Pashkët zbulojnë 307 kg drogë, pranga futbollistit

Droga e sekuestruar
GJIROKASTER/ Kapen tre në flagrancë, policia shpall në kërkim 6 të tjerë.
Grupi Kafka trafikonte kanabis nga Lazarati në Greqi.
Shkatërrohet grupi Kafka i trafikut të kanabisit. Droga e Lazaratit ka çuar në pranga tre persona nga Delvina, njëri prej tyre futbollist, si dhe shpallur në kërkim policor gjashtë të tjerë, pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Operacioni antidrogë i koduar Pashkët, realizuar gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes duke u gdhirë e premte nga Sektori Kundër Narkotikeve në Drejtorisë Rajonale të Gjirokastrës, u finalizua me sekuestron e 307 kg marijuane, si dhe shkatërrimin e një prej grupeve më të rrezikshme që merrej me trafikun e drogës në Jug të vendit. Tre të arrestuarit, të gjithë nga Delvina, ishin transportuesit dhe administratorët e marijuanës, ndërkohë që gjashtë të tjerët, dy prej të cilëve nga Lazarati, figurojnë si pjesëtarë aktivë të bandës kriminale me emrin Kafka. Kjo bandë operon në zonën e Delvinës dhe Sarandës dhe ka si qëllim trafikun e lëndës narkotike drejt Igumenicës në Greqi, përmes rrugës detare. Markelian dhe Indrit Alinanaj, 35 dhe 22 vjeç, si dhe Artur Shukulli, 38 vjeç, kanë mundur të kapen nga policia, në zona dhe periudha të ndryshme kohore në kufijtë e 120 minutave. Burimet zyrtare thanë se ka qenë ora 20:30, kur antidroga pikasi në pjesën malore të Lazaratit, në malin e Sopotit, kufi me Delvinën, disa persona që po transportonin me mushka një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Sipas policisë, trafikantët kishin marrë masa konkrete për të qenë të suksesshëm dhe të mbrojtur gjatë momentit të transportit të marijuanës. Ata qëndronin të ndarë në grupe për të pasur nën

Futbollisti i arrestuar, Markelian Alinanaj
vëzhgim dhe kontroll të plotë të gjitha rrugët dhe monopatet larg vëzhgimit të policisë. Forcat në aksion arritur të zbulojnë mekanizmin e lëvizjes së tyre dhe të kontrollit territorial përmes metodave të sigurisë me telefona celularë. Nga tetë persona që ishin shpërndarë në vende dhe pika kyçe, vetëm dy ngelën brenda rrjetës së policisë, e cila i arrestoi gjatë momentit të transportit të një pjese të mirë të marijuanës, me kafshët e punës. Artur Shukulli dhe Indrit Alinanaj u bllokuan nga policia ndërsa ishin drejtuar për në Rusan të Delvinës. Pas kapjes së tyre, operacioni ka vijuar më pas në drejtim të Delvinës, duke ndjekur hap pas hapi gjurmët e trafikantëve. Në mesnatë Policia e Gjirokastrës ka ndërhyrë në Delvinë së bashku me forcat policore vendëse, ku ka mundur të sekuestrojë sasinë tjetër të marijuanës e cila gjendej në një ndërtesë të braktisur në Rusan, lagjen periferike të qytetit. Lënda narkotike, e cila gjendej në brendësi të gjashtë çantave shpine, ruhej nga Markelian Alinanaj, 35 vjeç, futbollist i ekipit Bistrica. Pas arrestimit të trafikantit të tretë, Policia e Gjirokastrës ka bërë bilancin final të operacionit ku u sekuestruan 10 çanta shpine të mbushura me marijuanë. Kanë qenë gjithsej 281 pako të presuara me marijuanë, të mbështjella në formë cilindrike me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Pesha e pakove varionte nga 1-5 kg, ndërsa ajo totale sipas grupit hetimor, nuk shkonte më tepër se 307 kg. Të tre delvinjotët, janë treguar indiferentë karshi kërkesave të oficerëve të Policisë për të zbuluar itinerarin e drogës, por besohet se ajo kishte për destinacion Igumenicën përmes rrugës detare. Policia e Gjirokastrës dhe ajo e Delvinës po punojnë intensivisht, për kapjen e gjashtë trafikantëve të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë fizikisht në ngjarjen e djeshme.
Në 4 muaj, 1.1 tonë marijuanë
Operacioni i fundit i Policisë Rajonale të Gjirokastrës është i gjashti brenda 30 ditësh, me objekt kapjen dhe sekuestrimin e marijuanës, ndërkohë që sasia e sekuestruar në po të njëjtën periudhë është 700 kg. Prej 1 janarit, Policia Rajonale e Gjirokastrës ka sekuestruar 1.1 tonë marijuanë, ndërkohë që në pranga kanë rënë 13 trafikues të saj, mes të cilëve edhe një shtetas i huaj, dhe 12 trafikantë të tjerë janë në kërkim policor. Krahas këtyre, bëhet e ditur se janë sekuestruar gjatë muajve të fundit nëntë automjete, që kanë shërbyer për transportimin e lëndës narkotike.
Nishani: Minimizuam trafiqet, problem mbetet kultivimi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha dje se Shqipëria nuk është më në hartën problematike të trafikut të drogave të forta. Deklarata u bë në takimin vjetor Për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Nishani theksoi se lufta kundër trafikimit të heroinës mbetet një nga prioritetet kryesore të agjencive të zbatimit të ligjit në përgjithësi dhe të Policisë shqiptare në veçanti. Duke cituar raportin e fundit të Interpolit, Nishani tha: Ka rënie të madhe të heroinës së sekuestruar në Shqipëri. Ndërsa rastet e sekuestrimit të heroinës, e cila tranzitohej nga Shqipëria në Italinë fqinje, ka rënë, ashtu si dhe rënia e vazhdueshme e numrit të sekuestrimeve gjatë viteve të fundit, si rezultat i goditjes së suksesshme të trafikimit që përdorte anije nga Shqipëria për në Itali. Goditja e një transporti të tillë nga ana shqiptare dhe italiane ka çuar në një mënjanim në rritje të Shqipërisë si tranzit për dërgesa të mëdha heroine. Nishani tha se sa i përket trafikut të kokainës, siç rezulton nga analizat shqiptare, por edhe të institucioneve ndërkombëtare, si SECI, sasitë e kokainës që trafikohen nga Shqipëria për në vendet e tjera janë të papërfillshme. Sipas Nishanit, Shqipëria mbetet ende një vend i kultivimit të kanabisit dhe vend nga ku grupet kriminale rajonale e eksportojnë atë në vendet e tjera të rajonit dhe më tej. Nishani tha se gjatë vitit 2011, si rezultat i kombinimit të masave parandaluese dhe goditëse, sipërfaqet e kultivuara dhe prodhimi i kanabisit kanë pasur një tendencë në rënie.
Aliko: Mbillet Kanabis, por do ta eliminojmë
TIRAME – Kryetari i komunës Lazarat të Gjirokastrës, një prej zonave problematike e të njohura për kultivimin e bimës narkotike, pranoi dje para kamerave që në territorin që ai ka në juridiksion, kultivohet kanabis. Dashnor Aliko, pas përfundimit të takimit vjetor Për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, që u zhvillua në Tiranë, u prononcua për median duke u shprehur se pavarësisht kultivimit të kanabisit në Lazarat, do të arrihet eliminimi i këtij fenomeni. Në Lazarat kultivohen bimë narkotike, por nuk është aq problem sa e bëni ju. Ka gjasa të kultivimit, po e luftojmë si fenomen. Mendoj që do tia arrijmë qëllimit që ta eliminojmë nga harta, u shpreh