Rusia shton masat e sigurisë

Siguria është shtuar në Moskë, pas sulmit vetëvrasës me bombë në aeroportin më të ngarkuar në kryeqytetin e Rusisë, nga i cili u vranë së paku 35 vetë dhe u plagosën më se 150 të tjerë.
Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, tha se sulmi në aeroportin Domodedovo, ishte sulm terrorist dhe ka shprehur përkushtimin për t’i gjetur ata që janë përgjegjës.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, me gjithë se ka dyshime se përgjegjësia do të bie mbi militantët nga rajoni i Kaukazit Verior.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se ishte “i neveritur nga ky akt i pa arsyeshëm dhe i mjeruar i dhunës kundër personave të pafajshëm”.
Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka dënuar “këtë akt mizor të terrorizmit” dhe ka ofruar ndihmë.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se Shtetet e Bashkuara solidarizohen me popullin e Rusisë.
Medvedev ka thënë se drejtuesit e aeroportit më të frekuentuar të Moskës do të japin llogari për ato që ai i quajti shkelje të qarta të masave të sigurisë që mundësuan sulmin.