Xhufi: Meta është politikan me sovranitet të kufizuar. Nano ka humbur gjithçka
Pëllumb Xhufi, dikur ish- nënkryetar i LSI, në një intervistë për gazetën Shqip, thotë se urat mes LSI e PS tani pas zgjedhjes së presidentit janë të parikuperueshme.
Kam përshtypjen se pas kësaj përvoje të re të zgjedhjes së presidentit, urat midis PS e LSI janë prerë në mënyrë të parikuperueshme. Meta bëri thjesht lojën e Berishës, paçka se duke u shtirur si bartës i idesë së zgjedhjes konsensuale të kryetarit të shtetit, kërkuar në mënyrë ultimative nga partnerët. Këto 10 ditë Meta e ka trajtuar vazhdimisht momentin e zgjedhjes së presidentit (kujtoni gajasjet e tij) si një moment gazmor, tha Xhufi.
Meta ka qenë gjithmonë dhe është akoma më shumë sot një politikan me sovranitet të kufizuar. Edhe kur duket se merr përsipër gjëra të rënda, siç ndodhi me çështjen e faljes së hapësirës detare Greqisë, edhe kur u del për zot deklaratave të kryeministrit për sukseset planetare të qeverisë, edhe kur lëshon breshëri me kandidatura presidenciale, ai bën vetëm përcjellësin e Berishës.
Xhufi e quan përfshirjen e Fatos Nanos në lojën presidenciale diçka pa dinjitet.
E papërligjur sepse ai është ndarë përfundimisht nga PS dhe populli i majtë, madje me gjeste traumatike, si ai i shfaqjes në 2007 në krah të Berishës për të justifikuar vjedhjen e paralajmëruar të votave në zgjedhjet lokale. Nano do të duhej ta kishte ndërtuar staturën presidenciale dhe jo ta lypte atë. Do të kishte mundur ta ndërtonte një staturë të tillë duke denoncuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke u shprehur si politikan, si intelektual e makar si lider historik i së majtës (citim i Berishës) për gjëmat berishiane të Gërdecit e të 21 janarit, për politikat liberticide, për korrupsionin qeveritar, për kapjen e institucioneve të pavarura, për marrëveshjen e detit, për aferat e pista qeveritare me mafiet e Ballkanit, tha Xhufi
Kjo aventurë presidenciale tregoi më në fund se Nano ka humbur gjithçka, mbi të gjitha ka humbur njerëzit.