Bekim Fehmiu: Një ide vetëvrasjeje që kur isha i vogël
TIRANË- Nëse do të ishte gjallë, do të ishte 75 vjeç. Por ai e vetëvendosi t'i jepte fund jetës një vit më parë. Qe një mesdrekë e trishtë në shtëpinë e tij në Zvezdara pranë Beogradit... Aktori shqiptar i njohur në të gjithë botën, vendosi ikjen duke përdorur armën e tij, në një ditë kur gjendej vetëm në shtëpi. Nuk dihet ç'i ka shkrepur në kokë Fehmiut, nuk dihet as ç'ka menduar në të mbramet çaste të jetës teksa nxitonte të ikte. Dihet vetëm se shumë u prekën e shumë u shokuan, madje, herët-herët në të ndërgjegjshmen e fshehtë u mendua se ai nuk e shkrehu vetë armën...
Sot, kur ka kaluar një vit, 'Botimet Koha' në Prishtinë kanë sjellë në shqip romanin autobiografik të Bekimit, "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme". Këtë libër, Fehmiu e botoi në prill të 2001-it, por e kishte shkruar qysh në 1985-ën. Redaktori i tij në shqip, Bardh Rugova rrëfen përmbajtjen e detajet e panjohura të autobiografisë. Ai shprehet se gjuha e Bekimit është e bukur dhe shtresëzimet leksikore janë të jetës shqiptare.
Botimet "Koha" në Prishtinë kanë sjellë në shqip romanin autobiografik të Bekim Fehmiut, "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme". Çfarë është edhe e shkëlqyeshme, edhe e tmerrshme për aktorin?
Vetë rrëfimi është i shkëlqyeshëm dhe i tmerrshëm në të njëjtën kohë. Unë e kam krahasuar me filmin "Mongoli" të regjisorit Sergej Bodrov, film ky që përshkruan jetën e Xhingiz Kanit. Kur të ofrohet një film për dikë aq të madh, lexuesi pret të lexojë për madhështinë. Në të vërtetë, në librin e Bekim Fehmiut, njësoj si në filmin "Mongoli", gjejmë të kundërtën e kësaj, gjejmë rrëfimin e fëmijërisë dhe të rritjes. Krijohet përshtypja se ai fëmijë që përshkruhet në vepër, nuk do të ketë asnjë shans në jetë. Në vend të shkëlqimit përshkruhet shpeshherë tmerri. Tmerri deri në shkëlqim.
Ju si redaktor përgjegjës i librit, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga i gjithë rrëfimi i tij?
Janë disa elemente që e bëjnë të veçantë veprën e Bekim Fehmiut. E para është zgjedhja e tij për të treguar copëza të jetës së vet nga periudha e fëmijërisë dhe e rritjes, copëza jete të Bekim Fehmiut të panjohur. Së dyti, është një lojë karakteristike me letraren dhe joletraren, me përkufizimin e veprës si memoar apo si roman. Është një vepër që turbullon mjaft kufijtë e këtyre dy grupeve të teksteve (letrar - joletrar).
E treta është gjuha - rrëfim ku dominon përshkrimi fotografik, thuajse e ke vënë një kamera dhe e ndjek një pamje. Me pak fjalë, ai arrin të krijojë pamje të qarta. Është një gjuhë që u ngjason mjaft didaskalive, por që si e tillë është e motivuar brenda vetë rrëfimit. Struktura e tekstit është si tërësi rrëfimesh të veçanta, që si copëza të bashkërenduara së bashku e krijojnë një mozaik. Karakteristik është edhe leksiku - kthim i një shtrese leksikore të jetës qytetare shqiptare në Kosovë, ndonëse ka edhe mjaft huazime. Së fundi, është joshës edhe humori brenda kësaj vepre.
Cili është viti kur fillojnë kujtimet e tij? Cili është kujtimi i parë i tij?
Kujtimi i parë përfshin fëmijërinë krejt të hershme, në Sarajevë, për të vazhduar me disa kujtime të shkurtra si trevjeçar në Shkodër në 1939-ën. Megjithatë, pjesa më e madhe e librit përfshin histori nga Prizreni pas vitit 1941 deri në 1955-ën.
A thotë ai diçka për raportet e tij me prindërit e vet?
Prindërit dhe familja përgjithësisht janë pjesë shumë e rëndësishme e gjithë librit.
Dikur ka thënë se do të kishte dashur të mësonte më shumë shqip...
Gjuhë amtare e Bekim Fehmiut ka qenë shqipja. Në libër, ai përshkruan se si në fëmijëri ka pasur vështirësi me serbishten.
A ka pasur ai takim me krerët e shtetit shqiptar kur qe në Shkodër?
Në libër nuk përshkruhen fare këto pjesë. Libri nuk e përfshin fare pjesën e Bekim Fehmiut të famshëm.
Si është e vërteta e tentativës së tij për vetëvrasje që në fëmijëri?
Në libër është përshkruar edhe një pjesë, që tani mund të duket më interesante, kur e kemi parasysh vetë mënyrën e vdekjes së aktorit. Ai përshkruan edhe një "tentim" të vetëvrasjes në fëmijëri, pas një zënke me të vëllanë. Përshkrimi përfshin shumë humor.
I biri, Uliksi ka thënë se "babai i ka parë të dyja anët, duke i valëvitur flamujt nacionalistë dhe nuk ka dashur të marrë pjesë" kjo sa i takon të ndaluarit të aktrimit prej Bekimit. A hidhet dritë në romanin e tij mbi këtë vendim?
Bekim Fehmiun e njohim si një artist shqiptar, i cili ka hequr dorë nga aktrimi në shenjë revolte ndaj politikës antishqiptare në fund të viteve tetëdhjetë. Ka sakrifikuar vetë shpirtin e tij.
Në libër janë të përshkruara ndeshjet e shumë shtresave shoqërore: të pasur - të varfër, të arsimuar - të paarsimuar, qytetarë - fshatarë, shqiptarë - serbë...Kam përshtypjen se libri nuk lë asnjë dyshim sa i përket krenarisë së Bekim Fehmiut për nacionalitetin e tij. Madje, do të thosha se ndonjëherë shkon edhe përtej kësaj.
Cili është mbase momenti më i vështirë, apo më i lumtur i jetës së tij, sipas librit?
Libri përshkruan kryesisht pjesë të jetës qytetare në Kosovë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Jeta e asaj kohe ka qenë e vështirë, por ndonjë xixë lumturie nuk mungon. Vështirësitë e jetës janë të mbuluara shpeshherë me dashurinë e ndërsjellë brenda familjes.
Nga përshkrimet e tij e nga kujtimet, ç'qytet zë më shumë vend?
Prizreni është qyteti, ku janë të vendosura shumica e historive të librit "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme".
Ai shkruan diku se ka lindur me 'pëlhurë-këmishë', që ndër shqiptarët nënkupton të lindurit me fat. A ndjehej i tillë ai?
Në libër është një skenë, për mua, emblematike. Përshkruhet çasti i dënimit të babait të Bekim Fehmiut nga pushteti. Është një dënim-farsë. Babai i tij sapo ka dëgjuar vendimin. Familja është rreshtuar për ta përshëndetur për të fundit herë para se ta dërgojnë në burg. Në atë situatë, ai, babai pra, i afrohet Bekimit, ia lëmon kokën dhe i thotë: 'Mëso!'. Kam përshtypjen se Bekim Fehmiu nuk është mbështetur aq shumë te fati, sesa te puna dhe një tërësi parimesh jetësore, mbi të cilat ai ka jetuar, krijuar dhe vdekur.
Intervista është botuar sot në Gazeta Shqiptare
(e.m/BalkanWeb)