E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra artistë shqiptarë “shkallmojnë” kufijtë në Tuz



Unioni Artistik i Kombit Shqiptar shtrihet në Mal të Zi. 300 artistë nga të gjitha trevat shqiptare “shkallmuan” kufijtë në një manifestim me këngë e valle, të organizuar me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrjes së ftesës së anëtarsimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për të kremtuar 98-vjetorin e kryengritjes së Dediçit, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Aktiviteti u zhvillua në Tuz. Mijëra shqiptarë, nga të gjitha trevat shipfolëse kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë aktivitet madhështor e kombëtar. Me këtë rast u krijua edhe dega e Unionit Artistik i Kombit Shqiptar edhe në Malin e zi. 6 shoqëri artistike u bën anëtare të këtij unioni, si “Rapsha”, “Besa”, “Shqiponja”, “Maja e Karafilit”, “Plava e Gucia” si dhe shoqëria artistike “Dedë Gjo Luli”. Gjatë këtij aktiviteti, mbajti një fjalim të rastit Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, i cili gjithashtu nderoi me titullin “Krenaria e Unionit”, përfaqësuesin e shoqërisë “Dedë Gjo Luli”. Ai nderoi duke i dhënë bustin e Isa Boletinit, shtëpisë muze të “Dedë Gjo Lulit”, në qytetin e Tuzit. Gjatë fjalës së tij, zoti Haklaj pasi përshëndeti të pranishmit, tha se në këto kohë kombi shqiptar është duke përjetuar realizimin e ëndërrave dhe aspiratave të tij shumë vjeçare. Ai vlerësoi gjithashtu aktivitetet me përmasa kombëtare të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, dhe theksoi se aktivitete të tilla do të zhvillohen edhe në të ardhmen. “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar pasi ka realizuar me sukses festivalin “Sofra Dardane”, festivalin e këngës dhe valles çame, spektaklin “Një komb, një qëndrim”, kushtuar Kosovës në sheshin “Skëndërbej”, festivalin “Një komb, një kulturë” në Ferizaj të Kosovës, dhe “Sofrën Shkodrane” vjen në këtë manifestim kulturor, për të festuar pavarësinë e Kosovës, marrjen e ftesës së Shqipërisë në NATO, si dhe për të përkujtuar kryengritjen heroike të udhëhequr nga patrioti i madh Dedë Gjo Luli”, tha Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj. “Tashmë është bërë realitet ëndërra e Ded Gjo Lulit, Adem Jasharit, Azem Hajdarit, Hoxha Tahsinit, Ibrahim Rugovës, Osman Takës, Faik Konicës, Ramush Haradinajt dhe qindra e mijëra patriotëve shqiptarë. Sot jemi në këtë manifestim, sepse jemi një atdhe, një komb”, tha Haklaj.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›