Moti i keq, disa fshatra në Pukë pa energji
PUKE- Stuhia e mbrëmjes së premte duke gdhirë e shtuna që përfshiu të gjithë Shqipërinë shkaktoi probleme në qarkullimin rrugor si dhe në furnizimin me energji elektrike. Që prej ditës së shtunë në fshatra të thellë në rrethin e Pukës mungon energjia elektrike. Problematike mbeten dhe akset rrugore në këtë rreth.
Sipas korrespondentit të tv. NEWS 24, temperaturat sot janë më të larta se gjatë ditës së djeshme dhe nuk ka reshje dëbore, por mbeten të rrezikshme akset nacionale që përshkojnë rrethin e Pukës për shkak të shtresës së akullit që ka mbuluar rrugët. Korrespondeti informon se lëvizja e automjeteve gjatë orëve të para të paradites ka qenë e pakët për shkak të vështirësive që paraqesin këto akse. Po kështu dhe firmat që kanë marrë përsipër pastrimi e rrugës nga bora kanë hedhur skorje të pamjaftueshme duke bërë që rrugët të jenë mjaft të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.
Nga stuhia me erëra të forta dhe dëborë një familjeje në fshatin Iballë të rrethit të Pukës iu shemb shtëpia. Komuna ka vendosur të strehojë 6 anëtarët e familjes së Isuf Ibrajt në zyrën e komunës.
Drejtoria e Policisë rrugore është në gadishmëri dhe këshillon të gjithë drejtuesit e automjeteve të lëvizin me zinxhirë. Kryesisht mjaft problematike janë akset Kukës- Qafë Mali, akset në rrethin e Mirditës, Pukës dhe në Fushë Arrëz.
(s.g/BalkanWeb)