E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belortaja në samitin e OKI-t dënon dhunën në Siri

TIRANE- Zv.ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja mori pjesë në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës së Koperimit Islamik (OKI), ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në disa rajone të organizatës, u dënua ashpër regjimi i Assad në Siri dhe u bënë thirrje për ndalim atje menjëherë të dhunës dhe gjakderdhjes.
Burime nga ministria e Punëve të Jashtme thanë sot se Samiti i Jashtëzakonshëm i Organizatës së Koperimit Islamik (OKI) u mblodh në datat 14-15 Gusht në Mekë (Arabi Saudite), ku delegacioni shqiptar në të u kryesua nga zv.ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit në disa vende e rajone të kësaj organizate dhe nevoja për një reagim të përbashkët dhe energjik në frenimin e dhunës shtetërore, diskriminimit fetar dhe terrorizmit. Në të u diskutua edhe mbi ndihmën reciproke për mëkëmbjen e vlerave të demokracisë, tolerancës fetare dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Takimi dënoi ashpër regjimin e Assad në Siri dhe bëri thirrje për ndalim menjëherë të dhunës dhe gjakderdhjes atje. Vemendje iu kushtua gjithashtu edhe çështjes së Palestinës, dhunës me bazë fetare në Birmani, gjallërimit të terrorizmit në Mali e zona të tjera, etj.
Në fjalën mbajtur në sesionin ministerial para samitit, Belortaja paraqiti qëndrimin shqiptar për çështjet e mësipërme. Ai theksoi se regjimi ekzistues në Siri e ka humbur përgjithmonë legjitimitetin e qeverisjes së popullit sirian.
Në takim u nënvizua gjithashtu nevoja për më shumë ndihmë humanitare ndaj refugjatëve dhe të prekurve nga dhuna. Takimi përfundoi me një sërë vendimesh, mes të cilëve edhe ai për pezullimin e Sirisë nga OKI.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›