“Tenis blu”, Dinamo e praktikon në kompleks
Dash Frashëri
Brenda kompleksit sportive “Dinamo” ndodhet një fushë tenisi, por kurrsesi as presidenti Sulaj (një i apasionuar pas topit të verdhë) dhe as trajneri Ilir Daja, nuk do ta mendonin kurrë se do të shënonin nga tre gola për çdo pjesë kundër Flamurtarit, që një javë më parë kishte fituar bindshëm po me tre gola ndaj Partizanit të vendit të dytë.
Edhe pse sfida u konsiderua si një duel kroatësh (8 të tillë në “Selman Stërmasi”, 4 Dinamo dhe 3 Flamurtari, plus trajnerin Kovaçiç), ishte shqiptari nga Maqedonia, Artim Pollozhani, “matchëinner” (fituesi) me golin e parë të tij në të 16’ dhe eurogolin në të 48’.
Dinamo, e ndodhur edhe në presionin e Partizanit, që luante në stadiumin tjetër të kryeqytetit, realizoi golin e parë falë një kundërsulmi. Sulmuesi Pero Pejiç dha një top në të majtë për kroatin tjetër, mesfushorin Goran Vinçetiç, dhe asistit të kroatit iu përgjigj në mënyrë perfekte ish-sulmuesi i Tus Koblenz, Pollozhani. Vvlonjatët protestuan për pozicion jashtëloje, por gjyqtari drejtoi pikën e mesit të fushës.
Goli i dytë i bluve realizohet me penallti nga gjakftohti Bekim Kuli (28’), i cili shënon golin e tij të katërt sezonal dhe të dytin nga pika e bardhë. 45 minutat e para patën kohë edhe për golin e tretë të shënuar nga golashënuesi më i mitë i Dinamos, Pero Pejiç (42’), që tashmë ndodhet në kuotën e 16 golave, tre më pak se shkodrani Sinani (19).
Ndeshja është e mbyllur për trajnerin e Dinamos, Daja, ndërkohë që për ish-ndihmësin e trajnerit të Kombëtares, Oto Bariç, kroatin Slavko Kovaçiç, i cili pak minuta përpara fillimit të takimit kishte ftuar përmes celularin, edhe ish-kolegun e tij, Shpëtim Duro, për të asistuar në “Selman Stërmasi” (përmes një dialogu një serbokroatishte e përzjerrë me pak shqip e shumë gjermanisht), turfullohej në bankinë.
Pollozhani në të 48’ i hoqi çdo ëndërr Kovës për të marrë të paktën një barazim, ndërsa zëvendësuesi Eleandro Pema me dy golat e tij, në minutat 74 e 82, vulosi shifrat 6-0 dhe humbjen më të thellë të Flamurtarit gjatë këtij sezoni. Gjithsesi, Dinamo nuk arriti të barazojë rekordin e saj sezonal, atë fitore 7-0 me Skëndërbeun e vendit të fundit.
Kovaçiç, i cili në ndeshjen e humbur të skuadrës së tij me, i quajti lojtarët e tij amatorë, madje shkarazi përmendi edhe mundësinë e largimit, ka rastin më të mirë në për t’u kthyer në shtëpi, pasi askush në Vlorë, përfshirë edhe kryebashkiakun Shpëtim Gjika, nuk mund t’i fali humbjen 6-0.
Gjithsesi, kjo Dinamo i dha mundësinë Flamurtarit të vendoste ekuilibrat në këtë kampionat: në 27 javë, 8 fitore dhe 8 humbje (11 barazime). Bilanci midis dy ekipeve: 113 ndeshje; 62 fitore Dinamo, 26 barazime, 25 fitore Flamurtari. Golat: 184-99
Kontrast shqiptar, tipik “Guinnes”
Kontrast shqiptar. Tipik “Guinnes”. Gjithçka e thjeshtë. Dinamo humbet 72 orë më parë 4-0 me Vllazninë në “Loro Boriçi” në ndeshjen e parë gjysëmfinale për Kupën e Shqipërisë, dhe tri ditë më pas, fiton 6-0 me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”. Vlonjatët fitojnë në “Flamurtari” 3-0 me Partizanin dhe humbasin 6-0 në kryeqytet me dinamovitët në kryqytet. Formacioni i kroatit Slavko Kovaçiç bëhen çelësi i Kampionatit të 66-të Kombëtar, që për fitimin e titullit si presidenti Sulaj i Dinamos ashtu edhe bosi i Partizanit kanë hedhur disa qindra milionë lekë.
Java e “2”-shit
Besa në debutimin e dyshes Berati-Haxhiaj fitoi me 2-1 me Tiranën, falë dy golave të Bledar Mancakut të realizuar nga pika e bardhë. Dy gola shënoi edhe Partizani ndaj Shkumbinit, dhe të dy në minutën e parë shtesë të çdo pjese. Numri “2” u përsërit edhe në Korçë, ku Teuta fitoi 2-0 për të arritur fitoren e dytë në shtëpinë e Skëndërbeut. Një dysh i ndarë përgjysmë në Lezhë, ku Besëlidhja e Kastrioti u ndanë 1-1. Pikët ndanë edhe Vllaznia e Elbasani, por rezultati përfundoi i bardhë.
Partizani, “Happy end in extremis”
Tre pikë të arta “in extremis”. Partizani është i dënuar të vuajë 45 minuta të çdo pjese. “Happy end” për trajneri Hasan Lika është i denjë për një skenar “ala Bajern Munih”. Paulin Dhembi realizoi në 45’+1, kur pas përplasjes kokë më kokë mes portierit të Shkumbinit, Ervis Llani me mesfushorin sulmues të Partizanit, Elis Bakaj, lojtari i “Demave” u gjet para portës bosh, për të bërë gjënë më të bukur në botën e futbollit, golin. Shkumbini edhe pse goditi një traversë në minutën e 29-të dhe ishte pranë golit edhe në fraksionin e dytë kur Kacollja (78’) kreu një roveshjatë fantastike për ta rrëshqitur topin pranë shtyllës pingule. Skuadra e Maganit nuk arriti të ndalë vrullin e Partizanit, që në minutën e 91-të, realizoi me Elis Bakajn, me një veprim të zgjuar. 2-0 për Partizanin, që e mbajti e sërish dy pikë larg Dinamos, ndërsa Bakaj arrin Muzakën në kuotën e 9 golave. Partizani mbeti sërish ekipi i vetëm që nuk njeh humbje në shtëpi në 14 javët e luajtura në Tiranë (9 fitore, 5 barazime). Kjo ishte fitorja e 16-të e Partizanit në 34 ndeshje historike me Shkumbinin (12 fitore, 6 barzime).
Barazim në Lezhë, përfiton Teuta
Sfida e nxehtë për mbijetesë, ajo midis Besëlidhjes e Kastriotit me rezultatin që prodhoi, barazimin 1-1, çoi ujë në “mullirin” e Teutës, të kthyer triumfalisht nga Korça, në stadiumin ku dhe lezhjanët e krutanët kishin marrë më parë pikë të plota.
Dritan Smajli shënoi një eurogol brenda tri minutave lojë për formacionin e Ilir Gjylës, kur me goditjen e tij të kalibruar realizoi nga 25 metra, falë edhe pakujdesisë së portierit të Kastriotit, Arjon Mustafa. Golashënuesi më i mirë i formacionit të Ramazan Ndreut, Erion Rizvanolli, pair një një rast të artë për të vendosur ekulibrat në të 18-të, por pa mundur të realizojë. Gjithsesi, ishte ish-sulmuesi i Tiranës, Oriand Abazaj, që shërbeu për Rizvanollin, i i cili në minutën e 35-të shënoi edhe golin e çmuar për Kastriotin, duke ndarë nga një pikë me skuadrën vendase. Besëlidhja regjistroi barazimin e 5-të në shtëpi, ndërsa Kastrioti të tredtin në transfertë. Ky ishte edhe barazimi i parë historik midis dy ekipeve në 5 ndeshjet e zhvilluara, ku Besëlidhja ka arritur vetëm 1 fitore, ndërsa Kastrioti 3.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 27
Dinamo - Flamurtari 6-0
Gjyqtarë: S. Çekaj, Ë. Pjetrushi, F. Lamaj
Stadiumi "Selman Stërmasi", Tiranë
Bilanci: 112 ndeshje; 61 fitore Dinamo, 26 barazime, 25 fitore Flamurtari. Golat: 178-99
Partizani - Shkumbini 2-0
Gjyqtarë: A. Janku, A. Lamçe, S. Zeka
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", Tiranë
Bilanci: 34 ndeshje; 16 fitore Partizani, 6 barazime, 12 fitore Shkumbini. Golat: 46-38
Vllaznia - Elbasani 0-0
Gjyqtarë: E. Dobi, E. Doda, A. Pregja
Stadiumi "Loro Boriçi", Shkodër
Bilanci: 124 ndeshje; 62 fitore Vllaznia , 36 barazime, 26 fitore Elbasani. Golat: 199-114.
Besa - Tirana 2-1
Gjyqtarë: B. Pashaj, R. Zhuli, L. Mustafaraj
Stadiumi "Besa", Kavajë
Bilanci: 122 ndeshje; 16 fitore Besa, 38 barazime, 68 fitore Tirana. Golat: 105-206.
Besëlidhja – Kastrioti 1-1
Gjyqtarë: S. Jareci, A. Mali, G. Maloku
Stadiumi "Besëlidhja", Lezhë
Bilanci: 5 ndeshje; 1 fitore Besëlidhja, 1 barazime, 3 fitore Kastrioti. Golat: 4-6
Skënderbeu - Teuta 0-2
Gjyqtarë: E. Peza, E. Biçaku, E. Bodeci
Stadiumi "Skënderbeu", Korçë
Bilanci: 113 ndeshje; 47 fitore Skënderbeu, 35 barazime, 31 fitore Teuta. Golat: 120-112.
KATEGORIA E PARË
JAVA 27
Ada - Burreli 1-0
Gjyqtarë: A. Lulaj, S. Avdo, G. Qirici
Fusha Sportive, Velipojë
Luftëtari - Apolonia 4-1
Gjyqtarë: P. Lapi, E. Miho, F. Elezi
Stadiumi "Gjirokastra", Gjirokastër
Tomori - Dajti 1-1
Gjyqtarë: A. Taullau, L. Alla, K. Cjapi
Stadiumi "Tomori", Berat
Gramshi - Pogradeci 1-0
Gjyqtarë: S. Disha, A. Bejtja, A. Guçe
Fusha Sportive, Gramsh
Lushnja - Sopoti 1-0
Gjyqtarë: B. Ziri, J. Kalleshi, B. Mesi
Stadiumi "Roza Haxhiu", Lushnjë
Laçi - Bilishti Sport 3-0
Gjyqtarë: M. Masha, P. Puto, E. Deraj
Fusha Sportive, Laç
Tepelena - Erzeni 0-2
Gjyqtarë: A. Rama, D. Jubica, D. Salaj
Fusha Sportive, Tepelenë
Bylis - Skrapari 3-0
Gjyqtarë: Sh. Balliu, R. Shtëmbani, G. Bimi
Stadiumi "Adush Muça", Ballsh
Turbina - Naftëtari 1-1
Gjyqtarë: K. Hakrama, E. Kello, D. Agaraj
Fusha Sportive "Nexhip Trungu", Cërrik
Skela-gol, 9 pikë në tre javë
Energie Cottbus përsëri shënon një fitore dhe është përsëri Ervin Skela ai që shënon golin vendimtar të ndeshjes. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka marrë përgjegjësinë e gjuajtjes së 11-metërshit në minutën e 51-të të ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij Arminia Bielefeld, dhe nuk ka gabuar duke i dhënë kështu edhe një tjetër trepikësh skuadrës së tij. Me golin i shqiptarit është mbyllur e gjithë ndeshja dhe tashmë Energie Cottbus “noton në ujëra të qeta” përsa i përket qëndrimit në Bundesliga. E gjithë kjo falë formës së jashtëzakonshme të Skelës i cili në tre javët e fundit ka shënuar katër gola për skuadrën e tij duke u shëndrruar në liderin e padiskutueshëm të Cottbus.
Ndërkohë në ndeshjet e tjera të Bundesligës janë aktivizuar edhe dy shqiptarët e tjerë. Edmond Kapllani është futur si zëvendësues në minutën e 55-të në ndeshjen që skuadra e tij Karlsruhe e ka humbur në shtëpi me rezultatin 2-1 nga Hansa Rostock, ndërkohë Altin Lala si zakonisht është aktivizuar për 90 minuta në fitoren e Hanoverit me rezultatin 2-1 përballë Eintracht Frankfurt.
14 Prill 2008