E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut bën thirrje për paqe

Pjon Jangu kërkon dhënien fund të luftës dhe heqjen e sanksioneve
Ndërsa me Iranin situata vazhdon të jetë e tensionuar, komuniteti ndërkombëtar ka marrë “lajme të mira” nga Koreja e Veriut. Pjon Jangu ka propozuar dje arritjen e një marrëveshjeje formale, që do t’i japë fund gjendjes së luftës me Korenë e Jugut brenda këtij viti, një rikthim të bisedimeve ndërkombëtare në lidhje me ambicien e saj bërthamore, si edhe marrëdhënie më të mira me Uashingtonin dhe mundësisht heqje të sanksioneve.
Në fakt, Veriu prej kohësh ka kërkuar një traktat paqeje, por i dërguari i posaçëm i Obamës, që vizitoi vendin komunist muaj më parë, deklaroi se më parë vendi duhej që të përmirësonte dukshëm situatën “ekstreme” të të drejtave të njeriut e më pas të kërkonte normalizim të marrëdhënieve. Pjon Jang dhe Uashingtoni nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie diplomatike, për shkak të luftës së dy Koreve në vitet 1950-’53, që përfundoi me pushim zjarri e jo me paqe të nënshkruar, duke e lënë gadishullin teknikisht në gjendje lufte. Uashingtoni ka refuzuar nënshkrimin e një marrëveshjeje, për shkak të ambicies bërthamore të Koresë së Veriut.
Por Koreja e Veriut ka deklaruar se nuk do t’i rinisë bisedimet pa nisjen e procedurave për traktatin e paqes. Koreja e Jugut është gjithashtu dyshuese për thirrjen për traktatin. Nënshkrimi i tij do të ndihmonte shumë në dhënien fund të marrëdhënieve armiqësore mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe do të promovonte denuklearizimin e gadishullit në një kohë shumë të shpejtë. Ky propozim në fakt vjen pas vizitës së parë të këtij lloji të të dërguarit të posaçëm të Obamës në Pjon Jang.
Diplomati deklaroi se pas vizitës së tij, Koreja e Veriut ra dakord në dobinë e rikthimit te bisedimet disapalëshe. Shumë analistë e komentojnë lëvizjen e djeshme të vendit komunist si një tentativë e veriorëve për të ndryshuar status-kuonë, që po zgjat prej më se një viti. Në bisedimet me të dërguarin amerikan, Koreja ra dakord që në këmbim të ndihmës ekonomike të nisë çarmatosjen, por mundësisht të niste edhe heqja e sanksioneve.
Për amerikanët është shumë e rëndësishme edhe situata e të drejtave të njeriut në vendin ku ato shkelen me të dyja këmbët nga qeveria komuniste. Koreja e Veriut ka 154 mijë të burgosur në 6 kampe të mëdha të shpërndarë në të gjithë vendin. Sigurisht që Pjon Jangu e mohon ekzistencën e tyre dhe të shkeljeve të tjera, duke mohuar pjesën më të madhe të akuzave që i janë bërë në lidhje me të drejtat e njeriut.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›