Bekim Fehmiu, pasuri e humbur në heshtje

Elbert Krasniqi, koordinator i Agjensionit për Demokratizim Lokal në Kosovë, ka thënë se qëllimi i organizimit të kësaj ekspozite ka qenë që gjeneratat e reja të dinë, të njoftohen më shumë për jetën, prejardhjen dhe veprën e madhe të aktorit që i ka tejkaluar kufijtë e një shteti.
“Është një person që ka merituar jo vetëm këtë ekspozitë, por edhe më shumë, jo vetëm neve si pjesëtar të etnitetit që i takojmë Bekim Fehmiut. Nuk ka qenë shumë e lehtë për me i sigurua materialin, për shkak se është dashtë me udhëtuar në vendet ku aktori, Bekim Fehmiu ka zhvilluar karrierën e tij. Mirëpo me përkrahjen e familjes së aktorit, është siguruar pjesa dërmuese e materialit që është shfrytëzuar për këtë ekspozitë”, ka thënë Krasniqi.
Titulli “Bekim Fehmiu –pasuri e humbur në heshtje”, sipas Krasniqit, është venë për shkak se kohëve të fundit shumë pak po flitet për aktorin e madh. Ai mendon se aktori Bekim Fehmiu meriton një vend më të gjerë në kulturën kosovare.
Ndërsa, bashkëshortja e aktorit, Branka Petriq, e emocionuar, ka thënë se ndihet e impresionuar me fotografitë dhe shkrimet e ekspozuara, ngase, asaj, këto fotografi i kujtojnë kohët më të mira që i ka kaluar për 40 vite së bashku me aktorin me nam botëror Bekim Fehmiun.
“Është kënaqësi ta shohësh mundin që kanë bërë këta të rinj, Elberti dhe e gjithë ekipi që kanë shkuar deri në Sarajevë kanë marrë informacione , kanë shkuar në shtëpinë e aktorit, e kanë grumbulluar gjithë këtë material dhe unë shpresoj se qytetarët e Prishtinës do ta shijojnë dhe do ta vizitojnë këtë ekspozitë”, ka thënë Petriq.
Ndërsa, i vëllai i aktorit, Fatmir Fehmiu, i pyetur nga mediat për kontributin e institucioneve karshi veprës së aktorit, tha se puna e institucioneve kulturore le të mbetet në ndërgjegjen e secilit për të vlerësuar njerëzit të cilët nëpërmjet artit kanë afirmuar vlerat e kombit të tyre.
“Në ndërgjegjen e secilit mbetet për t’i vlerësuar njerëzit të cilët kanë afirmuar kombin dhe vendin prej nga e kanë origjinën”, ka thënë Fehmiu
Ekspozita “Bekim Fehmiu –pasuri e humbur në heshtje” do të jetë e hapur nga 2 deri me 10 qershor, prej orës 12 deri në orën 16:00. Më pastaj, sipas organizatorëve, ekspozita do të shfaqet edhe në qytete të ndryshme të Kosovës për të vazhduar më pas edhe në shtetet tjera.
Përndryshe, aktori kosovar u bë i njohur me filmin “Mbledhësit e Puplave”. Ai ka xhiruar edhe shumë filma të tjerë të njohur. Suksesi i tij ka qenë i garantuar edhe në filmin e prodhimit amerikan “Aventuristët” në vitin 1971. Aktori Bekim Fehmiu ka lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Ai në qershor të vitit 2010 ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Zvezdar në Beograd. /kosovapress/