E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandiq: Krimi në Dubravë, me urdhrin e Beogradit

Në Spanjë këto ditë është arrestuar një grup kriminelësh nga Serbia, mes të cilët gjendet edhe personi me emrin Sinisha Petriq, i njohur me nofkën Zenica. Në mediat serbe thuhet se Zenica - i cili në Serbi ka qenë dënuar në vitet 1990 me vdekje për shkak të vrasjes së një familje (ndër ta edhe një fëmije 10 - vjeçar), në prill të vitit 1999 është transferuar në burgun e Dubravës, ku ka vrarë dhe ekzekutuar me njësinë e tij 95 të burgosur shqiptarë.

Natasa Kandiq,drejtoreshë e Fondit për Të Drejtën Humanitare e cila ka bërë hulumtime të shumta për krimet në Kosovë dhe në veçanti në burgun e Dubravës, në një intervistë për Deutsche Welle ka deklaruar se, këto ditë ka dëgjuar për herë të parë për emrin Sinisha Petriq - Zenica. Por ka bërë të ditur se ai është një prej të dënuarve, të cilët janë dërguar nga burgjet e Serbisë në burgun e Dubravës në Kosovë në fillim të prillit të vitit 1999.

“Por në Dubravë ai nuk ka pasur statusin e të burgosurit. Ai ka qenë atje i armatosur dhe me uniformë të forcave serbe. Domethënë një person të cilit i është falur liria, me kusht që të kryejë detyra të cilat i janë dhënë nga drejtoria e burgut në Dubravë”.

“ Në maj të vitit 2010, pas hulumtimeve shumë të detajuara, ne kemi përpiluar dhe kemi dorëzuar në Gjykatën për krime lufte në Serbi një padi penale për krime lufte.

Në asnjë burg nuk mund të ndodhë asgjë - pra as futja në burg e ndonjë grupi të të burgosurve nga një burg tjetër apo trasferimi i të burgosurve nga Serbia në Dubravë - pa lejen dhe vendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ndaj në vend të parë në padinë tonë për krime lufte, gjendet ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Dragoljub Jankoviq”.

Sipas Kandiq, në bazë të përgjegjësisë, ai është përsoni që ka marrë vendimin që të gjithë të burgosurit shqiptar në fillim të prillit të transferohen nga burgjet e Serbisë në Dubravë. “Ne kemi ngritur padinë edhe kundër zëvendësministrit të Drejtësisë Zoran Stevanoviq, i cili ka qenë përgjegjës për burgjet në Serbi. Pa dijen e tij nuk ka mundur të bëhet transferimi i të burgosurve dhe futja në burgun e Dubravës me 23 maj 1999, e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Kjo nuk ka mundur të ndodhë pa lejen e Ministrisë së Drejtësisë. Më në fund ne kemi paditur për krime lufte edhe Bora Vllahoviqin, shefin e policisë në Pejë”, ka thënë, për Deutsche Welle, drejtoresha e Fondit për Të Drejtën Humanitare.

Sipas të dhënave të të mbijetuarve, pas masakrës në Dubravë me 22 maj, shton Kandiq, në burg është futur Njësia për Operacione Speciale dhe ka hedhur bomba në kanalizim dhe në kuzhinë. Qëllimi ishte që të vriten të gjithë ata që e kanë mbijetuar masakrën. Pas kësaj masakre, në burgun e Dubravës janë futur përfaqësuesit e shërbimit të sigurimit të shtetit dhe policët e stacionuar në Pejë, dhe kanë organizuar transferimin në burgun e Lipjanit e të burgosurve që kanë mbijetuar, ka pohuar Kandiq.

“Së pari, nuk janë të vërteta pohimet se të burgosurit shqiptarë në Dubravë kanë qenë viktimë e bombardimeve të NATO-s. E vërtetë është që NATO ka bombarduar Dubravën me 19 maj dhe se me këtë rast kanë vdekur tre të burgosur. Është e vërtetë po ashtu që NATO ka bombarduar edhe me 21 maj dhe se me këtë rast janë vrarë 23 të burgosur. Por më shumë se 80 të burgosur shqiptarë janë vrarë nga dora e rojeve dhe pjesëtarëve të JSO”, ka thënë Kandiq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›