E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham, huazim te Milani. Galiani: Do vijë në janar

Nga Altin Latifi
Devid Bekham do të jetë pjesë e Milanit duke nisur që nga muaji janar. Futbollisti anglez u mendua në fillim se do të shkonte vetëm në stërvitje në Milano, por zëvendës presidenti Galiani tha se ai mund të federohet për të qenë pjesë e skuadrës për disa muaj. 

ITALI- Devid Bekham duket se do të luajë për 6 muaj te skuadra e Milanit, duke filluar që nga janari. Lajmi është dhënë nga vetë administratori i deleguar i klubit kuqezi Adriano Galiani, sipas të cilit, futbollisti anglez do të qëndrojë në Milano për disa muaj. Në fakt, Bekham kërkonte të stërvitej te kuqezinjtë për shkak të mbylljes së kampionatit në Shtetet e Bashkuara, por dëshira e Milanit për ta patur në organikë, mund të bëjë që ai të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Ançeloti. Galiani tha se lojtari do të federohet dhe do të luajë në formën e huazimit për disa muaj, për t’u kthyer më pas te Los Anxhelos. Ideja e marrjes së Bekham më shumë se me anën sportive, lidhet padyshim me marketingun. Tek Milani kërkojnë të rrisin numrin e spektatorëve dhe emri i meësfushorit anglez duket perfekt për këtë. Veç kësaj, edhe Bekham duket i kënaqur me një transferim të tillë, pas urdhrit të Fabio Kapelos, që ai të luajë më shumë për të qenë pjesë e kombëtares. Ndërsa trajneri Ançeloti, ka qenë nga të parët që i ka uruar mirëseardhjen yllit të futbollit anglez. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›