E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atletiko, pret Liverpulin. Reina mbron vendimin e UEFA-s

Nga Altin Latifi
Pas 3 humbjeve në kampionat, Atletiko e Madridit do të kërkojë të rikthehet tek rezultatet e mira kur të ndeshet sot në mbrëmje ndaj Liverpulit. UEFA ka hequr dënimin për fushën e skuadrës spanjolle, një vendim që është përshëndetur nga të dy kampet. Ndërkohë, Liverpuli do të jetë pa Fernando Torres në ndeshjen e sotme 

Dy skuadrat kryesuese të grupit D, Atletiko e Madridit dhe Liverpuli, ndeshen sot në mbrëmje në Vicente Kalderon, në një ndeshje ku fitorja përcakton thuajse gjithcka përsa i përket kualifikimit. Ndeshja vjen pas zhurmave të mëdha që kanë shoqëruar klubin madrilen për sjelljen raciste të tifozëve të tij në ndeshjen me Marsejën, gjë që çoi deri në pezullimin për dy ndeshje të fushës nga ana e UEFA-s. Portieri i Liverpulit Pepe Reina deklaroi se sfida e sotme do të jetë një shans i mirë për klubet spanjolle që të fshijnë zërat që i rrethojnë ata për sjellje raciste. Reina përshëndeti vendimin e Uefas që ndeshja të luhet në stadiumin “Vicente Kalderon” dhe që klubit ti mbetet vetëm gjoba prej 150 mijë eurosh. “Mendoj se heqja e sanksionit ishte një gjë logjike dhe ne mund të luajmë në këtë stadium të mrekullueshëm. Nuk është në dorën tonë ajo që ka ndodhur, por mendoj se është marrë vendimi më i mirë”, tha Reina. Tre humbjet rresht në kampionat, ndaj tre rivalëve direktë, e kanë vënë nën presion trajnerin e Atletikos Havier Agirre. Atletiko ka humbje me Seviljen, Barcelonën dhe Realin e Madridit, duke vënë në dyshim rezultatet e mira të marra në fillim të sezonit. Pavarësisht kësaj, trajneri Rafa Benitez pret një ndeshje shumë të fortë sot në Spanjë. “E dimë që të luash në Vicente Kalderon është gjithnjë e vështirë. Atletiko ka një skuadër të mirë dhe lojtarë të mirë, kështu që nuk ka rëndësi se kanë humbur me Realin apo Barcelonën”, tha Benitez, që ka lindur pikërisht në Madrid. Në krahun tjetër, tekniku Havier Agirre i quajti kritikat ndaj tij dhe skuadrës si të pakuptueshme në këtë pikë të sezonit. Ai tha se skuadra është entuziaste dhe në formë, pavarësisht 3 humbjeve radhazi. Ai foli gjithashtu kundër racizmit, duke deklaruar klubi i Atletikos do të jetë gjithnjë kundër sjelljeve të tilla. Për ndeshjen e sotme, Atletiko do të ketë në dispozicion një grup të plotë futbollistësh, ndërsa Liverpuli do të jetë pa sulmuesin kryesor Fernando Torres.
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›