E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedekti XVI rivendos dialogun historik me kryeipeshkvin Hilarion, të Patriarkanës së Moskës

Papa priti dje në Kastel Gandolfo kryeipeshkvin Hilarion, president i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës. Kryeipeshkvi ortodoks Hilarion, në vizitën e tij të parë në Romë pas emërimit në detyrën e tij aktuale, dje pati një bisedë me kardinalin Walter Kasper, presidenti i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve. Pas këtij takimi, kardinali Kasper ripohoi se ndërmjet Kishës katolike e Patriarkanës së Moskës marrëdhëniet janë pozitive. Të dyja palët do të takohen përsëri në tetorin e ardhshëm në Qipro, me rastin e sesionit plenar të Komisionit të përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse në tërësinë e saj: në qendër të punimeve figuron tema kyçe, ajo e rolit të ipeshkvit të Romës (Papës) në Kishës universale. Dje pasdite Hilarion vizitoi Bashkësinë e Shën Egjidit e mori pjesë në lutje në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere në Romë. Në mbarim të lutjes, kryeipeshkvi ortodoks foli mbi nevojën e dëshmisë së përbashkët të të krishterëve “në një botë të shkristianizuar, në një epokë - tha Hilarion - që dikush gabimisht e përcaktoi si post-kristiane. Shoqëria bashkëkohore me konsumizmin e vet, hedonizmin, materializmin praktik, relativizmin moral - vijoi ai - paraqet para të gjithë të krishterëve një sfidë serioze e të vështirë. Nga përgjigja që të krishterët i japin kësaj sfide, varët edhe e ardhmja e njerëzimit e ndoshta edhe mundësia që jeta të vazhdojë në planetin tonë. Është një sfidë e përbashkët që na është bërë e edhe përgjigja duhet të jetë e përbashkët”.
Shtatë Patriarkët katolikë lindor nesër në audiencë te Papa në Kastel Gandolfo/Rritja e fundamentalizmit në Lindje të Mesme e shqetësimet e të krishterëve, rëndësia e dialogut ndërmjet krishterimit e islamit, statuti i Patriarkatit katolikë lindor në Kishën universale e juridiksioni kishtar në Kuvajt e në Vende të Gjirit Persik. Janë këto katër pika për çka shtatë Patriarkët katolikë lindor, do të flasin nesër me Papën Benediktin XVI i cili do të pranojë në audiencë në Kastel Gandolfo. Bëhet fjala për Patrikun maronit Nasrallah Boutros Sfeir, atë të armenëve katolikë Bédros XIX, të siro-katolikëve Injac Jusufi III Younane, të melkitëve Gregori III, të kaldejve Emmanuel Delly, Patriku latin i Jerusalemit Fouad Twal e kreu i koptëve Antonios Nagib. Konsideratat e patriarkëve janë të ilustruara në një deklaratë e cila do t’i dorëzohet Papës, e me të cilit, në takimin e tyre, patriarkët do të flasin në rend të parë mbi çështjet e pranisë së Kishave të tyre në kuadrin e Kishës universale e tema tjera kishtare. Ndër çështjet që do të trajtohen është edhe juridiksioni kishtar në Kuvajt e në vende tjera të Gjirit Persik, drejt të cilave shtete, gjatë viteve të fundit, prej Vendeve arabe kanë emigruar me dhjetëra mijëra punëtorë e funksionarë të krishterë, të thirrur nga rritja e mirëqenia ekonomike. Në deklaratën e patriarkëve, vihen në dukje shqetësimi i tyre për të krishterët në Lindje të Mesme, të sfiduar nga rritja e fundamentalizmit sidomos në Egjipt e Irak dhe nënvizohet rëndësia e çështjes palestineze. Përsëri, në këtë deklaratë, nënvizohet rëndësia e dialogut ndërmjet islamit e krishterimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›