mjafton vetëm me kaq pasi në mënyrë abuzive sërish komisionet e ankandeve iu është dhënë e drejta të bëjnë ulje të tjera dhe kjo në varësi të problematikave që mund të kenë automjetet e ndryshme.


Kjo ka sjellë që automjete në pronësi shtetërore me vlera të konsiderueshme të mund të blihen nga përdoruesit e tyre me çmime qesharake. Kështu automjete me vlerë reale 40 deri në 50 mijë euro po arrijnë të shiten për vetëm 4 deri në 5 milionë lekë të vjetra.


Një praktikë e tillë nisma e qeverisë për të kursyer paratë publike të shpenzuara më parë për transportin e funksionarëve publikë, rezulton të jetë kthyer në një nismë për të pronësuar pasurinë publike të shqiptarëve nëpërmjet procedurave jo transparente dhe çmimeve qesharake.


Komisioni i Ankandit ka përcaktuar vlerën e të gjitha automjeteve, me formulën: "vlera reale minus 50 për qind si koeficient amortizimi"


Makinat milionëshe të Kuvendit shiten sa paga e një nënpunësi

TIRANË- Një nga institucionet ku humbja për shkak të kësaj praktike bëhet më e madhe është edhe Kuvendi i Shqipërisë. Kjo për vet faktin sepse Kuvendi ka dhe numrin më të madh të makinave që ka nxjerrë në shitje. Kështu, gjatë gjithë këtyre muajve Komisioni i Ankandit i ngritur me urdhrin Nr 1 datë 11.01.2010 ka përcaktuar vlerën e të gjitha automjeteve, ku natyrisht është zbatuar formula "vlera reale minus 50 për qind si koeficient amortizimi".


Një formulë e tillë i ka dhënë mundësi këtij komisioni që ti vërë në dispozicion blerje të gjithë deputetëve dhe zyrtarëve të lartë automjetet me çmime qesharake. Gazeta ka mundur të sigurojë një nga praktikat për shitjen e një automjeti tip "Ford Fokus", i cili i është ofruar një deputeti për vetëm 159 mijë lekë të reja.


Nëpërmjet letrës me numër protokolli 1102 datë 20.04.2010 Komisioni i Ankandit i kërkon deputetit x që të kthejë përgjigje nëse do ta blejë ose jo automjetin e mësipërm për vetëm 159 mijë lekë.


Në rast mos kthimi të përgjigjes brenda tre ditëve thuhet në këtë shkresë komisioni do të nënkuptonte se personi i kontaktuar që ka të drejtën e parablerjes e ka refuzuar automjetin.


Më poshtë në letër i bëhet e ditur deputetit përkatës që në rast se do mund ta paguajë vlerën e përcaktuar të automjetit edhe me këste pranë një banke. Për këtë qëllim në shkresën e sipërcituar deputetit i është bërë e ditur edhe numri i llogarisë ku duhet të derdhë këtë shumë qesharake.


Në dokumentacionin që i bashkëngjitet kësaj kërkese Komisioni i Ankandit paraqet edhe zbatimin në praktikë të formulës së përllogaritjes së vlerës së këtij automjeti.


Kështu duke iu referuar nga fillimi deri në fund vendimit të Këshillit të Ministrave, Komisioni i Ankandit të Kuvendit bënë të ditur se nga korrespondenca e shkëmbyer me drejtorinë e doganave ka siguruar informacionin se vlera e automjetit tip "Ford Fokus" e vitit të prodhimit 2003, me fuqi motorike 1.800 ç, me benzinë, është vetëm 318687 lekë të vjetra.


Sipas procesverbalit të gjendjes funksionale të automjetit, thuhet se kjo makinë ka përshkruar 113700 km, motori i funksionon normalisht dhe në gjendje të mirë pune, ndërsa ka të salduar kamion dhe gomat i ka të përdorura, si dhe njërin stop e ka të dëmtuar. Gjithashtu në përshkrimin e jashtëm të këtij automjeti thuhet në procesverbal se ai është me gërvishtje të përgjithshme.


Pavarësisht këtij përshkrimi të detajuar të gjendjes së automjetit, vlerësimi përfundimtar i automjetit bëhet thjesht dhe vetëm nëpërmjet formulës së mësipërme, çmim dogane minus 50 për qind amortizim. Kjo ka bërë që vlerës së doganës prej 318 mijë lekësh ti zbritet gjysma dhe deputetit ti jepet makina me vetëm 159 mijë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›