Belind Këlliçi thirret në SPAK, pyetet nga prokurorët për kallëzimet që ka bërë opozita

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Arsyet e thirrjes së tij mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që pas përfundimit të marrjes në pyetje, Këlliçi të japë një deklaratë për mediat.
Burime të pakonfirmuara sugjerojnë se ai mund të jetë thirrur si person i kallëzuar ose si person që ka dijeni lidhur me një çështje hetimore.
Belind Këlliçi ka qenë një nga figurat kryesore që ka depozituar kallëzime pranë SPAK për disa nga çështjet më të bujshme të kohëve të fundit, përfshirë: dosjen e inceneratorit të Tiranës, ku janë nën hetim zyrtarë të lartë për korrupsion dhe dosjen 5D, që çoi në arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës.
Marrja në pyetje e Këlliçit po zhvillohet në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet për disa çështje të rëndësishme të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.