Receptori i varur
Qytetit të Brindizit, që shfaqi një bujari të pashembullt, në mars të vitit 1991, qytetarëve të tij që hapën shtëpitë e tyre për të pritur refugjatët shqiptarë që iknin prej diktaturës më të egër komuniste, mjerisht i qëlloi fati i keq që të përjetonte edhe skenën kur të mbijetuarit e anijes “Kateri i Radës” mbërritën në portin e qytetit bujar (Ky tregim është përzgjedhur ndër finalistët e Çmimit Grinzane Cavour në ceremoninë e zhvilluar në Romë më 5 dhjetor 1997, për konkursin letrar “Trego telefonatën tënde”. Tregimi nuk duhet të ishte më i madh se 50 rreshta dhe duhej shkruar vetëm me dialogë).
Receptori i varur
- Alo? - Ti je Sokol? - Po. -Pse u vonove? Ndonjë të re? -Pata vështirësi të gjeja monedha për të telefonuar: pothuajse të gjithë dyqanet janë mbyllur. -Më thanë se anija shqiptare quhej “Kateri i Radës” ndërsa ajo italiane “Sibilla”. -Këtë e dija. Ndonjë lajm tjetër? -Deri tani asgjë. Por sot më çmende. -Ti s’je ende i martuar Sokol, dhe nuk e di ç’do të thotë të kesh grua dhe një fëmijë…
-Ma ke thënë shpeshherë sot këtë, më në fund e kuptova! Por nuk duhet të harrosh se në të njëjtën kohë, ata janë motra dhe nipi im. -Po Sokol, por diçka më bren… -Mjaft, Roland, s’u ka ndodhur gjë. Zoti është i madh, dhe i ka mbrojtur. -Pashë lajmet e fundit: thonin se të paktë janë ata që shpëtuan. -Mos i beso; këtu në port thonë se mund të jenë mbytur jo më shumë se dhjetë persona, ndoshta ata që rrinin në kuvertë. -Por fëmijët dhe grate nuk i lënë kurrë jashtë, s’është e vërtetë Sokol? -Këtë duhet ta dish! A s’erdhe kështu edhe ti, dy vite më parë? -Po është e vërtetë, ishte pikërisht kështu. Dëgjoj zhurma. -Po bëhet pak rrëmujë, Roland: po lëvizin karabinierët dhe ata të Kryqit të Kuq, ndoshta anija me të mbijetuarit ka hyrë në port. -Të lutem mos ma ndërprit telefonin. Ke blerë shumë karta telefoni apo jo? -Të thashë pra, kam marrë monedha që arrijnë në 30 mijë lireta. -Të lumtë Sokol…Kushedi sa është trembur Arditi i vogël. -S’e besoj, ai është i fortë siç jemi unë dhe ti. -Shpirti i babit… -Si është koha në Milano, Roland? -Bën ftohtë. Është si shkretëtirë: njërëzit festojnë Pashkët…
-Po vendos monedha të tjera. -Se mos mbarojnë pikërisht në kohën që arrin anija me të mbijetuarit? -Jo, pra, Roland! -Ti je larg nga vendi ku do të ankorohet anija? -Pothuaj 100 metra. -O.K., Sokol. Shpirti i babit që pikërisht sot mbush katër vjeç. Sokol, të lutem, mos i mbaj në Brindisi, po m’i nis ngutshëm për Milano. -Në rregull Roland, megjithëse do të doja të festonim ditëlindjen e tij në shtëpinë time këtu në Brindizi, por ndoshta vij dhe unë me ta. Meqë ra fjala, i kam blerë një biçikletë për ditëlindje, Arditit… -Jo Sokol, nisu sa më shpejt me ta, e festojmë këtu. -Ja bleva dje, direkt pas telefonatës me nënën që më tha se Marieta me Arditin ishin nisur për në Itali. -Shpirti i babit…dëgjoj sirena Sokol, po mbërrin? -Po, është këtu, mbërriti. -Atëherë mos ma mbyll telefonin, kur të shpëtuarit të fillojnë të zbresin. -Nuk të lë Roland. Po fillojnë të zbresin. -Të lutem, Sokol, mos ma mbyll…shp…ti…bab -Mos qaj Roland, ja dhe pak minuta. Po bëhet një pështjellim në mol… -I shikon? -Po zbresin, ndër të parët nuk janë. Zot ç’po ndodh këtu? -O Zot ndihmomë. Sokol i shikon? Sokoool? -Jam këtu. Tani po zbresin të tjerë…o Zot! Një burrë qan dhe përpëlitet në përtokë… -…po Marjeta me Arditin? Sokool! -Mos bërtit Roland, jam gjithmonë këtu. Marjeta! Ja ku është sa bukur! Ja po zbret, po zbret, po zbr… -Po Arditi, Sokol, Arditi?! -S’e shikoj, Marjeta po qe…,Arditi nuk…Maar… -Sokol, përgjigju, të lutem, fol; Soo…Ardit...