E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: “Futbolli shqiptar nuk është pronë e individeve”



Dash Frashëri

EKSKLUZIVE - “Shqipëria pezullohet për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike”. Ky është argumenti i FIFA-s (e më pas edhe i UEFA-s) për pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare zyrtare e miqësore të skuadrës kombëtare, klubeve shqiptare që renditen në zonën e kompeticioneve europiane: Liga e Kampioneve, Kupa UEFA dhe Kupa Intertoto. Një vendim i ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Debati është në nivelin më të lartë. Për zgjidhjen e këtij konflikti, përveç ministrit përgjegjës të Sporteve, Ylli Pango dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në lojë kanë hyrë me deklarimet dhe qëndrimet e tyre edhe presidenti i FIFA-s, Jozef Blater.
Së fundi, për të gjetur një zgjidhje në fushën e lojës hyri edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka marrë edhe rolin e një ndërmjetësi për të asistuar në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit, që prodhoi edhe pezullimin pa afat të Shqipërisë përpara përjashtimit (minimalisht 2 vjet) të “topit” shqiptar nga arena ndërkombëtare.
Në fakt, ky është pezullimi i dytë i Shqipërisë, pas atij të vitit 1996. Kur kanë kaluar 30 ditë nga pezullimi i dytë ndërkombëtar, ai i marsit të vitit 2008, gazeta “Albania” kontaktoi me ish-kryeministrin me jetëgjatë në vazhdimësi (1992-1997), Aleksandër Meksi, për t’i marrë opinionin e tij në lidhje me problematikën e konfliktit dhe zgjidhjet e tij.
Në kohën e qeverisë “Meksi” (tre kabinete të tij në varësi të aleancave) në vitin 1996, Shqipëria përjetoi edhe pezullimin e parë ndërkombëtar nga FIFA e UEFA, por që u zgjidh prej kryeministrit Aleksandër Meksit shumë shpejt.
“Meksi kishte një nuhatje të madhe dhe e zgjidhi menjëherë situatën”, - u shpreh avokati i njohur Riza Icka (përfaqësues i SK Tirana), gjatë ballafaqimit të parë të 6 klubeve “rebele” (Partizani, Vllaznia, Elbasani Shkumbini, Kastrioti, Besa) me Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së dhe presidentin Armand Duka.

Gazeta “Albania”: Zoti Meksi, Shqipëria është pezulluar nga aktivitetet ndërkombëtare nga organizmat më të lartë të futbollit botëror, FIFA dhe atij europian, UEFA, një muaj më parë, më 14 mars. Kjo është e dyta herë në historinë e vendit tonë që futbolli merr kartonin e kuq nga qeveria e futbollit botëror, ndërkohë që pezullimi i parë ka ndodhur në vitin 1996, në kohën kur ju drejtonit sërish një qeveri të Partisë Demokratike. Ju arritët që me një lëvizje të zgjuar ta rikthenit menjëherë në familjen ku aderojnë të gjitha federatat e globit.
Aleksandër Meksi: Duhet thënë së pari se atmosfera e marrëdhënieve qeveri me futbollin në atë kohë (1996), nuk është e njëjtë me raportet sotme, pasi kanë kaluar gati 11-12 vjet.

Në ç’kuptim e thoni këtë?
Shumë thjesht. Atëherë qeveria kishte të tjera detyra, ishte në hapat e parë të demokracisë dhe problemet e sportit ishin konsideruar edhe pa të drejtë si anësore. Nga ana tjetër, konflikti i sotëm midis shtetit dhe futbollit ekziston prej më shumë se dy vjetësh, apo edhe më tepër, kur edhe qeveria e sotme ka qenë në opozitë. Mbizotëron një atmosferë që prodhon zvarritje, për të cilën unë besoj se duhej të ishte gjetur një zgjidhje legale në përputhje me rregullat, por edhe për të qartësuar se çfarë është e padrejtë në veprimet e Federatës (FSHF-së) dhe nuk funksionon në statutin e saj, dhe të gjitha këto kishin kohën mëse të mjaftueshme të zgjidheshin edhe në konsultim dhe bashkëpunim me FIFA-n e UEFA-n.

Le të kthehemi pikërisht para 12 vitesh. Përse u pezullua Shqipëria në vitin 1996?
Atëherë në bëmë një lëvizje të cilën e ndërmori personi përgjegjës për sportet në qeveri, sekretarja e Shtetit (Marjeta) Zaçe. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (Eduard Dervishi) u shkarkua për shkak konfliktesh edhe të Statutit të Federatës, pa qenë kompetencë e qeverisë. FIFA atëherë e pezulloi Shqipërinë, por duhet theksuar se nuk është i të njëjtit tip me këtë të sotmin. Ne e zgjidhëm shumë shpejt konfliktin. Rikthyem në detyrë sekretarin (Dervishi) dhe krijuam një atmosferë më normale si me Federatën, ashtu dhe me organizmat ndërkombëtarë.

Atëherë Shqipëria u pezullua nga FIFA për shkak të shkarkimit të sekretarit Dervishi nga qeveria juaj, apo për shkak të një konflikti që shteti kishte me statutin e FSHF-së?
Për të qenë më i drejtpërdrejtë, dua të theksoj se ne pranuam rikthimin e sekretarit të Përgjithshëm, duke konsideruar se ishte më e rëndësishme pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare, pasi çështjet e tjera ishin dytësore dhe mund të zgjidheshin në vazhdimësi e sipër, sado të rëndësishme që të ishin. Në fakt, për të dhënë një përgjigje të saktë duhet rishikuar edhe një herë problematika e asaj kohe. Unë jam i mendimit se një konflikt tërësisht i brendshëm, duke mos u zgjidhur, kushtëzon futbollin shqiptar në nivelin e përfaqësimit ndërkombëtar.

Pas 12 vjetësh, në vitin 2008, Shqipëria pezullohet për herë të dytë nga FIFA e UEFA. Si një nga shtetarët e mirënjohur, por edhe si një ish-ligjvënës i Parlamentit Shqiptar (1991-2001), si e gjykoni situatën në të cilën ka gjeneruar konflikti?
Në të vërtetë zgjidhja ekziston, por ajo arrihet përmes kontakteve direkt të palëve në konflikt, të qeverisë shqiptare me FIFA-n. Të saktësohen pozicionet dhe opinionet e tyre të qartësohen, të arrihet konsensusi dhe konflikti të zgjidhet për t’u dhënë njëherë e mirë fund, sipas normave ndërkombëtare, ligjeve të shtetit shqiptar dhe statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat duhet të harmonizohen. Unë besoj se ekzistojnë të gjitha modalitetet për të normalizuar situatën, gjithmonë duke i theksuar faktit, nëse do të ekzistojë dëshira e mirë nga të dyja palët.

Shteti shqiptar këmbëngul duke theksuar të drejtën e tij. Si një-ish kryeministër, më jetëgjati në vazhdimësinë e tij (5 vjet), cili është vlerësimi juaj për rolin e tij?
Unë kam këndvështrimin tim. Shteti është ende pronari fushave dhe “aksionar” i skuadrave (pronësia e të cilave është e paqartë), ai ka investuar historikisht në Federatën Shqiptare të Futbollit, në skuadrën kombëtare. Fatkeqësisht, në këtë periudhë të ndërmjetme 12-vjeçare, midis dy pezullimeve gjërat nuk janë qartësuar në thelbin e problematikës së tyre.

Le të shprehemi më qartë. Ku qëndron vlerësimi juaj?

Ne ende nuk dimë se sa për qind një klub futbolli është i shtetit, sa për qind është i donatorëve apo sponsorëve apo të tjerëve që kontribuojnë, në ekzistencën e një klubi si bashkitë, përfshirë asetet e tij.

Federata Shqiptare e Futbollit këmbëngul në një pavarësi absolute përkundrejt shtetit. A ekziston një argument bindës për ketë qëndrim?
Duhet të qartësojmë një herë e mirë një gjë. Federata e Futbollit është e shtetit dhe e kombit shqiptar, nuk është pronë e individëve të caktuar. Ajo mban flamurin e këtij shteti. Edhe ne të dy, nëse do të bindim edhe pak të tjerë dhe do të bënim një federatë futbolli e të vendosnim flamurin kombëtar, do të duhej të na i lejonte shteti këtë, ndryshe do të kishim nja 20 federata e po aq skuadra ”kombëtare”. Ka marrëdhënie dhe detyrime reciproke midis FSHF-së dhe shtetit, të cilat rregullohen në bazë të marrëdhënieve ligjore shtetërore, por edhe në bazë të normave ndërkombëtare (UEFA dhe FIFA), nëse ka nevojë edhe për diçka të tillë, dhe këto pasqyrohen në Statutin e Federatës e pas kësaj Federata ecën vetë.

Ju keni qenë gjithmonë një dashamirës ndaj futbollit, çka e treguat edhe kur ishit në postin më të lartë ekzekutiv në kohën kur ishit kryeministër, duke e mbështetur fuqimisht edhe në planin financiar ekipin kombëtar.
Unë isha shumë i qartë në vendimet që merrja lidhur me sportin. Jo se Shqipërisë në atë kohë i duhej më shumë sporti sesa më parë, por isha i bindur se vende në zhvillim e sipër si Shqipëria, për më tepër që kishin vetëm pak vite në demokraci, duhej të kishin një mbështetje. Ne e filluam shkallë-shkallë, brenda mundësive që kishim, duke filluar të ndihmonim sportistët cilësorë. Kam dëgjuar që nuk u jepet pasaporta shërbimi sportistëve të ekipit Kombëtar, në një kohë që ne u kemi dhënë futbollistëve që jetonin jashtë edhe për gratë e tyre. Në mënyrë që të mos kishin vështirësi dhe të shkonin me dinjitetin e një anëtari të ekipit kombëtar në një aktivitet ndërkombëtar. Sportisti mban e përfaqëson flamurin shqiptar, nderon Shqipërinë dhe kryen një aktivitet të dobishëm për imazhin e Shqipërisë.

Në “luftën” për zgjidhjen e konfliktit Federatë-shtet-UEFA ka hyrë në lojë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një dashamirës i njohur i futbollit dhe ish-president i Klubit të Futbollit Tirana. Si e vlerësoni këtë ndërhyrje?
Ndërhyrje quhen ato veprime të cilat zgjidhin problemin, domethënë kërkohet informacion, ngarkohen njerëz për të studiuar e propozuar zgjidhjen ligjore dhe vihen detyra për realizimin.

Nyja “gordiane” e futbollit

Pezullimi pa afat i Shqipërisë nga FIFA mbështetet mbi tri pika: mosfirmosjen e statutit nga ana MTKRS-së, auditimin e FSHF-së nga ana e shtetit shqiptar dhe denigrimin e imazhit të presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka, në lidhje me shitjet ende të paprovuara të dy ndeshjeve të fundit të Kombëtares (me Bjellorusinë e Rumaninë). Por, në rast se dy temat e fundit janë ezauruar plotësisht, e para, ajo e firmosjes së statutit nga ana e ministrit Pango me nenin 60 të ndryshuar (shtimi i togfjalëshit “sipas legjislacionit shqiptar”), përbën edhe “nyjën gordiane” të konfliktit. Një nyje që ose duhet zgjidhur, ose duhet prerë, për t’i dhënë mundësi rikthimit të Shqipërisë në “OKB”-në e futbollit, siç konsiderohet Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA.

Interesim i posaçëm për Kombëtaren

Arkeologu i njohur, sot 69 vjeç, është kryeministri i katërt shqiptar pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe i pari i Partisë Demokratike pas tre kryeministrave të Partisë së Punës: Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, por i pari që tregoi një interesim të posaçëm për futbollin, e në veçanti për skuadrën kombëtare. Themeluesi i Partisë Demokratike është njëherësh edhe një nga shtatë kryeministrat që ka njohur Shqipëria pas vitit 1991, përfshirë Fatos Nanon (tri herë kryeministër, rekord), Ylli Bufin, Vilson Ahmetin, Bashkim Finon, Pandeli Majkon, Ilir Metën e Sali Berishën (aktualisht në qeverisje).

Tifoz me Partizani e Mançesterin

Meksi është një mik i hershëm i futbollit dhe i dashuruar pas fanellave me ngjyrë të kuqe. “Jam tifoz i thekur i Partizanit qysh në lindjen tij, në fund të viteve ‘40”, - thotë ish-kryeministri. Dashuria ndërkombëtare e “transferon” në atdheun e futbollit modern. Në ishullin britanik. “Jam me “tre luanët”, me Anglinë në arenën ndërkombëtare”. Nga klubet? Prej mëse 40 vjetësh jam me Mançester Junaitid, jam i lumtur me fitoren e sotme kundër Arsenalit (të dielën)”, - vazhdon ai. Por, a do të jenë “Djajtë e kuq” të Aleks Fergusonit fituesit e Ligës së Kampioneve këtë vit? “Askush nuk e meriton më tepër”, - mbyll shtigjet Meksi.

Bajko: “Meksi, politikani që shpëtoi futbollin”

Ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko, i cili drejtoi ekipin përfaqësues në periudhën shtator 1994-tetor 1996 (15 ndeshje, 3 fitore, 3 barazime, 9 humbje) ruan konsideratat më të larta për kryeministrin Aleksandër Meksi. “Është njeriu që e mbrojti futbollin edhe kur ishte në karrigen më të lartë të asaj kohe (1996). Ishte i pari që i dha një fytyrë të re ekipit kombëtar, duke e modernizuar në të gjitha aspektet”, - thotë për “Albania”-n ish-trajneri, që i siguroi Partizanit titullin e 14-të kampion në sezonin 1986-1987. “Meksi është politikani që shpëtoi futbollin nga ndërhyrjet e politikës, por dhe nderin e Shqipërisë në botë. Ai bëri që politika të mos futej në Federatën Shqiptare të Futbollit”.

Dy vjet gjyqe dhe tre konflikte

Prej gati dy vjetësh Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë në gjyq. Konflikti gjyqësor u nis kur në krye të dikasterit të Sporteve ishte ministri Bujar Leskaj. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë fitoi MTKRS-ja, por Federata e apeloi menjëherë vendimin e parë dhe ende nuk po jepet një verdikt. Ish-ministri Leskaj nuk pranoi Asamblenë e Jashtëzakonshme të shkurtit të vitit 2006 (Armand Duka u rizgjodh president i saj), duke e cilësuar të paligjshme atë dhe gjithë Komitetin Ekzekutiv të dalë nga ato zgjedhje. Ish-drejtori i Sporteve, Mehmet Spahiu, iu drejtua gjykatave (Shkallës së Parë dhe Apelit) për ta shpallur Asamblenë e Jashtëzakonshme të pavlerë.
Tre konflikte -Në krizën e futbollit shqiptar janë përfshirë tre konflikte njëherësh: Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve (MTKRS) - Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), MTKRS – UEFA dhe Ministria e Financave (Drejtoria e Auditit)-FSHF.
Duka - Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka konsideruar konfliktin shtet-futboll si një sulm të pastër me prapavijë të qartë politike, për ta detyruar atë të japë dorëheqjen.
Pango- Ministri përgjegjës për Sportet, Ylli Pango, gjithmonë e ka sulmuar Dukën. “Statutin nuk e firmosa për hir të Dukës, por për hir të futbollit shqiptar. Nuk doja të më mbetej mua njolla e pezullimit”

Momentet kyçe

14 mars 2008
FIFA mori vendimin të pezullojë pa afat Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, zyrtare e miqësore për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike në FSHF.

17 mars 2008
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ministri Pango u takuan kokë me kokë në ministri pas vendimit të dhënë nga FIFA e UEFA, por pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

20 mars 2008
UEFA ripërsëriti qëndrimin e FIFA-s, pas së cilës u anuluan tre takime ndërkombëtare, duke i lënë 60 ditë afat shtetit shqiptar për të ndryshuar qëndrimin ndaj FSHF-së.

21 mars 2008
Gjashtë klube të Kategorisë Superiore firmosën një peticion, ku kërkohej dorëheqja e presidentit Duka, nëse kreu i FSHF-së nuk do të zgjidhte konfliktin brenda pesë ditësh.

24 mars 2008
12 përfaqësuesit e Kategorisë Superiore pas një takimi të gjatë me Komitetin Ekzekutiv e Dukën vendosën të anulonin bojkotimin e kampionati dhe protestat.

27 mars 2008
Presidenti i FIFA-s, Blater: “Mund të miratoni çdo ligj që doni për sportin, por nëse federata juaj e futbollit dëshiron të jetë pjesë e FIFA-s duhet të respektohet statuti i saj”.

31 mars 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pret në selinë e Presidencës një përfaqësi të FSHF-së, ku garanton influencën e tij për zgjidhjen e konfliktit brenda standardeve.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›