Belgjikë, përplasja e trenave merr 25 jetë
Një përplasje mes dy trena pasagjerësh në Belgjikë ka shkaktuar të paktën 25 persona të vrarë dhe shumë të plagosur. Ndërkohë, numri i viktimave mund të jetë edhe më i madh, sipas autoriteteve vendore. Zyrtarët e hekurudhave bëjnë të ditur se përplasja ka ndodhur në orën e pikut të qarkullimit të trenave në Halle, jug-perëndim të Brukselit. Deri më tani shkaku i tragjedisë i është vënë mungesës së një sinjali ndalim-kalimi. Bëhet fjalë për një rast shumë të rëndë e tragjik me pasoja të jashtëzakonshme, që ka shkaktuar një shkatërrim të madh të vendit ku ka ndodhur përplasja pa llogaritur këtu humbjen e madhe në njerëz. Pas përplasjes shumë pasagjerë të dëmtuar e të gjakosur kanë dalë nga treni të tronditur e shokuar, ndërkohë që të tjerë ose kanë vdekur, ose janë gjendur të plagosur nën gërmadhat e trenave të shkatërruar. Ndërkohë, janë anuluar edhe shumë shërbime të tjera që kalonin në linjën e sipërpërmendur. Në fakt, në lidhje me numrin e viktimave ka pasur raportime të ndryshme, por më i fundit, ai i orëve të vona të ditës së djeshme bën fjalë për 25 persona të vdekur. Ka pasur njoftime edhe për pasagjerë të tjerë që kanë mbetur nën gërmadha në pritje të skuadrave të shpëtimit.
Dy trenat janë përplasur me njëri-tjetrin në orën 08:30 të mëngjesit, sipas orës lokale që është edhe një nga orët e pikut të udhëtimeve të tilla kur njerëzit shkojnë në punë. Guvernatori i provincës flamande tha se sipas njoftimeve të deriatëhershme, shkaku i kësaj përplasjeje fatale ka qenë një sinjal i munguar i ndalim-kalimit që fillimisht ka krijuar kaos dhe më pas përplasjen e madhe. Megjithatë ka nisur menjëherë një hetim i posaçëm në lidhje me këtë ngjarje ndër më të rëndat e historisë hekurudhore të Belgjikës. Përfundimet e hetimeve do të jepen në ditët në vijim dhe deri më tani nuk është përjashtuar asnjë opsion.
Pamjet e transmetuara nga media kanë qenë rrëqethëse. Në të dy trenat ndodheshin gjithsej 250 deri 300 pasagjerë dhe sipas punonjësve të ndihmës së shpejtë që kanë nxituar në vendin e ngjarjes nga përplasja është shkaktuar një dëm i madh dhe një ngjeshje e trenave që e ka bërë të pashmangshëm dëmtimin e tyre. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin më të afërt për të marrë ndihmën e shpejtë. Ndërkaq, të gjithë pasagjerët pa përjashtim kanë pësuar plagë kush më të rënda e kush më të lehta, por lëndimi ka qenë gjithëpërfshirës.
Rasti i fundit i një tragjedie në hekurudhat belge ka qenë ai i vitit 2001 ku 8 persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën pas përplasjes së dy trenave të udhëtarëve jashtë Brukselit. Në atë rast u mendua se shkaku i incidentit ishte mungesa e komunikimit mes shoferëve të trenave që flisnin gjuhë të ndryshme, njëri gjuhën flamande, ndërsa tjetri frëngjisht.
#