Bello: Është momenti të kthehemi në Kuvend
Deputeti socialist, Marko Bello, deklaroi dje se situata e krijuar në Veri, ku janë përmbytur me mijëra hektarë tokë e janë evakuuar banorët e shumë fshatrave e lagjeve të Shkodrës, është një arsye e fortë për ta rikthyer Partinë Socialiste në Parlament. Sipas tij, duke shkuar në institucionin ligjvënës, opozita do të ketë më shumë mundësi të kërkojë shpjegime nga ana e qeverisë mbi arsyet që çuan në këtë situatë. Por nga ana tjetër edhe të ndikojë në marrjen e nismave ligjore që të ndihmojë banorët në përballimin e situatës.
“Besoj se po, ky është një rast që Partia Socialiste të rishikojë vendimin e saj për t’u kthyer në Parlament, e të kërkojë llogari e sqarime në lidhje me këtë situatë. Por ka mundësi të ndikojë me nisma ligjore që ndihmon banorët e zonave. Por me rëndësi mbetet që të kalojë sa më parë kjo situatë, duke u bërë vlerësimi i dëmeve e më pas dëmshpërblimi”, tha Bello. Deputeti socialist e ka shprehur tashmë qëndrimin e tij në lidhje me kthimin e grupit parlamentar socialist në Kuvend.
Në fund të vitit të shkuar, Bello tha se nuk do të lejonte që mandati i tij të digjej, dhe se në një moment të caktuar do të hyjë në Kuvend. Ky qëndrim i tij është ndjekur edhe nga dy deputetë të tjerë, Kastriot Islami e Andis Harasani. Që të dy kanë bërë me dije se do hyjnë në Parlament, duke shprehur edhe besimin se do ketë një vendim të ri të grupit parlamentar për t’u rikthyer sërish në Parlament. “Jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të asamblesë së Partisë Socialiste ku do të vendoset. Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në Parlament. Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive.
Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama, ku është kërkuar hapja e kutive dhe në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në Parlament”, u shpreh ai. Me logjikë, tha Harasani, për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar, nuk shoh se si mund të hyhet në Parlament. “Në lidhje me qëndrimin tonë, ne kemi thënë që do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do vendosim”, u shpreh Harasani.
#