E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: “Duhet të heshtim, për ta dëgjuar zërin e Zotit”

11-08-2011 / Gazeta 55

“Zoti flet në heshtje, por duhet të dish ta dëgjosh” - këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos. Dje Benedikti XVI i ftoi simbolikisht shtegtarët për të vizituar së bashku manastiret, oaze të shpirtit, vend ku Zoti i flet njerëzimit. Tepër të potershme jetët tona, tepër të zhurmshme, por mes zhurmës e poteres nuk mund të realizohet një jetë e vërtetë shpirtërore e sytë tanë, të habitur nga shtjella e ngjarjeve të botës, nuk mund të ngulen lehtë në sytë e Zotit. Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e sotëm rëndësisë që kanë heshtja e meditimi në jetën e njeriut, në përgjithësi e të besimtarit, në veçanti. U ndalua, prandaj, për disa çaste, në ato vende mistike, të zgjedhura nga njerëzit, që ia kushtojnë jetën Zotit, të cilin e takojnë dhe e dëgjojnë në lutje. Në këto vende – shpjegoi Papa – takohen dy elemente tejet të rëndësishme për jetën kundruese: bukuria e gjithësisë dhe heshtja. “Heshtja është kusht ambiental, që favorizon përqendrimin shpirtëror, dëgjimin e zërit të Zotit, meditimin. Vetë shijimi i heshtjes e dëshira për t’u mbushur përplot me këtë heshtje, në se mund të shprehemi kështu, na përgatit për lutje”.
Papa kujtoi, në vijim, Shkrimin e Shenjtë, duke shfletuar atë faqe, në të cilën takohemi me Elinë Profet, mbi malin Horeb. Pikërisht mbi mal, në heshtje e vetmi të plotë, profeti dëgjoi zërin e Zotit në flladin e lehtë, që nis të fryjë, pas vetëtimave e bubullimave – pas zhurmave të botës, në kalim. Prandaj ky rrëfim i flet edhe njeriut të sotëm, i tregon shumë gjëra, për të cilat ka vërtet nevojë: “Zoti flet në heshtje, por duhet të dish ta dëgjosh. Prandaj manastiret janë oaza, ku Zoti i flet njerëzimit; në to gjendet kiostri, vend simbolik, sepse hapësirë e mbyllur për tokën, por e hapur për qiellin”. Duke kujtuar se nesër kremtohet festa liturgjike e Shën Kiarës së Asizit, mendimi i Benediktit XVI shkoi nga kështjella e moçme e Papëve, tek një kuvend i largët, ai i Shën Damianit, në Asizi, oazë e shpirtit, tepër e dashur për familjen françeskane e për gjithë të krishterët. Pranë kësaj kishëze, rindërtuar nga Shën Françesku pas kthesës së madhe – pohoi Papa - Kiara e shoqet e saj krijuan bashkësinë e tyre, duke jetuar në shoqëri me ‘motrën varfëri”, me lutje e punë të vogla, që u siguronin jetesën e përditshme: “Quheshin “Motrat e varfëra” e forma e tyre e jetës ishte si ajo e fretërve të vegjël. Jetonin sipas mësimeve të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit, duke ruajtur bashkimin dhe dashurinë e anasjelltë e duke ecur mbi gjurmët e Jezusit e të Nënës së tij Shenjte, në rrugën e varfërisë e të përvujtërisë”.
Në këtë vend, ashtu si në oazat e tjera të shpirtit – shtoi Papa – mund të shihet menjëherë pasqyrimi i harmonisë shpirtërore, që bashkësitë murgare e jetojnë ditë për ditë: “Duke i parë gjërat me syrin shpirtëror, këto vende të shpirtit janë struktura të rëndësishme të botës! E nuk është rastësi që shumë njerëz, posaçërisht në periudhën e pushimeve, i vizitojnë këto vise e ndalohen aty për disa ditë, sepse edhe shpirti ka kërkesat e veta”.
Përveç Shën Kiarës, Papa kujtoi edhe shenjtorë të tjerë, që përkujtohen këto ditë, si Edit Shtain, festa e së cilës u kremtua dje, e Shën Lorenci, diakon e martir, kremtuar sot, duke e shoqëruar përkujtimin me një urim të përzemërt për romakët, që e nderojnë si një nga Pajtorët e tyre. Pas katekizmit, duke folur në gjuhën angleze, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të posaçme të rinjve shtegtarë, për rrugë drejt Madridit, ku do të kremtojnë Ditën e tyre Botërore.
Dita kundër diskriminimit të dalitëve të krishterë e myslimanë. Imzot Maçado: Të gjithë indianët janë njësoj/Dje, të krishterët indianë manifestuan në Nju Delhi në ditën, që quhet “Black Day” (Dita e Zezë), kushtuar luftës kundër diskriminimit shoqëror të dalitëve, personave, të cilët konsiderohen të fundmit e shoqërisë, pasi janë jashtë kastave të saj. Nga data 25-27 korrik, për tri ditë me radhë, u organizuan protesta për këtë qëllim në kryeqytetin e Indisë, pasuar nga kjo e sotmja, nxitur nga Konferenca Ipeshkvnore Indiane dhe Këshilli Kombëtar i Kishave. Përkujtimi i sotëm shënon 61-vjetorin e miratimit të nenit të Kushtetutës, që u jep të drejta të veçanta vetëm atyre personave jashtë kastave, të cilët janë të fesë hinduiste, budiste ose sikh, duke përjashtuar të krishterët, myslimanët e ndjekësit e feve të tjera. Mbi gjendjen aktuale të këtyre dalitëve, flet për Radio Vatikanin, ipeshkvii i dioqezës së Vasait, imzot Feliks Antoni Maçado: “Në shoqërinë indiane, ai që s’bënte pjesë në kastë nuk kishte asgjë. Për t’i ngritur në rangun e qytetarëve të tjerë, qeveria vendosi t’u njohë atyre disa të drejta, por me këtë akt, diskriminoi shtresa të tjera. Vërtet, u njeh të drejta vetëm personave, që u përkasin hinduizmit, budizmit dhe sikhizmit, ndërsa të krishterët e myslimanët nuk përfitojnë nga ligji. Për Kishën, ky është diskriminim. Protestojmë që qeveria t’u njohë këto të drejta edhe të kthyerve në fenë e krishterë, të cilët bëjnë pjesë në kastën më të ulët, ose janë krejt jashtë kastave. Për shembull, disa profesione në shoqëri e në qeveri u rezervohen hinduistëve, po kështu edhe disa zona zgjedhore. Shpesh, përfitimi është në formën e ndihmave mjekësore e ndihmave të tjera. Por Kushtetuta pohon se të gjithë indianët janë njësoj”
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›