Shkodër, gjenden eshtrat e një prifti të pushkatuar

KËRKIMI/ Në themelet e një ndërtimi janë gjetur eshtrat që dyshohet se i përkasin at Aleksandër Sirdanit
SHKODËR - Gjetja e disa eshtrave gjatë hapjes së themeleve për një ndërtim në Malësi të Madhe ka bërë të mendohet se ato i përkasin një prej të pushkatuarve pa varr në vitin 1948 në këtë zonë.
Në Koplik gjatë hapjes së themeleve për një ndërtim të ri, pronari i tokës dhe fadromisti kanë ndeshur me eshtrat të cilat mendohet se i përkasin priftit Aleksandër Sirdani, i pushkatuar 62 vjet më parë, në vitin 1948. Eshtrat e gjetura janë dërguar për ekzaminim laboratorik dhe pritet një përgjigje e saktë lidhur me faktin nëse ato i përkasin priftit të ekzekutuar dhe ende pa varr.
Vendi ku janë gjendur eshtrat, ka qenë dikur ndërtesa e policisë dhe ish-sigurimit të shtetit për Malësinë e Madhe dhe aty janë dërguar, torturuar dhe zhdukur pa varr mjaft banorë të kësaj zone që arrestoheshin si kundërshtarë të regjimit komunist.
Luigj Gjoni, pronar i tokës ku po hapet gropa për themelet e ndërtimit, tregon se familjarët e priftit nga Boga i kërkuan që kur të shembte ndërtesën dhe të hapte themelet e reja, të kishte kujdes pasi ata kishin informacion se aty ishte varrosur i afërmi i tyre, i cili kishte vdekur në ambientet e kësaj ndërtese, dhe ende nuk dihet se ku është varrosur.
" Pasi kam shembë ndërtesën e vjetër që ngrihej në tokën time, së bashku me fadromistin që ka hapur themelet për ndërtimin e ri jemi kujdesur dhe, ashtu siç dyshohej, u gjetën disa eshtra të vjetra.
Kam lajmëruar të afërmit e priftit të interesuar, policinë dhe eshtrat janë marrë për t'u ekzaminuar dhe verifikuar nëse ato i përksin at Aleksandër Sirdanit nga Boga, i pushkatuar në vitin 1948".
Sipas banorëve të zonës, në ndërtesën që ka qenë hetuesia e policia ka pasur mjaft të arrestuar e zhdukur. Bashkë me priftin nga Boga e Malësisë së Madhe, thuajse në të njëjtën kohë ka qenë dhe një i pushkatuar nga Reçi, Taro Bala, të afërmit e të cilit kanë mundur t'ia gjejnë eshtrat.
Për priftin e pushkatuar nuk ka pasur varr dhe pse të afërm të tij janë interesuar vazhdimisht dhe dyshimet ishin se ai mund të ishte varrosur në ndërtesën e ish-policisë dhe hetuesisë së kësaj zone.
Duke qenë se pronari i saj Luigj Gjoni ka vendosur ta prishë atë për të bërë ndërtim të ri, sipas kërkesës së të afërmve të priftit është kërkuar dhe janë gjetur një palë eshtra që nën kujdesin e kishës së Jubicës, janë dërguar për identifikim në institucionet që e bëjnë të mundur këtë. Në zonën e Shkodrës janë të shumtë të pushkatuarit me dhe pa gjyq, varret e eshtrat e të cilëve akoma nuk janë gjendur nga të afërmit e tyre.