E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totenhem, shkarkohet Ramos për rezultate të dobta

Nga Altin Latifi
Klubi i Totenhemit ka shkarkuar për rezultate të dobta trajnerin Huande Ramos. Londinezët kanë bërë një nga startet më të këqija në historinë e tyre edhe pse në krye kishin një prej teknikëve më të paguar të botës. Totenhemi vazhdon të qëndrojë në fund të kampionatit anglez. 

Pas një serie rezultatesh negative në kampionat dhe në Kupën UEFA, klubi i Totenhemit ka vendosur shkarkimin nga detyra të trajnerit Huande Ramos. I ardhur me shumë bujë nga Sevilja një vit më parë, tekniku spanjoll e çoi thuajse në shkatërrim ekipin londinez, që ndodhet në vend të fundit në kampionatin anglez. Klubi i Totenhemit bëri të ditur në sajtin zyrtar të tij se Huande Ramos, drejtori sportiv Damien Komoli dhe ndihmës tekniku uruguajan Gus Pojet, kanë lënë klubin. Ndërkohë që kanë nisur menjëherë bisedimet me Portsmuthin për të marrë prej andej trajnerin Herri Reknap. Një lëvizje që duket tashmë e përfunduar.

Duke folur për “Sky Sport”, 61 vjeçari Reknap ka thënë se ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e “Gjelave”, ndërsa Portsmuthi do të marrë si shpërblim 5 milionë paund. Shkarkimi i tre njerëzve kryesorë të stafit të Totenhemit vjen pas rezultateve mjaft të dobta në të gjitha frontet. Huande Ramos ishte një nga trajnerët më të paguar të botës, pasi zëvendësoi Martin Jol një vit më parë. Tekniku spanjoll arriti të fitonte Kupën e Ligës një vit më parë, por këtë vit ai është përgjegjës për largimin e dy sulmuesve Dimitar Berbatov dhe Robi Kin.

Po kështu Zhermen Defoe u shit në muajin janar për të kaluar te Portsmuthi. Marrja e Roman Pavliçenkos nga Spartaku i Moskës, i Luka Modriç nga Dinamo e Zagrebit apo portierit Eurelio Gomesh nga PSV Eindhoven ishin të gjitha vepër e Huande Ramos. Thuajse të gjithë kanë rezultuar të dështuar në Ëhite Hart Lane, pavarësisht se Totenhemi shpenzoi më shumë se 60 milionë paund në merkaton e verës.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›