Ben Ali hetohet për korrupsion

Prokuroria e Parisit ka nisur procedurën e hetimeve për ngrirjen e mundshme të pasurisë së ish-presidentit të Tunizisë Ben Ali në Francë. Hetimet janë nisur pas padisë së ngritur prej tri organizatave joqeveritare për korrupsion dhe shpërdorim të parave të shtetit prej ish-presidentit dhe klanit të tij.
Ngritësit e padisë akuzojnë ish-presidentin Ben Ali dhe familjen e tij për shpërdorim të rreth pesë miliardë dollarëve amerikanë. Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, siguroi opinionin se do të bëhen hetime të hollësishme.
Hetime të ngjashme kanë paralajmëruar edhe organet e drejtësisë në Tunizi, ndërkohë që autoritetet e Zvicrës kanë ngrirë me 19 janar pasuritë e ish-presidentit Ben Ali në këtë vend.
Në ndërkohë, as natën e dytë me radhë demonstruesit në Tunizi nuk kanë respektuar urdhrin për ndalimqarkullim dhe kanë protestuar kundër qeverisë kalimtare, të emëruar pas ikjes nga vendi të presidentit Ben Ali.
Qindra demonstrues kanë dalë në rrugë, me gjithë masat e urdhëruara nga kryeministri, Mohammed Ghannouchi.
Shumica e demonstruesve vijnë nga rajonet e brendshme dhe të varfra të këtij vendi dhe janë mbledhur në kryeqytet.
Forcat ushtarake me gjithë masat e urdhëruara prej qeverisë nuk kanë ndërhyrë me dhunë kundër demonstruesve. Shefi i ushtrisë tuniziane Rachid Ammar ka kërkuar prej demonstruesve të tërhiqen nga rruga por njëkohësisht ka treguar solidaritet me demonstruesit.
Ai e quajti ushtrinë si një "garant të revolucionit".