Amnistia e gjerë fiskale, oksigjen për biznesin
Amnistia fiskale do të nxisë rritjen e investimeve dhe kreditimin mbi ekonominë. Ajo duhet shtrirë më gjerë se te proceset e kaluara, por, nga ana tjetër, nevojitet kujdes në ndarjen midis kapitaleve të biznesit dhe botës së krimit. Profesori i financës në Universitetin e Tiranës, Sherif Bundo, ideator i projektit, tregon për “Shqip” pikëpamjet rreth projektit të fundit të qeverisë. Bundo ishte i pranishëm në takimin që Dhoma e Tregtisë, Tiranë zhvilloi me Ministrinë e Financave, si dhe do të jetë pjesë e grupit të punës për hartimin e amnistisë.
Prej disa kohësh po diskutohet projekti i amnistisë fiskale. Si e gjykoni një gjë të tillë? Kush është promotor i saj?
Koncepti mbi amnistinë, në përgjithësi dhe mbi një amnisti fiskale në veçanti, ka vite që është objekt diskutimi midis profesionistëve të vendit, në mënyrë të veçantë midis profesionistëve të fushës së financës, fiskalistëve dhe kontabilistëve. Kërkesat e mia profesionale më bëjnë që të ndihem i tërhequr ndaj këtyre temave dhe pa dyshim që shpeshherë jam bërë edhe vetë pjesë e tyre ose palë në këto diskutime. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj më duhet ta sistemoj atë në tri pyetje më të detajuara, në mënyrë që për lexuesin e thjeshtë gjërat të jenë më të qarta. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Sa ndryshon kërkesa e formuluar këto kohët e fundit me kërkesën e përmendur herët dhe vitet e tjera? Pse amnisti dhe çfarë lloj amnistie? Si mund dhe duhet të realizohet amnistia? Kush duhet ta realizojë amnistinë?
Ka mjaft njerëz që flasin për amnisti fiskale. Fjala amnisti fiskale ka lidhje me amnistimin, faljen e detyrimeve tatimore. Detyrime tatimore konsiderohen detyrimet për të paguar tatimin, për të paguar taksën, për të paguar gjobën administrative, për të paguar interesat dhe kamatëvonesat për detyrimin e papaguar në afat, si dhe detyrimin për të paguar kontributin e sigurimeve shoqërore. Kur flitet për amnisti fiskale, fjala është gjithnjë për falje apo shuarje të një lloj detyrimi të tillë, apo që ka gjithnjë lidhje me këto elemente.
Personalisht nuk mendoj se na duhet një amnisti e thjeshtë dhe e pjesshme fiskale. Kam përshtypjen se nuk flitet për amnisti fiskale, por për një amnisti të përgjithshme. Sot duhet të flitet për një amnisti që ka lidhje me njohjen dhe legalizimin e aktiveve dhe të elementeve pasurore të aktivit të bilancit të firmave. Amnisti e përgjithshme do të thotë njohje dhe pranim zyrtar i një fakti të thjeshtë, por shumë domethënës. Njohje e faktit që për vite e vite, në vendin tonë, biznesi privat, por jo vetëm ai, ka realizuar aktivitet ekonomik, në kushtet e mungesës së legjislacionit fiskal, në kushtet e mungesës së legjislacionit tregtar, në kushtet e mungesës së legjislacionit lidhur me procedurat dhe me licencimet. Në vendin tonë, për dhjetëra vite kanë munguar institucionet, apo ato nuk kanë qenë të konsoliduara. Kanë munguar zyrat e regjistrimit dhe të hipotekimit, kanë funksionuar keq zyrat e lejeve të ndërtimit dhe të menaxhimit të territorit, kanë funksionuar me mungesa të theksuara administrata tatimore dhe ajo doganore, ka pasur dhe ka akoma mungesa në zyrat e kontrollit të cilësisë dhe të monitorimit të konkurrencës. Në këto kushte, shtrohet fare natyrshëm pyetja: a duhen amnistuar, pranuar, njohur, legalizuar dhe bërë efektive elementet pasurore që bizneset kanë krijuar dhe rritur në kushtet e një sërë mungesash të tilla? Sigurisht që po. Madje sa më herët që të jetë e mundur.
Logjika dhe filozofia e amnistisë ka argumentet e veta. Kështu, së pari, shteti ka pranuar dhe ka aplikuar disa herë amnisti të pjesshme, të cilat jemi mësuar t’i emërtojmë amnisti fiskale. Këto amnisti, sikurse është edhe amnistia e fundit e aplikuar kohët e fundit nga qeveria, është amnisti e mirëfilltë fiskale. Ajo ka të bëjë me faljen e borxheve tatimore, e borxheve doganore, për të cilat nuk janë fort të qarta rrethanat në të cilat janë krijuar këto detyrime tatimore, të cilat ngaqë nuk janë shlyer në afat janë kthyer në borxhe tatimore. Së dyti, në vendin tonë ka kohë që flitet për amnisti të gjerë. A nuk është e tillë amnistia për njohjen dhe legalizimin e banesave private? A ka pyetur dhe a pyet shteti se cilat janë burimet e investimit për ndërtimin e banesave private? Shpeshherë ndërtime dy dhe tri kate? Ndërtime luksoze me vlera të mëdha. Kjo është një lloj amnistie. Këtu shteti ka vepruar drejt. Këtë sjellje duhet të manifestojë shteti edhe në raport me amnistinë e aktiveve të biznesit, lidhur me pasurinë e tij. Së treti, në vendin tonë, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të Lindjes, ka ndodhur një fenomen shumë karakteristik për botën e financës. Vlera e aktiveve të palëvizshme, vlera e pasurive të paluajtshme, sidomos e banesave dhe e tokës truall, ka ndryshuar me ritme shumë të shpejta. Ky proces rritjeje i vlerës ka përfshirë dhe ka pasuar sigurisht edhe aktivet dhe pasuritë e bizneseve. Ky fakt kërkon njohje zyrtare. Duhet pranuar legalisht një fakt tashmë i ndodhur. Së katërti, edhe emigrantët janë bërë shpeshherë objekt dhe subjekt i investimit, i shtimit të pasurisë qoftë në formën e aktivitetit ekonomik dhe qoftë në formën e pasurisë familjare. Për këtë kategori, duhet pranuar dhe duhet konfirmuar zyrtarisht dhe me ligj pasuria.
Si duhet realizuar amnistia?
Amnistia është një sipërmarrje dhe reformë e gjerë. Amnistia duhet kuptuar si formalizim i ekonomisë. Nëse deri sot ka me dhjetëra biznese për të cilat thuhet e flitet se ndryshojnë emrat e pronësisë në fasadë nga emrat e pronësisë së vërtetë, atëherë sigurisht që këtu ka vend për të rishikuar reformën. Reforma e amnistisë së përgjithshme duhet të realizohet me ligj. Madje nuk është aspak e tepërt që të thuhet që amnistia kërkon jo një ligj të vetëm, por disa ligje njëherësh. Në botën ekonomike, në përvojën e disa vendeve të tjera, është i njohur fakti i suksesit të reformave të lidhura me amnistinë. Amnistia kërkon konsensus të gjerë. Konsensusi lidhur me amnistinë është konsensus i lidhur me formalizimin e ekonomisë, me pranimin e faktit që ekonomia jonë ka nevojë për nxitës të rinj, me faktin që amnistia nuk ka ngjyra, nuk ka një fajtor të vetëm ekzistenca e boshllëqeve që e kanë bëtë të nevojshme atë. Italia, ka bërë disa herë dhe në periudha kohore më të shpeshta amnisti fiskale. Edhe Sarkozi në Francë ka bërë thirrje për riatdhesimin e kapitaleve të francezëve që ata kanë jashtë Francës. Amnistia kërkon edhe këtu te ne njohjen ligjore të faktit që janë rritur kapitalet e bizneseve, që të riatdhesohen paratë e trembura, paratë dhe kapitalet e shtuara në kushtet e “rrëmujës fiskale” dhe të mungesave ligjore e fiskale. Përvojë të njohur në fushën e amnistive ka edhe Turqia. Amnistia kërkon mbështetje dhe përkrahje të gjithanshme. Kjo reformë është po aq e rëndësishme dhe e gjithanshme sa ishte edhe reforma e privatizimeve të sektorit publik të ekonomisë, në vitet e para të ekonomisë së tregut. Amnistia kërkon mbështetje edhe nga opinioni publik, nga qarqet universitare dhe akademike, nga komunitetet brenda e jashtë fushave të interesit. Amnistia kërkon mbështetje nga media, nga OJF dhe nga institucionet përkatëse. Kur flas për amnisti, kam parasysh faktin që duhet të ndahet qartë pasuria dhe aktivet e vëna në kushtet e mungesave të kulturës dhe institucioneve tatimore, nga paraja dhe kapitalet e vëna prej aktiviteteve kriminale. Kjo ndarje kërkon vendosmëri dhe këmbëngulje, kërkon forcë dhe rregull. Kjo ndarje mund të vërë në provë suksesin e reformës së amnistisë.
Si e gjykoni amnistinë fiskale, a vjen në kohën e duhur dhe kujt i vjen më shumë në ndihmë, qeverisë që kërkon të rrisë të ardhurat, apo biznesit?
Për opinionin tim koha kur duhet pranuar dhe shtruar për diskutim një amnisti e përgjithshme, e theksoj këtë, jo të një amnistie të ngushtë fiskale, është e lidhur me faktin se sa në gjendje është shteti dhe institucionet e tij për ta pranuar dhe drejtuar një reformë të tillë. Sot është koha e përshtatshme për ta zgjidhur me sukses amnistinë e kërkuar dhe të propozuar, me sa kuptoj unë me forcë, nga biznesi. Për biznesin amnistia e përgjithshme duhet gjykuar jo si kërkesë luksi, por si nevojë jetike, si oksigjen për të jetuar. Koha e sotme ka edhe mjaft faktorë të tjerë të konsoliduar që e pranojnë në thelb amnistinë. Kemi një administratë fiskale të konsoliduar, të informatizuar, të thjeshtësuar, të mirëstrukturuar, eficente. Kemi bërë hapa të rinj përpara në fushën e kontabilitetit dhe të shërbimeve profesionale. Nëse krijohet dhe bëhet funksionale edhe gjykata e llogarive, atëherë institucionet kompletohen dhe konsolidohen në mbështetje të amnistisë. Amnistia nuk është një reformë që mund të realizohet brenda një dite, as brenda një jave apo muaji. Për mua duhen disa muaj. Amnistia duhet të konceptohet si një reformë që mund dhe duhet të mbyllet, në këndvështrimin legjislativ, brenda vitit 2010.
Cili do të ishte varianti më i mirë, sa duhet të shtrihet në kohë dhe çfarë avantazhi sjell për ekonominë?
Amnistia sjell një avantazh shumë të madh për ekonominë. Së pari, sikurse e shpreha më lart, ajo është reformë për formalizimin e ekonomisë. Së dyti, amnistia shton kapitalet dhe elementet pasurore të ligjshme të bizneseve. Kjo do të thotë ndryshe që amnistia rrit kapacitetet kredimarrëse dhe financiare të tyre në kontribut të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit. Së treti, amnistia vjen në linjën e duhur në përputhje me zhvillimet integruese të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Së katërti, amnistia do të shërbejë si një katalizator për të thithur dhe joshur investime e kapitale të reja që do të orientohen drejt ekonomisë sonë. Emigrantët do të kthejnë edhe një herë tjetër fytyrën ekonomike dhe financiare drejt vendit të tyre, këtë herë për të investuar dhe qëndruar më seriozisht. Së pesti, amnistia, ky nxitës i ri i zhvillimit ekonomik, do të motivojë sektorin privat dhe familjet shqiptare. Së gjashti, amnistia do të shërbejë si reformë që shton kolateralet ligjore drejt sistemit bankar. Kjo do të thotë se bankat tregtare do të orientojnë dhe kreditojnë më shumë ekonominë, sektorin privat, familjet dhe bizneset.
#