Bekohen nga Kisha e fikin telefonat

Kisha Ortodokse e Korçës
Kisha Ortodokse e Korçës bekon ekipin e Skënderbeut para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit kundër Tiranës. Ky urim për fitoren ka ardhur si një dhuratë e papritur në klubin korçar, por veçanërisht bekimi i klerikëve të Mitropolisë në Korçë, të cilët janë njëherësh mbështetës të fuqishëm të Skënderbeut. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, por meqenëse kjo është java e Pashkës ortodokse dhe Zotit i kërkohet ndihmë, këtë gjë kanë menduar të bëjnë disa nga priftërinjtë e këtij besimi. Nga sa mësohet, ata kanë bërë lutje të posaçme për kampionët në fuqi, në mënyrë që të mos gabojnë. Burime të sigurta tregojnë për gazetën se aktin e tyre priftërinjtë ia kanë bërë të ditur dhe përfaqësuesve të klubit të futbollit. Bekimi nga njerëzit e kishës ka qenë më i veçanti në prag të kësaj ndeshjeje që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Duket se në një ditë të shenjtë si Festa e Pashkës, bekimi nga fjalët e Ungjillit është ajo që nevojitet. Të gjithë në Korçë shpresojnë dhe besojnë te fitorja, gjë që e kanë bërë edhe klerikët e Mitropolisë së Shenjtë në këtë qytet. Stafi teknik ka urdhëruar mbledhjen e celularëve para ndeshjes me Tiranën. Menjëherë pas përfundimit të takimit, mësohet se numri dy i pankinës, Lorenc Hysi, ka takuar secilin lojtar dhe u ka marrë aparatet telefonike personale. Nga sa mësohet, kjo ka ndodhur te Skënderbeu edhe përpara ndeshjes së javës së shkuar në Krujë. Për të qenë sa më të përqendruar në prag të kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme, këtë herë klubi ka menduar që në grumbullim lojtarët të mos përdorin celularët. Gjithsesi, ky moment nuk ka kaluar pa batuta. Kot sa ua mbledhim, këta kanë nga dy-tre numra, mësohet të kenë thënë me njëri-tjetrin pjesëtarët e stafit.
Trajneri
Levi është parë në stërvitjen e fundit me një sjellje tjetër, ndërsa ka folur dhe ka takuar punëtorët e stadiumit, duke i përshëndetur në gjuhën e tij. Gjithashtu, ai ka përshëndetur cilindo tifoz që kishte ardhur për të parë ekipin në seancën e fundit. Kjo sjellje i ka befasuar të gjithë, ndërsa Levi është interesuar edhe për fushën dhe cilësinë e saj, ndonëse moti i ka vënë në merak të gjithë.