Belgjikë,agresori planifikonte vrasje të dytë

Mund të kishte qënë edhe më e përgjakshme tragjedia e cerdhes së fëmijëve në një zone flameze të Belgjikës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë dhe një punonjëse, si dhe u plagosën edhe 13-të të tjerë. Agresori i ri, i maskuar si një personazh klloun tek filmi "Batman", në momentin që u arrestua nga policia belge kishte me vete një copë letër me emrin e një çerdheje tjetër, që ndodhet tre kilometra larg vendit ku u krye masakra. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja flameze "Het Latste Nieu", sipas të cilës falë arrestimit të kriminelit është evituar një sulm i dytë. Ngjarja e rëndë ka tronditur gjithë Belgjikën. Të gjitha gazetat e së shtunës kanë ngritur çështjen nëse duhen forcuar masat e sigurisë në vendet publike, veçanërisht aty ku ka fëmijë. Në qytezën flameze të Dendermonde, pyetet se si ka mundësi që një person i maskuar në mënyrë kaq të çuditshme, ka mundur të hyjë në çerdhen "Vendi i përrallave", pa hasur në asnjë vështirësi. Në çerdhe ndodheshin 18-të fëmijë dhe gjashtë punonjëse. Sipas policisë, i riu 20 vjeçar i maskuar si klloun është sulur mbi ta me një thikë menjëherë pasi kishte hyrë në cerdhe. Njëri nga fëmijët dhe mësuesja 54 vjeçare Marita Blindeman, kanë vdekur menjëherë, ndërsa fëmija tjetër ka vdekur më vonë nga plagët e thella. Ndërkohë që të plagosurit e tjerë ndodhen në spital, ku po kurohen për plagët e marra. Një foshnje gjashtë muajshe dhe një fëmijë tjetrër tre vjeç janë në gjendje kritike për jetën. Të gjithë fëmijët në cerdhen "Vendi i përrallave" ishin nën moshën tre vjeç. Skena e ngjarjes është vizituat edhe nga autoritetet shtetërore, si familja mbretërore e Belgjikës dhe ministri i Brendshëm.