Belgjika: Respektoni rregullat, përndryshe kthejmë vizat
Belgjika i ka bërë sërish thirrje Shqipërisë të respektojë liberalizimin e vizave. Sekretarja belge për emigracionin Moggie de Block gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës ka paralajmëruar vendosjen e vizave mes vendit të saj dhe Shqipërisë nëse do të ketë rritje të azilkërkuesve shqiptarë, raporton Ora News.
Nëse do të ketë rritje të azilkërkueve atëherë Belgjika do të rishikojë liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Për momentin janë 45 kërkesa në muaj që bëhen prej shqiptarëve ku 90 % e tyre janë nga Shkodra theksoi De Block.
Sipas saj një tjetër problem mbetet edhe kërkesa e shqiptarëve për azil duke përdorur fenomenin e gjakmarrjes për të cilën kërkoi nga qeveria shqiptare të marrë masa.
Edhe pse Shqipëria është një shtet i sigurtë sa i takon azilit dhe emigracionit, shteti shqiptar duhet të marrë masa ndaj azilit për gjakmarrje. Krahasuar me vitin e kaluar ka pas një ulje të numrit të azilkërkuesve çka tregon angazhimin e shtetit shqiptar për uljen e këtij fenomeni shtoi më tej De Block.
Ndërkohë një ditë më parë, Sekretarja belge për emigracionin Moggie de Block u takua edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Hysni Burgaj të cilit i kërkoi vijimin e masave për të parandaluar azilin.