Belgjika pa qeveri, vendi i ndarë mes flamanëve e valonëve

Vendi në të cilin është selia e BE-së dhe NATO-s shënon sot një vit pa qeveri. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të formuar një koalicion qeveritar, partitë kryesore belge nuk po arrijnë të gjejnë konsensus për të administruar vendin në të ardhmen.
Një vit pas zgjedhjeve, Belgjika nuk po arrin të krijojë një qeveri zyrtare për shkak të mosmarrëveshjeve midis flamanëve dhe valonëve. Edhe pse kryeministri Yves Leterme ka dhënë dorëheqje zyrtarisht një vit më parë, ai po vazhdon të udhëheqë Belgjikën në krye të një qeverie teknike.
Ndërkohë mbreti belg, Alberti II, ka kërkuar të ndërmjetësojë negociatat midis flamanëve dhe valonëve, por pa sukses. Më herët Partia separatiste "N-VA" e Bart De Weverit kërkoi për Flandrinë autonomi më të madhe fiskale nga Vallonia e varfër frëngjisht-folëse.