E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi promovon “jetën në ishull”



“Jam mësuar këto vitet e fundit që kur shoh më shumë se 50 veta, më duket sikur jam në miting, por sot nuk u kam ftuar për t’u kërkuar vota, por për t’u kërkuar të lexoni librin. Është një libër që të befason për mjeshtrinë me të cilën është arritur të ngrihet arkitektura komplekse mbi historinë e një familjeje shqiptare 300 vjet shkuar” tha botuesi Pirro Misha, ditën e djeshme gjatë promovimit të librit “Të jetosh në ishull” të autorit Ben Blushi. Ndërsa vetë autori është shprehur: “Një mik dua ta falënderoj me emër. Ky është Edi Rama! Në një moment të caktuar, që janë shumë në jetën tonë politike, pa dashje, pa dyshim, ai më dekurajoi të merresha me politikë dhe kjo është arsyeja që unë lashë politikën dhe u ula 6 muaj të shkruaja romanin. Po kjo është miqësore! Është një dekurajim pozitiv”.
I pranishëm në këtë promovim ka qenë edhe kryetari i PS-së Edi Rama, si dhe të ftuar të ndryshëm nga fusha e artit, politikës e medias. Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabata Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërrthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›