Haliti: Kosova duhet të shfaqet si shtet i qëndrueshëm
Intervista/ Flet anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës: Utopi, ideja e kombit “kosovar”
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe një nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se pas suksesit në mbajtjen e zgjedhjeve të para pas pavarësisë, Kosova duhet të shfaqet si shtet i qëndrueshëm institucional. Në një intervistë për “Shqip”, z. Haliti komenton edhe problemet e fundit në koalicionin qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së...
Zoti Haliti! Disa organizma hulumtuese kanë folur dhe po flasin për një situatë konfuze në Kosovë para 15 nëntorit dhe raundit të dytë zgjedhor, 13 dhjetorit, që jo vetëm vë në dyshim, por edhe shton kërkesën për prishjen e koalicionit qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së.
Zhvillimi i zgjedhjeve vendore, të organizuara, të menaxhuara dhe të administruara, për herë të parë, nga qeveria e shtetit të pavarur të Kosovës është dhe do të mbetet një arritje me vend të merituar dhe të garantuar në historinë bashkëkohore të Kosovës shtet. Me predispozitën atdhetare dhe demokratike, të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 15 nëntorit arritën që, në mbështetje dhe në hulli të veprimtarisë së institucioneve të shtetit tonë të pavarur, si dhe në përputhje me orientimet dhe sugjerimet e këshilltarëve dhe vlerësuesve tanë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, predispozita e mësipërme e gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore kushtëzoi vlerësimin pozitiv të pranisë monitoruese ndërkombëtare për 15 nëntorin.
Rrjeti Europian i Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve (ENEMO) në raportin e vet për ecurinë e zgjedhjeve vendore më 15 nëntor u shpreh se këto zgjedhje janë përmbushur shumë nga standardet ndërkombëtare për zgjedhje. Shqetësimi për vazhdimësinë e koalicionit qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së lindi gjatë fushatës për zgjedhjet e pushtetit vendor të 15 nëntorit. Vazhdimësia e ekzistencës dhe e funksionimit efektiv të këtij koalicioni u vu në dyshim, fillimisht, për arsye të acarimit të fjalorit përkatës partiak në fushatë.
Ky koalicion u shpall i zhbërë nga disa media menjëherë pas daljes së rezultateve të votimit më 15 nëntor, mbështetur në thënie sporadike të ndonjë përfaqësuesi të paautorizuar nga partitë përkatëse, PDK-ja dhe LDK-ja. Vlerësimi pozitiv i zhvillimeve zgjedhore të 15 nëntorit, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe ai mbarëkombëtar (nga Republika e Shqipërisë dhe forcat politike shqiptare në Maqedoni) u artikulua dhe u deklarua edhe për raundin e dytë zgjedhor.
Procesi zgjedhor i 13 dhjetorit u vlerësua, qysh të nesërmen, nga ndërkombëtarët, “si më i mirë se raundi i parë”; “si kalim i testit të demokracisë nga Kosova”. Ky proces u mirëprit dhe u mbështet edhe nga faktori etnik dhe politik mbarëshqiptar, madje edhe nga konkurrentët tanë politikë.
Megjithatë, kërkesa për zgjedhje të parakohshme, për zgjedhje në 2010-n, u shtua edhe nga përfaqësues në zë të PDK-së dhe LDK-së menjëherë pas raundit të dytë zgjedhor. është një kërkesë e buruar nga nevojat aktuale të Kosovës, apo nga dëshirat e interesat partiake dhe politike?
Në demokraci është e pranishme dhe e pranueshme kërkesa e opozitës për zgjedhje qysh të nesërmen e humbjes. Në Kosovë, në një shtet që ende pret vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të cilësuar, në ballafaqim me të Drejtën Ndërkombëtare, “të drejtë”, apo “të padrejtë”, pavarësinë tonë reale, vepruese e të njohur ndërkombëtarisht nga një e treta e anëtarëve te OKB-së, kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare më duket e “parakohshme”. Vërtet vendimi i GJND-së, që pritet të jepet në pranverë, nuk ka karakter detyrues, por, mendoj se në pritje të këtij vendimi, që kurrsesi nuk është i parëndësishëm, Kosova duhet të shfaqet shtetërisht dhe institucionalisht e qëndrueshme dhe e konsoliduar. Kërkesa për zgjedhje, që u shfaq menjëherë pas 15 nëntorit dhe u fuqizua pas 13 dhjetorit, nuk është e ideuar apo e nxitur nga motive të qenësishme atdhetare e politike në mbështetje të konsolidimit të Kosovës shtet. Dëshira individuale, interesat partiake politike dhe shfrytëzimi i vështirësive aktuale në funksion të zhvillimit të parakohshëm të zgjedhjeve kuvendore, kur ende nuk kanë përfunduar e nuk janë certifikuar zgjedhjet vendore, nuk janë dhe nuk mund të jenë të arsyeshme. Dëshirat, interesat dhe objektivat, që edhe kur janë personale realizohen përmes partive, nuk i ndihmojnë së tërës, konfirmimit botëror të shtetit të pavarur të Kosovës.
Si i ngarkuar i PDK-së në krye të strukturës së posaçme të partisë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 15 nëntorit, mendoj se duhet të keni edhe një vlerësim tuajin për rezultatin e arritur, që do të ishte në interes të bëhej i ditur?
Mendoj se nuk ia vlen të përmendet dhe sa më pak të flitet për kontributin tim në arritjen e rezultatit zgjedhor të PDK-së më 15 nëntor. Unë u përpoqa të kryej një detyrë të ngarkuar nga partia, por as më ka shkuar nëpër mend që kam pasur dhe kam luajtur ndonjë rol me “peshë” në këto zgjedhje. Duke pohuar këtë, nuk mund të mos vë në dukje rolin dhe kontributin e autorëve dhe aktorëve që përcaktuan zhvillimin dhe përfundimin e këtyre zgjedhjeve. Organizatorët, menaxhuesit dhe përgjegjësit kryesorë e të drejtpërdrejtë të zgjedhjeve për pushtetin vendor në Kosovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë institucionet e shtetit tonë të pavarur. Kontribuues dhe realizues tepër të rëndësishëm kanë qenë dhe janë shumica dërrmuese e forcave politike të përkatësisë etnike shqiptare dhe joshqiptare (kryesisht të përkatësisë serbe). Krahas me këta dy elementë vendimtarë, kanë ndihmuar dhe ndikuar pozitivisht në vazhdimësi edhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në vendin tonë. Këta të fundit, të angazhuar gjatë gjithë zhvillimit të këtij procesi, me këshilla, vërejtje e vlerësime orientuan e ndikuan ndjeshëm në “shkallën e cilësisë demokratike” të zgjedhjeve vendore. Sa më sipër mendoj se janë këto arsyet që, pas vlerësimit pozitiv mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar për zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjeve (15 nëntor), raundi i 13 dhjetorit të vlerësohet qysh të nesërmen nga monitoruesit e vëzhguesit e huaj, të pranishëm gjatë gjithë procesit, si “votime të organizuara shumë mirë”.
Fitoi apo humbi PDK-ja në këto zgjedhje? A ka ndikuar në rezultatin e tyre qeverisja dyvjeçare e Kosovës prej saj?
E kam të vështirë të gjykoj dhe të jap një përgjigje për pyetjen e parë, sepse ka shumë kritere për të ndarë fitoren nga humbja. Këto ndahen nga numri i fituar i kryetarëve të komunave, nga numri i përfaqësuesve partiakë në asambletë komunale, nga numri i popullsisë së qeverisur nga pushteti vendor, i kësaj apo asaj përkatësie partiake. Tej këtyre pengesave, rëndon edhe fakti që ende priten zgjedhje për komunat Lipjan, Gjilan e Prizren.
Lidhur me pyetjen e dytë, mund të them: është i njohur fakti që partia në qeverisje i paguan “haraçin” ushtrimit të pushtetit me humbje të elektoratit. është një befasi, por që s’mund ta konsideroj të pamerituar që PDK-ja arriti të jetë në krye të partive në fitimin e njësive vendore. E kam të vështirë t’ia atribuoj këtë arritje qeverisjes nga koalicioni i kryesuar nga PDK-ja. Mendoj dhe besoj që qytetarët tanë na mbështesin ende, sepse ne mbajtëm fjalën dhe realizuam objektivat e fushatës zgjedhore të 2007-s; Shpalljen e Pavarësisë, hartimin dhe miratimin e Kushtetutës; njohjen ndërkombëtare të Kosovës shtet: krijimin, konsolidimin dhe funksionimin e strukturave dhe institucioneve shtetërore.
Kohët e fundit po lëshohen mjaft akuza për implikimin e shumë zyrtarëve të Kosovës në korrupsion. Sipas jush, a e ka prekur kjo plagë klasën politike dhe, në veçanti, Partinë Demokratike? Nëse po, si mund të dilet nga kjo situatë?
Akuza për korrupsion të zyrtarëve janë bërë, bëhen dhe do të bëhen, jo vetëm në një shtet të ri e demokratik si Kosova, por në çdo vend të botës. Korrupsioni është pjellë dhe bashkudhëtar i shtetit; përmasat e tij në vende të ndryshme janë në varësi të luftës që i bëhet. Unë nuk e di dhe nuk mund ta di që numri i zyrtarëve tanë të korruptuar është i shumtë apo i pakët.
Që ka shtetarë e politikanë të prekur nga kjo plagë, që kjo dukuri është e pranishme në elementë të klasës politike dhe në përfaqësues të ndryshëm të partisë, as që mund të vihet në dyshim dhe, ca më pak, të kundërshtohet. Por të veçohet në tërësi Partia Demokratike nuk më duket as realiste dhe as e drejtë. Vërtet PDK-ja është forcë qeverisëse dhe si e tillë është e synueshme dhe e prekshme nga korrupsioni, por të mos harrojmë; në pushtet është dhe LDK-ja; të pushtetshme janë edhe parti të tjera, që ndonëse në opozitë në qeverisjen qendrore, janë në pushtet në jo pak njësi të qeverisjes vendore. Mendoj se korrupsioni nuk luftohet me akuza mediatike dhe as duke ia faturuar këtë plagë kësaj apo asaj force politike. Korrupsioni, si pjellë dhe bashkëshoqërues i shtetit, luftohet në mënyrë efektive vetëm shtetërisht. Ligji dhe funksioni institucional i tij i vënë fre dhe i minimizojnë këto plagë.
Në një koment të para disa kohësh, ju bëtë një qasje për debatin mbi kombin kosovar dhe atij shqiptar, gjë që po ndikohet shumë si në Tiranë, Prishtinë, por dhe në qendrat e tjera nevralgjike të shqiptarëve. A ekziston një shtrat në Kosovë për krijimin e një kombi të ri, ku të marrin pjesë edhe pakicat?
Unë nuk mund të pretendoj dhe të bëj rolin e një specialisti. Kam thënë dhe i qëndroj mendimit që krijimi i kombeve është një proces i gjatë historik; që ky proces, jo vetëm në Europë por edhe në Ballkan ka shekuj që ka përfunduar; (besoj se ekziston kund ndonjë prirje që shqiptari i Kosovës të mos dëshirojë të vazhdojë të quhet shqiptar dhe serbi i Kosovës të mos e mbajë veten për serb). Kushtetuta jonë ka sanksionuar dhe garanton përkatësinë etnike. Ideja për krijimin e një kombi të ri për shekullin XXI më duket utopi.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, pas zhvillimit të seancave gjatë dyjavorit të parë të dhjetorit 2009, pritet të japë vendim në pranverën e këtij viti. Si mendoni se u paraqit shteti i Kosovës dhe mbështetësit e tij në këtë gjykatë dhe çfarë prisni nga vendimi i saj?
Kjo pyetje, për nga rëndësia e çështjes së shtruar në Hagë dhe për nga përballja e shteteve palë pro dhe kundër shtetit të pavarur të Kosovës meriton angazhimin e kontributin shkencor të studiuesve tanë. Të paditur në Hagë nga Serbia për mospërputhje të shpalljes së pavarësisë prej nesh, GjND-ja u shndërrua në proklamuesen më të ndjekur ndërkombëtarisht të Kosovës shtet i pavarur dhe në “arenën” publike të përballjes së anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të anëtarëve të BE-së dhe të fqinjëve tanë gjeografikë për hir të Kosovës. Nga vendimi i pritshëm i GjND-së, jo vetëm unë, por e gjithë politika botërore nuk pret gjë tjetër veç të parathënës së një vendimi jo detyrues! Statusi aktual i Kosovës si shtet i pavarur dhe i njohur nga mbi 60 shtete, nuk është dhe nuk do të vihet kurrë në diskutim!
Pritet të zhvillohet raundi i tretë i zgjedhjeve për pushtetin vendor. Si e parashikoni ecurinë e parashikuar dhe rezultatin e tyre?
Do të doja të mos flisja për këtë çështje. Megjithatë, me që ju e shtruat, po ju them që ky raund vë në diskutim fitoren e emrave të përveçëm, përfaqësues të partive të ndryshme politike në krye të komunave. Nuk shpresoj, por besoj që ecuria do të jetë e qetë, qytetare dhe demokratike, kurse sa për rezultatin do të dëshiroja dhe uroja që të fitojnë më të mirët.
Para pak ditësh, Presidenti Tadiç erdhi në Kosovë për të festuar Krishtlindjet në Deçan. ç’vlerësim keni për këtë vizitë?
Shqiptarët janë dalluar në Ballkan për mikpritjen. Dihet historikisht që kemi pritur, respektuar e mbrojtur edhe hasmin, kur vinte mik. Para Tadiçit, ne pritëm me dashuri e mirësi ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton, ndërsa ca më pas, në vazhdën e logjikës dhe praktikës denjuam dhe respektuam nën mbrojtjen tonë shtetërore dhe Presidentin e Serbisë. Strukturat tona shtetërore janë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme për çfarë po bëjnë. Dëshmojmë dhe shpresojmë që dhe shtetarët e lartë të Serbisë na mirëkuptojnë, të na vlerësojnë dhe t’i kontribuojnë fqinjësisë së mirë shtetërore mes nesh. Kjo gjë, në mos sot, nesër do të arrihet. Udhëheqja aktuale serbe ka aktualisht mundësinë që ta përshpejtojë këtë proces dhe kjo t’i njihet botërisht si meritë.
#