E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëjeni marrëveshjen

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi të jenë fleksibile dhe konstruktive në çështjen e dialogut. Ai tha se përfaqësimi i barabartë i Kosovës në forumet rajonale është më i rëndësishëm sesa simbolikat. Por gjatë qëndrimit në Prishtinë, njeriu i dytë i diplomacisë amerikane la të kuptohet se zgjidhja duhet të gjendet përmes kompromisit dypalësh.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns nuk ka lënë asnjë dilemë të shtunën në Prishtinë se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë autoritetet kosovare rreth çështjes së përfaqësimit rajonal për të cilën Kosova dhe Serbia nuk po mund të gjejnë një zgjidhje.

Numri i dy i diplomacisë amerikane e ka bërë të qartë se kjo çështje është e një rëndësie të madhe, derisa ka bërë thirrje që të dyja palët të jenë pjesë e nismave rajonale duke gjetur një formulë të përshtatshme të përfaqësimit.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë thënë që po kërkojnë nga të dy palët që të jenë fleksibile dhe konstruktive, ashtu që Kosova të jetë në gjendje të marrë pjesë në forumet ndërkombëtare dhe rajonale. Të dyja duhet të gjejnë një formulë të përshtatshme për të dy palët”, ka deklaruar Burns të shtunën në Prishtinë.

Ndërmjetësit e BE’së, deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët mes palëve pasi autoritetet kosovare kanë theksuar se duan të përfaqësohen vetëm si Republika e Kosovës, derisa sa Serbia ka kërkuar që përfaqësimi në nismat rajonale të bëhet përmes Rezolutës 1244.

Por pala kosovare më vonë ka lëshuar pe duke pranuar që në marrëveshje të figurojë kjo rezolutë bashkë me mendimin e GJND’së dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Burns nuk ka saktësuar se cila do të jetë zgjidhja, por ka pranuar se kjo çështje është e komplikuar.

“Kjo gjë është e ndjeshme dhe e komplikuar, por është me rëndësi të kuptohet edhe mundësia që është dhënë nga këndvështrimi ynë. Pra, kjo çështje është se si Kosova të përfaqësohet vetë në organizatat rajonale dhe si të shtrohet themeli për një bashkëpunim më të afërt me Europën. Arritja e së drejtës për t’u përfaqësuar si të barabartë është një arritje tejet e madhe, është përparim i madh në rrugën ku Kosova dhe SHBA’ja kanë punuar së bashku”, ka thënë ai.

Partitë opozitare në Kosovë kanë shtuar presionin që Kosova të mos heqë dorë nga fjala Republikë, kur të përfaqësohet në nismat rajonale si dhe një gjë të tillë të mos e bëjë as me Rezolutën 1244.

Por diplomati amerikan ka adresuar aspektet teknike dhe simbolikën e kësaj çështjeje.

“Të gjitha çështjet simbolike dhe teknike që kërkojnë shumë komente janë shumë më pak të rëndësishme në krahasim me fitimin e zërit tuaj dhe ulëses tuaj në tavolinë. Ky është sovraniteti. Kosova vazhdon të ndërtohet mbi arritjet e së kaluarës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të fuqishme europiane dhe ju mund të llogarisni në mbështetjen e fuqishme të SHBA’së”, ka thënë diplomati amerikan.

Por Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit në deklaratën e tij ka adresuar edhe çështje të tjera.

Ai ka kërkuar që institucionet ta luftojnë korrupsionin derisa ka kërkuar që Kosova të ketë gjyqësor të pavarur dhe media të pavarura.

“Është e vështirë të luftohet korrupsioni nëse nuk keni media të pavarura dhe gjyqësor të pavarur dhe të përgjegjshëm para të gjithëve. Kjo mund të thuhet më lehtë sesa të bëhet, por është një qëllim tejet i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Ndryshe Burns gjatë ditës ka takuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Sipas njoftimeve nga këto takime, Zëvendësi Burns ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kërkojnë të bëjnë asnjë hap që e dëmton pavarësinë e shtetit të ri.

Sipas një kumtese të Presidencës, Jahjaga ka thënë se në çfarëdo marrëveshje me Beogradin nuk duhet të preken atributet e shtetësisë.

“Presidentja Jahjaga tha se e mirëpret vullnetin e BE’së për të arritur përparim të mëtejmë në dialog, por theksoi se me propozimet për diskutim në raundin e ri të dialogut duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas Presidents, Kosova duhet të trajtohet e barabartë me të gjitha shtetet e tjera, derisa ka përmendur Planin e Ahtisaarit si mundësi e vetme për integrimin e serbëve dhe pjesës veriore.

Ndryshe, diplomati amerikan ka ofruar mbështetje për Kosovën edhe në takimin që ka pasur me Kryeministrin.

Në deklaratën e lëshuar nga Qeveria thuhet se William Burns ka ritheksuar vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme të SHBA’së për shtetin e Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të shtetit.

“Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, z. Burns në takim po ashtu theksoi se SHBA’ja do të mbështesë fuqishëm shtetndërtimin e Kosovës, edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së

Pavarësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Zëvendësi i Clintonit ka takuar edhe zyrtarët serbë të Kosovës, ndërsa në mbrëmje ka vizituar Komunën e Graçanicës dhe Manastirin serb. Të premten, ndërkaq, ai ka qëndruar në Beograd, ku ka thënë se SHBA’ja përkrah kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE, por sipas tij, edhe pala serbe duhet t’plotësojë obligimet që ka.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›