Intervista/ Buxheti i 2009, ambicioz dhe i hartuar mbi trashëgiminë e viteve të fundit
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho komenton Projektbuxhetin e vitit 2009
“Ky buxhet dhe qeveria garanton rritje ekonomike të qëndrueshme e cila vlerësohet të jetë në nivelin e 6 për qind për vitin e ardhshëm. Ky parashikim bazohet në faktorët e brendshëm të ekonomisë shqiptare si ritmi i lartë i kreditimit dhe niveli i lartë i likuiditetit në bankat shqiptare, niveli i lartë i investimeve publike, stabiliteti makroekonomik dhe mbajtja e inflacionit nën kontroll. Qeveria ka marrë masa që të evitojë edhe influencat e mundshme të krizës ekonomike globale. Në projektbuxhetin e vitit 2009 janë parashikuar rreth 15 miliard lekë në formën e kontigjencave për të përballuar rreziqe të mundshme”
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, në një intervistë për gazetën “55” flet rreth buxhetit të vitit 2009 duke e cilësuar atë si buxhetin më të madh të realizuar në vendin tonë. Viti 2009, ashtu si edhe tre vitet e tjera të qeverisjes do të jetë një vit i suksesshëm për sa i përket investimeve publike. Buxheti i vitit 2009 do të jetë në radhë të parë buxhet i rritjes së rrogave dhe pensioneve. Qeveria ka marrë gjithashtu masat e duhura për të evituar influencat që mund të shkaktojë kriza financiare globale në vendin tonë.
Si e vlerësoni projekt-buxhetin e vitit 2009?
Buxheti i vitit 2009 është buxheti më i madh i realizuar ndonjë herë në vendin tonë. Niveli i shpenzimeve arrin 383 miliard lekë të orientuara në plotësimin e prioriteteve të programit të PD dhe premtimeve të bëra elektoratit në zgjedhjet e vitit 2005. Baza e buxhetit të vitit 2009 është performancë shumë e mirë ekonomike e vendit gjate tre viteve të qeverisjes se djathtë. Gjatë tre viteve janë kryer reforma të thella në fushën fiskale, ndërmjet të cilave aplikimi i taksës së sheshtë. Reduktimi i taksave dhe lufta ndaj informalitetit kanë bërë që të rritet ndjeshëm mbledhja e të ardhurave në buxhet. Vetëm gjatë vitit 2008 janë mbledhur në buxhet aq të ardhura sa u mblodhën në tre vite të periudhës 2002-2004. Rezultate pozitive janë shënuar në drejtim të eksporteve të cilat janë dyfishuar në krahasim me vitin 2005 sikurse është trefishuar niveli i kreditimit të ekonomisë nga sektori bankar. Këto elemente së bashku me investimet e huaja të cilat pritet të jenë rreth 700 milion euro në fund të vitit, kanë krijuar një bazë të shëndoshë për hartimin e një buxheti ambicioz dhe realizimin e tij gjatë vitit të ardhshëm.
Cilat janë fushat prioritare që do të mbulohen nga buxheti i vitit 2009?
Buxheti i vitit 2009 do të jetë në radhë të parë buxhet i rritjes së pagave dhe pensioneve. Me rritjen që do të realizohet në muajin maj të vitit 2009 do të bëhet e mundur që pensioni minimal në qytet të jetë rreth130 dollarë kurse pensioni minimal në fshat do të jetë rreth 7300 lekë duke mbajtur premtimin për dyfishimin e tij. Paga mesatare mujore e punonjësve buxhetore do të jetë rreth 46.000 lekë ose 71 për qind më e lartë se në vitin 2005. Pagat e arsimtarëve do të jetë 46.800 lekë duke u plotësuar premtimi për dyfishimin pagave të tyre në krahasim me nivelin e vitit 2005. Gjatë vitit 2009 do të realizohet premtimi për dyfishimin e pagave të infermierëve dhe mjekëve. Në muajin maj ata do të marrin respektivisht 31.400 dhe 42.500 lekë ose diçka më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2005. Viti i ardhshëm do të vazhdojë të jetë sikurse edhe vitet paraardhëse, viti i investimeve publike veçanërisht në sistemin rrugor të Shqipërisë. 90 miliard lekë do të përdoren për investime ose dy herë e gjysmë më shumë se investimet e vitit 2005. Gjatë këtij viti do të përfundojnë ose do të jenë drejt përfundimit punimet në rrugën Plloçë-Korçë, Qeparo-Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Bulqizë-Bllatë, Vuno-Sarandë, Valbonë-Bajran Curri, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Shkodër-Hani i Hotit, Konispol-Sarandë, rrugën e Arbërit, etj... Do të fillojnë punimet në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, në arterien verilindore Kalaja e Dodës, Peshkopi, Librazhd, do të asfaltohen të gjitha rrugët dytësore që të çojnë në bregun e detit nga Buna në Konispol. Vitit 2009 do të jetë viti i një pune masive që do të çojë drejt përfundimit rrugën Durrës-Kukës. Do të punohet intensivisht për përfundimin e punimeve në segmentet Milot-Rrëshen, Rrëshen-Kalimash, Kalimash-Kukës, Kukës-Morinë si dhe në tunel. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy fusha të tjera prioritare për vitin 2009. Gjatë këtyre viteve në arsim janë realizuar reforma të thella të cilat kanë hapur universitetet për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin shkollën e lartë, është futur interneti në shkollat e niveleve të ndryshme, u dyfishuan investimet duke u ndërtuar mbi 300 shkolla të reja dhe një sërë reformash të tjera. Në vitin 2005 për sektorin e arsimit u shpenzuan 26 miliard lekë. Në vitin 2009 për sektorin e arsimit do të shpenzohen 41.8 miliard lekë ose 63 për qind më shumë fonde në dispozicion të këtij sektori në vetëm 4 vjet. Në buxhetin e viti 2005 për sektorin e shëndetësisë u shpenzuan 21 miliard lekë. Me buxhetin e vitit 2009 për këtë sektor do të shpenzohen 33 miliard lekë ose 60 për qind më shumë fonde. Vitin e ardhshëm sektori i shëndetësisë do të kalojë me financim në formë grandi dhe kosto shërbimi. Së bashku me dyfishimin e pagave të punonjësve të këtij sektori, këto do të jenë shtyllat mbi të cilat do të ngrihet reforma shëndetësore. Mbështetja e zhvillimit rural do të jetë prioritet tjetër i rëndësishëm. Në se në vitin 2005 bujqësisë ju dhanë vetëm 4.9 miliard lekë, në vitin 2009 bujqësia do të marrë 7.3 miliard lekë. Veç kësaj fondi shqiptar i zhvillimit do të investoje 80 milion dollarë në rrugë rurale sikurse do vazhdohet të investohet në ujësjellës dhe kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore.
ǒ masë e këtij buxheti do të shkojë për pushtetin lokal?
Vitit 2009 do të jetë vit i vazhdimit të reformës së decentralizimit duke i transferuar pushtetit vendor më shumë kompetenca dhe fonde pavarësisht në se drejtuesit e tij janë të majtë ose të djathtë. Në vitin 2005, kur erdhëm në qeverisje, pushteti vendor merrte në formën e grandit nga pushteti qendror 7.4 miliard lekë. Në vitin 2009 pushtetit vendor do ti transferohen nga pushteti qendror rreth 25 miliard lekë ose 3 here e gjysmë më shumë fonde.
Ky buxhet a është një tregues i faktit që qeverisja e PD-së garanton një rritje ekonomike të mëtejshme dhe një të ardhme ekonomike të stabilizuar për vendin?
Absolutisht po. Ky buxhet dhe qeveria garanton rritje ekonomike të qëndrueshme e cila vlerësohet të jetë në nivelin e 6 për qind për vitin e ardhshëm. Ky parashikim bazohet në faktorët e brendshëm të ekonomisë shqiptare si ritmi i lartë i kreditimit dhe niveli i lartë i likuiditetit në bankat shqiptare, niveli i lartë i investimeve publike, stabiliteti makroekonomik dhe mbajtja e inflacionit nën kontroll. Qeveria ka marrë masa që të evitojë edhe influencat e mundshme të krizës ekonomike globale. Në projektbuxhetin e vitit 2009 janë parashikuar rreth 15 miliard lekë në formën e kontigjencave për të përballuar rreziqe të mundshme. Po kështu, qeveria do të ketë mundësi të përdorë rreth 200 milion dollarë të ardhura nga privatizimi i ARMO-s dhe OSSH-s.
...