E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi “kërkon” çmim!

Jeta që ka bërë në treg libri i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” është nga ato raste unikale të bestseller-it në vendin tonë. Jo vetëm tregu, por edhe libri i tij si fenomen – shtyu shumë lexues të shkonin nga teksti i “romanit” në rileximin e historisë. Na duhet të pohojmë situatën e një shkrimtari, poeti, që ka vizituar së fundi Shqipërinë ku shprehet se “tjetër gjë është të jesh bestseller dhe të shesësh mijëra libra, kopje dhe tjetër gjë është të bësh artin përbrenda saj”. E gjithë atmosfera e botuesit të “Toenës”, që ka pasur ekskluzivitetin e librit të Blushit ka qenë entuziaste, përderisa fliste për shitjen e librit “Të jetosh në ishull”. Në një panair libri ku flitet për shitje librash dhe pak për autorët, anonçimi i çmimit të botuesve këtë hamendësonte, se kjo vlen për pjesën e lexuesve në masë. Por, në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve ndodhi e kundërta. Papritur botuesit u bënë rigorozë në qëndrimin e tyre, duke i dhënë çmimin “politik” shkrimtarit Visar Zhiti, për një libër që nuk është promovuar, që pak e njohin, e për më tepër që nuk shënon shifra shitjeje në treg. Vlen të theksohet se pritshmëria nuk ka të bëjë me shkrimtarin, por me kontekstin e një kulture bestseller në Shqipëri, që siç duket na nis nga libri i Ben Blushit, si i pari libër, ashtu sikurse ka ndjekur librin “Kodi i Da Vinçit”, të Dan Brown-it. Ben Blushi arrin të krijojë këtë rreth marketingu jo për suksesin e botuesit, sikurse mund të pritej çmimi. Por për një famë politike, për një “backgraund” kulturor, që solli me vete libri i Blushit. Debati në këtë mes “pro” dhe “kundra”, nuk i takon dhe as nuk i shkon një teksti letrar, do ishte arbitrare ky lloj diskutimi siç edhe janë shprehur kritikët. Në letërsi flitet për stil, për ide, për lëndën estetike, për narracionin, për figurshmërinë, për një lloj bote të brendshme të shkrimtarit, për arketipin.

Libri i Ben Blushit ka meritën finale se ka ngjallur debat. Për këtë botuesit të “Toenës”, si shembull i parë, i është dashur të ndërtojë një libër të dytë, duke mbledhur të gjitha mendimet, për letraren, historiken, dhe jashtëletraren e librit të Blushit.

Në llojin e bestsellerit më mirë është që të shiteshin me mijëra kopje të “Të jetosh në ishull”, sesa të dëgjojmë nga shtëpi botuese se si shkruajnë histori telenovelash autore mediokre shqiptare.

Diskutimi për Ben Blushin për fat nuk i takon këtij rangu. Të paktën interesi që ka ardhur për këtë libër i takon një hapësire debate më së tepërmi mbi historinë, duke rikthyer vëmendjen në një fenomen tronditës, se kush jemi.

Që ky libër i takon jashtëletrares e kanë thënë kritikë e studiues seriozë. Por kjo nuk ka shqetësuar askënd, aq më pak palën që e ka shkruar dhe botuar librin, për faktin e një koshience të qartë; se libri është shkruar për t’u shitur. Përpjekja e Shoqatës së Botuesve për të instaluar një çmim që pak ka të bëjë me shkrimtarin, me debatin e ngjallur se kur shkruhet letërsi, këtë herë duket se u ka shkuar nga duart. Libri i Ben Blushit në listën e parë të marrjes së një çmimi si bestseller nuk dihet për ç’arsye u rrëzua, ashtu sikurse u rrëzua dhe dhënia e çmimeve të tjera, duke kujtuar se është e njëjta histori për t’u mos luajtur nga vendi: se çmimet botuesit i ndajnë sipas interesave, që edhe këtë herë ndryshe ishte atmosfera dhe krejt papritur shembet, duke e shndërruar atë në një çmim politik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›