E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham flet për Milanin: Jam i nderuar

Nga Altin Latifi
Devid Bekham ka folur për herë të parë në lidhje me transferimin e tij tek Milani në muajin janar. Mesfushori britanik e quajti një nder kalimin në një prej klubeve më të mëdha të Italisë dhe të botës, ndonëse do të jetë vetëm një eksperiencë disa mujore. 

Devid Bekham më në fund ka thyer heshtjen në lidhje me transferimin e tij tek Milani në muajin janar. Mesfushori i kombëtares angleze do të luajë për disa muaj në radhët e kuqezinjve, duke u rikthyer pas afro dy vjetësh në futbollin elitar të Evropës. Bekham do të veshë për tre muaj fanelën e Milanit dhe në klubin e Los Anxhelos Galaksi nuk duken të mërzitur për këtë. Trajneri Brus Arena deklaroi se kjo do të jetë një gjë e mirë si për klubi ashtu edhe për futbollistin, pasi bëhet fjalë vetëm për tre muaj. Ndërsa vetë Bekham foli për entuziazmin para rikthimit në Evropë.

“Më është dhënë shansi të shkoj te Milani dhe jam i nderuar. Ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi jemi në bisedime me Milanin”, tha futbollisti anglez. “Milani është një nga klubet më të rëndësishëm në botë. Jam shumë me fat që luaj në fillim me një nga skuadrat më të mëdha angleze, pastaj tek më të mëdhenjtë e Spanjës dhe tani tek një prej më të famshmëve në Itali. Kam detyrën të shkoj atje dhe të luaj me disa nga lojtarët më të njohur në botë”, u shpreh ish-kapiteni i përfaqësueses angleze Devid Bekham ka zhvilluar 29 ndeshje në kampionatin amerikan, duke shënuar pesë gola dhe duke asistuar në 11 të tjerë.

Ndërkohë, në Itali, trajneri Karlo Anceloti nuk mund të shmangte një koment për anglezin. “Ai nuk vjen këtu si turist, por si një lojtar i klasit botëror. Është një mundësi e mirë që të jetë për disa kohë futbollist i Milanit”, tha tekniku kuqezi.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›