E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Nishani, president i standardeve. PS nuk ekziston më si parti

Share

Kryeministri Berisha e mbajti fjalën me zgjedhjen e Nishanit president. Kështu është shprehur deputeti demokrat, Edi Paloka, për Ora News. Paloka vlerësoi maksimalisht figurën e Bujar Nishanit si president i ri i vendit, duke e konsideruar president të standardeve, të pakontestueshëm edhe nga vetë opozita.

Po të doja të spekuloja do thoja që edhe këtë radhë Berisha e mbajti fjalën, por realisht është spekulim. Kandidatura e zotit. Nishani është ndër kandidaturat politike, por e pranueshme dhe për opozitën pasi gjatë gjithë punës së tij nuk ka pasur ndonjë akuzë nga opozita. Është kandidaturë mjaft e goditur me parametra të lartë. E gjithë kjo nuk ishte lojë, pasi i bie të luanim me vetëveten. Ne si mazhorancë u vumë në pozita shumë të vështira, mbrojtëm me forcë edhe dy kandidaturat e mëparshme, pasi e meritonin atë post. Do ishim shumë të kënaqur me secilin prej tyre President, por të dy u sulmuan nga opozita dhe për dinjitetin e tyre dhanë dorëheqjen, u shpreh Paloka.

Duke hedhur dritë mbi misterin e dorëheqjes së kandidaturës Artan Hoxha, Paloka të vetmin shkak të tërheqjes së tij gjen presionin e ulët të opozitës, të cilin e cilëson një sulm të shëmtuar ndaj tij, që u finalizua më pas dhe me atë rezultat. Por në gjithë këtë amulli, Paloka nuk lë pa falenderuar dhe mbështetjen e aleatëve në koalicion, të cilët treguan edhe një herë një maxhorancë solide, duke nxjerrë bllof spekulimet për krisje të koalicionit.

Unë nuk mund të jap detaje, ne e zgjodhëm dhe e vlerësuam zotin Hoxha. Pati një lloj presioni të ulët nga opozita, me shpifje dhe trillime, sulm i shëmtuar ndaj tij dhe rezultati ishte ai. Hoxha nuk donte të ishte pre e sulmeve dhe për këtë kemi këmbëngulur dhe më herët që të jetë kandidaturë politike se politikani di t’i përballojë të tilla situata, këtë luftë brenda politikës. Jam i kënaqur që bashkë me aleatët zgjodhëm Nishanin. Nishani ishte një kandidaturë e matur për këtë çështje, ndaj ishte i menjëhershëm kanidimi i tij pas tërheqjes së zotit Hoxha. Aleatët treguan integritet, sidomos LSI, të cilët më parë kishin deklaruar se nuk donin një figurë politike dhe mendoj se bëmë zgjedhjen më të mirë. Ishte një përgjigje ndaj kundërshtarëve, dolën bllof spekulimet e socialistëve dhe të Ramës, theksoi ai.

I pyetur lidhur me vendimin e PS për të mos votuar, si dhe rreth deklaratës së Ramës që e cilëson Nishanin noter të Berishës, Paloka u përgjigj:

Ishte vendim i marrë prej kohësh nga PS. Nishani do të merrte vota dhe nga PS, Rama kishte frikë për rrjedhje votash. Rama ka sulmuar gjithmonë se duam votim të fshehtë, por çdo votim i tillë ka rezultuar në favor të maxhorancës. Rezultati për maxhorancën ishte i qartë, ndërsa vota kundër ishte e dikujt që ka deklaruar se ka dalë nga maxhoranca. Termin noter Rama e ka përdorur për të gjithë, ai dhe po ta propozonte vetë këtë gjë do bënte. Ai kishte vendosur të sulmonte këdo që do të dilte, ai ka bërë zgjedhjen e tij politike. Për Zaganjorin s`pati asnjë argument kundër, PS nuk kishte ku ta kapte. Madje momentin që doli kandidatura e Hoxhës u shpreh se kishte një standard me Zaganjorin.

Duke folur në lëvizjet brenda PS dhe replikat Nano-Rama, Paloka tha se preferon Ramën në krye të PS, në kontekstin e një kundërshtari më të dobët, ndërsa shton se Nano nuk mund ti marrë partinë Ramës, sepse realisht nuk ekziston më një PS.

Unë nuk e dua PS në pushtet as me Ramën as me Nanon. Do ta doja përsëri Ramën në PS pasi Nano ka përvojë më shumë dhe do na nxirrte telashe më shumë. Nano s`do arrijë t’i marrë partinë Ramës se nuk ka më PS, nuk ekziston. Ka parti të Sajmir Tahirit, Erjon Velisë, por jo PS”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›