Veliaj 5 orë në SPAK për pasurinë, kryebashkiaku i Tiranës po hetohet për korrupsion. Jep shpjegime për transaksionet financiare

Nga Blerina Cene
Për 5 orë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë shpjegime në SPAK për një procedim penal që Prokuroria Antikorrupsion ka çelur ndaj tij.
Menjëherë pas dëshmisë së gjatë, ai u prit nga një grup protestuesish, ndërsa vetë kryetari i bashkisë nuk dha asnjë shpjegim për marrjen në pyetje.
“Do flas live”, tha ai.
Vizion Plus mësoi se Veliaj po hetohet për korrupsion pikërisht nga ky procedim penal, e për rrjedhojë atij dhe familjarëve të tij po iu kalohet në sitë edhe pasuria e asetet financiare.
Pak kohë më parë, pasi ushtroi kontrolle në shtëpinë e tij e të vëllait të tij, SPAK pranoi se ndaj kryetarit të bashkisë është regjistruar një procedim, por pa dhënë më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
Sot, Veliaj ishte i shoqëruar nga Alban Dokushi, Drejtori Juridik i Bashkisë Tiranë.
Të hënën SPAK mori në pyetje, bashkëshorten e kryetarit të bashkisë, Ajola Xoxa. Ajo dha shpjegime për hetimin pasuror që prokuroria antikorrupsion po kryen ndaj saj.
Të martën, Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Xoxës dhe Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut për të marrë mbrapsht sendet e sekuestruara nga SPAK me vendim të gjykatës antikorrupsion.
Ndërkaq, për të njëjtin ndjekje penale, Byroja Kombëtare e Hetimit zbarkoi në shtëpinë e Veliajt dhe vëllait të tij në 6 dhjetor për kontroll banese. Agjentët sekuestruan celularin e Ajola Xoxës, një sasi parash dhe dukumente e më pas kontrolluan edhe “Galerinë Harabel” në administrim të gruas së kryebashkiakut. /vizionplus.tv