Tmerri i kryetarit me korrespondencë të Tiranës – në vend të vetes, çon në këshill një kasetë

Edi Rama u përball dje për herë të parë me opozicionin e qytetarëve të Tiranës, të cilët në Këshillin Bashkiak janë në shumicë dhe i kërkojnë të paraqesë planin rregullues të kryeqytetit, të mbajtur peng deri më tani nga klani i lejeve të ndërtimit. Këshilltarët e PD dhe LSI kërkojnë ballafaqim të drejtpërdrejtë me kryebashkiakun, por ai e ka të pamundur të flasë para një institucioni që është në opozitë me të
TIRANE – Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar kryetarit të bashkisë që të prezantojë personalisht ose përmes të deleguarve të tij, planin rregullues të Tiranës. Plani i shumëpërfolur duhej të paraqitej në mbledhjen e paradites së djeshme, por Kryetari i Këshillit ka refuzuar prezantimin e tij me regjistrim, të mundësuar nga një studio private, pasi kjo mënyrë nuk lejon vërejtjet mbi paqartësitë e këtij projekti.
Kjo gjë solli që Plani Rregullues i Tiranës nuk arriti të prezantohet sërish në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit. Anëtarët e LSI dhe PD refuzuan të dëgjonin prezantimin e planit nëpërmjet një videoje filmike, duke thënë që Rama të vijë në Këshill e të prezantojë Planin Rregullues.
Kreu i këshilltarëve demokratë të Këshillit Bashkiak, Ferdinand Poni, refuzoi transmetimin e videos duke e quajtur “jo serioze” prezantimin e planit”, kjo ishte dhe shkëndija e parë e debatit. Më tej Poni kërkoi që prezantimi i planit të bëhej nga ekspertë të bashkisë, të cilët nuk ishin të pranishëm aty.
“Është e pa vend që të dëgjojmë një dokumentar. Kjo është qesharake, e ofenduese”, tha Poni.
Miratimi i Planit Rregullues të Tiranës në Këshillin Bashkiak është hallka e dytë që duhet të kalojë ky plan pas miratimit në Këshillin e Rregullim Territorit të Tiranës. Më pas vendimi përfundimtar merret nga KRRTRSH, Këshillin e Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë.
“Bashkia e Tiranës që ka bashkëpunuar me zotërinë le të na urdhërojë të na e shpjegojë vetë, drejtoria përkatëse, të na e shpjegojë. Nuk funksionon kështu kjo, komentoi Kryetari i Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj. Duke shtuar më tej, tha, që prisnim një prezantim më dinjitoz. Kjo nuk ndodhi. Bashkia kishte përgatitur një film a thua se jemi dokumentar”.
“Marrëdhënia nuk është mes kompanisë kontraktuese, por me institucionin. Prandaj dhe prezantimi duhej të ishte bërë nga Rama,ose njëri prej drejtuesve të lartë, (meqë Rama merret me garën brenda PS-së) që është marrë me problematikën e planit. Në këtë mënyrë do të njiheshim qartë me prezantimin dhe problematikën e këtij plani”, vazhdoi më tej Dervishaj, një ndër përfaqësuesit e LSI-së në këtë Këshill.
Dervishaj sqaron se nuk do të jetë shumë e largët data që do të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak për të shqyrtuar.
Gjate kësaj mbledhjeje është bërë dhe zëvendësimi i 10 anëtarëve që kaluan në Parlament pas zgjedhjeve të 28 qershorit, 5 prej te cilëve i përkasin PD-se dhe 5 PS-së. Emrat e rinj që do t’i zëvendësojnë ata janë; Lili Nushi, Mimoza Hafizi, Mehmet Hasanlami etj., nga Partia Socialiste dhe Sokol Lekaj, Blerina Agolli, Suljeman Mema, etj., nga Partia Demokratike.
Kjo mbledhje është gjithashtu e para prej vitit 2007, ku Partia Socialiste nuk ka më mazhorancën.