E Diel, 1 Nëntor 2026

Yllin nuk e shpëtojnë standardet e "Fiks"-it

Kur, pas 24 orësh nga publikimi i skandalit seksual, me telefon të mbyllur, ish-ministri Ylli Pango u fut pa ftuar në emisionin "Opinion", përveç habisë për guximin e tij, mendova që kontributi i tij i duhej kësaj historie. Sepse në fund të fundit, është përfshirja në histori edhe e personit që akuzohet (me këtë nuk dua të them që duhet ta kishte bërë emisioni "Fiks Fare" duke u nisur nga standardi klasik i profesionit, që është balancimi apo objektiviteti). Por profesor Pango që atë natë, dhe me një spirale rritëse sa herë që jep intervista për veten e vet pos të tjerave (mungesë sinqeriteti, paturpësi etj.) demonstron një arrogancë dhe cinizëm (kur ka mundësi) ndaj bashkëbiseduesit, medias në përgjithësi dhe televizionit "Top Channel" në veçanti. Gjatë gjithë kohës, Pango kërkon të vetëdeklarohet si viktimë e një skenari të hartuar nga miku i tij 30-vjeçar, Filip Çakuli. Për emisionin "Fiks Fare" të drejtuar nga kolegët Çakuli, Shkurti dhe Haxhiaj, kam edhe unë rezerva lidhur me standardet etike dhe profesionale të funksionimit të këtij emisioni, për produktet e gatshme që ata editojnë, për njëjtësimin e misionit dhe të metodologjisë së tyre me atë të policisë.

Por, realizimi i këtyre standardeve nuk mund të kërkohen nga profesor Pango, e ca më pak cenimi i tyre të shërbejë si fije kashte për të shpëtuar Pangon nga mbytja.

Me logjikën e profesorit, trafikantët e drogës (apo ata të armëve) duhet të lirohen, nëse janë zbuluar sepse një agjent policie është konvertuar në blerës ose shitës i drogës (ose armëve). Shyqyr që gjykatësit nuk ecin me parimin e Pangos.

Ish-ministri Pango nuk "lahet" nga gjynahet e tij, morale, etike, administrative dhe ligjore, edhe nëse vajza kishte shkuar me (pa) dekolte në vilën e tij. As edhe nëse ajo e ka telefonuar në orën 9 të darkës. As edhe nëse e njihte më parë. Sepse ish-ministri ka abuzuar me detyrën kur emëron në punë duke shkelur ligjin për shërbimin civil. Ish-ministri ka shkelur ligjin e konfliktit të interesit, kur në shoqatën që e mban me fondet që siguron si ministër ka vendosur mbesën e tij. Ish-ministri duhet të përgjigjet që provokon vajzën, duke i ofruar asaj më shumë se ajo kërkon. (Ajo kërkon një punë dhe ai i ofron dy, madje pagë të majme).

Pikërisht për këto arsye profesor Pango, pasi t‘i kërkojë një NDJESË të fortë atij që ai thotë se i ka shërbyer dhe i ka dhënë shumë, opinionit publik, duhet të zhduket për ca kohë dhe të na lërë të merremi me standardet etike të "Fiks Fare". Se tani jemi në momentin, kur "Fiks Fare" na duhet, madje me dobi më të madhe për shoqërinë nëse këtë të fundit e pastron duke plotësuar edhe standardet. Amoraliteti i profesor Pangos dhe standardet e "Fiks Fare" janë dy çështje të ndryshme të baraslarguara nga njëra- tjetra dhe mund e duhen të zhvillohen pa interferuar te njëra-tjetra, ashtu siç përpiqet të bëjë Pango në daljet e tij publike.

Një ministër që funksionon në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe ligjet është më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm. Pavarësisht megalomanisë së tij se ai ka bërë shumë për këtë vend dhe se shoqëria shqiptare ka humbur një diamant me shuarjen e yllit.

Prandaj duhet që nëpërmjet një debati mediatik dhe teorik të shëndetshëm (pse jo të katalizuar edhe nga vetë "Top Channel") duhet të diskutohen dhe të vendosen kornizat etike të asaj që më së shumti dhe vetëm "Fiks Fare" po e lëvron, gazetarisë investigative. Në mënyrë që "viktima" e radhës të mos ketë mundësi të ngrejë furtunën arrogante ndaj medias te disa standarde, që edhe nëse nuk respektohen nuk cenojnë të vërtetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›