E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri grek i Financave, në mbrojtje të veprimeve me Wall Street

Bruksel “Kemi kryer transaksione për sa kohë ishin të ligjshme“

Ministri grek i Financave ka kaluar në terma mbrojtës dje duke kërkuar që të qartësojë lajmet e fundit mbi një marrëdhënie të përfolur mes Greqisë dhe Wall Street dhe deklaratave të fundit të Papandreut kundër disponibilitetit të BE-së për ta ndihmuar vendin në vështirësi. Ministri i Financave, para gazetarëve të Brukselit, sqaroi se kritikat e Papandreut ishin adresuar tek institucionet e Bashkimit Europian dhe jo te kryeqytetet e vendeve të ndryshme. Ndërkaq, administrata greke e ka gjetur veten dje të përfshirë në një tjetër kundërshti pas daljes së lajmit të marrëdhënieve të Athinës me Wall Street fundjavën e kaluar. Sipas këtyre lajmeve të botuara në shtypin amerikan, Goldman Sachs kishte futur hundët në financat greke dhjetëvjeçarin e fundit, duke bërë që Athina të mblidhte fonde për reduktimin e deficitit buxhetor dhe duke i shtyrë për në të ardhmen pagesat. Transaksionet e supozuara mes Wall Street dhe Athinës nuk janë klasifikuar si kredi. Në lidhje me akuzat e fundit, ministri i Financave në mbrojtje të veprimeve të Athinës tha se investimet e përfolura pak a shumë të kryera përmes disa instrumentesh “ekzotike” ishin në kohën e përdorimit në përputhje me standardet ligjore të Eurostat dhe se sipas tij, Greqia nuk është i vetmi vend që i ka përdorur ato. Ndërkohë, ato nuk janë më të ligjshme dhe që nga ky moment, Greqia nuk i ka përdorur më. Megjithatë, pozicioni i Greqisë është i acaruar, në një kohë që Greqia po përballet me një krizë të thellë besueshmërie në organet e Bashkimit Europian. Fillimisht ishin dyshimet e vërtetuara në lidhje me parregullsinë e shumë të dhënave statistikore që u dërguan në Bruksel. Si pasojë, ky i fundit kërkon një monitorim shumë më të rreptë dhe të vazhdueshëm të situatës dhe të formulimit dhe analizimit të të dhënave nga Athina. Për sa u përket deklaratave të ministrit të Financave, ai tha se e kuptonte fare mirë frustracionin e gjermanëve në lidhje me një paketë shpëtimi ndaj Greqisë në këtë situatë të vështirë, porse nga ana tjetër ai ishte i mendimit se të gjithë kishin ndarë të mirat e përftuara nga Eurozona dhe tani pse jo të gjithë duhet të ndanin edhe problemet.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›