E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë fshihet varrezave greke në Shqipëri

Nga Arben Llalla

Para pak ditësh Shqipëria dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e dy varrezave për eshtrat e ushtarëve grekë, të rënë gjatë Luftës Italo-Greke në territorin e Republikës së Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur në fillim nga Ministria e Jashtme greke dhe më pas Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila njoftoi me një komunikatë për shtyp, duke mos dhënë shumë hollësira rreth kësaj marrëveshjeje.

Ndërtimi i varrezave, kushtëzim dhe nënshtrim i Shqipërisë

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë tregoi edhe njëherë se politikanët, ministrat, deputetët shqiptarë u gjunjëzuan përpara presioneve greke për disa varre. Sot, ndërtimi i këtyre varrezave na duket si diçka normale dhe e shenjtë, por grekët kanë arritur të ngrenë tezën për edukimin e brezave të ardhshëm grekë se Shqipëria ka pushtuar Vorio Epirin (jugu i Shqipërisë) në Luftën Italo-Greke. Të gjithë e dimë që po realizohen skenarë të tillë dhe heshtim, heshtim përpara tragjedisë që po na troket në derë. Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë ishte vënë si kusht për ratifikimin nga ana e Kuvendit të Republikës Greke të MSA mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kushtin për bllokimin e MSA për shkak të ndërtimit të varrezave e deklaroi pak javë më parë edhe nënkryetari i Kuvendit të Greqisë, Jorgos Surlas.

Lind pyetja: Çfarë kushti do të vërë Greqia për pranimin e Shqipërisë në NATO? Po për anëtarësimin në BE?

Mos po përgatitet terreni për shpalljen e autonomisë së Vorio Epirit?!

E pra, Shqipëria sot udhëhiqet nga njerëz pa shtyllë kurrizore, pa dinjitet kombëtar, sepse vetë faktet flasin. Shqipëria sot nuk paska burra, por meshkuj që pas pesë minutash kthehen në lavire. Por opinioni duhet të pyesë: Pse Greqia nuk kërkon ndërtimin e varrezave të Ushtrisë Demokratike Greke (DSE), që udhëhiqeshin nga komunistët, të vrarë në luftën qytetare 1946-1949 në territorin e Shqipërisë, në malin Gramos?!

Rreth 10 mijë komunistë grekë mund të jenë vrarë në malin Gramos

Në vitin 1946-1949, u zhvillua lufta qytetare në Greqi për pushtet midis forcave të djathta (IDEA), që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe, SHBA, dhe forcave të majta, të njohura si Ushtria Demokratike Greke (DSE) Në përfundim të kësaj lufte qytetare (1946-1949), u vranë 41.970 ushtarë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët, u dorëzuan 24.300, u kapën rob 23.950. U larguan nga Greqia për në vendet e Evropës 70 mijë njerëz, pleq, gra dhe fëmijë.

Edhe pse të përçarë nga grindjet e brendshme, ushtarët e Ushtrisë Demokratike Greke (DSE), bënë një qëndresë heroike, por pa rezultat në malet e Vicit e të Gramosit, pak më në jug të kufirit me Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, Gramosi ka një ngastër pa bimësi në terrenin e tij të pyllëzuar, ku ushtria mbretërore (IDEA), pati përdorur napalm, e para herë që ushtarët amerikanë mundën të vlerësonin efektet e kësaj lënde djegëse.

Ushtria e majtë, DSE, e izoluar, kishte përfituar ndihmë nga Shqipëria dhe vendet e tjera komuniste, disa mushka me pushkë dhe dhjetëra topa. Strategjia e izolimit të forcave të Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjësimin e forcave të qëndresës ishte vendimtare. Forcat e djathta (IDEA) të mbretërisë greke kishin marrë nga aleatët e tyre, Anglia dhe SHBA, ndihma ushtarake me vlerë 353, 6 milionë dollarë, ku hynin 159.922 armë të vogla dhe 4.130 mortaja e topa...

Pra, duke parë që gjatë luftës qytetare greke 1946-1949 janë vrarë në tokën shqiptare qindra apo mijëra ushtarë grekë, atëherë pse qeveria greke nuk kërkon të ndërtohen varreza edhe për këta ushtarë që u vranë për ideologji dhe luftë për pushtet?!

Varrezat shqiptare të zhdukura në Selanik

Në shekuj Selaniku ka qenë i banuar nga shumë raca njerëzish, si grekë, shqiptarë, turq, çifutë, sllavë etj., të cilët kishin edhe varrezat e tyre në këtë qytet. Ligji grek përcakton që të vdekurit duhet të kenë varr të paguar nga familjarët e tyre. Kështu, bashkësia shqiptare, që për shekuj kishte jetuar dhe punuar në qytetin e Selanikut, kishte varrezat e saj në një kodër. Por, në vitet 1974-1976, qeveria greke e asaj kohe urdhëroi që të zhdukeshin varrezat shqiptare dhe mbi ato varre të ndërtohej një lagje me banorë të gjallë. Sot ajo lagje quhet “Triandria”. Për çudi ende sot e kësaj dite nuk ka interesim nga qeveria shqiptare se ç’u bë me eshtrat e të vdekurve. Gjatë kërkimeve të mia historike në Selanik nuk gjeta asnjë dokumentacion që lagjja “Triandria” kishte qenë varrezë e shqiptarëve. Në vitin 2003 ndesha në librin e Artë të Adresave të Selanikut një hartë, ku si varrezë të shqiptarëve përcaktohej qendra Maqedoniko në lagjen e Neapolit. Por nga dëshmitë e njerëzve mësova se përpara kjo qendër kishte qenë varrezë e rumunëve dhe jo e shqiptarëve, e cila ishte prishur në vitet 1974-1976 me urdhër të qeverisë greke. Për përcaktimin e saktë të varrezave të shqiptarëve në Selanik më ndihmoi djali i motrës së atdhetarit Avni Rustemit, i cili në ato varreza kishte pasur varrin e prindërve. Në varrezat shqiptare në Selanik ka patur varrin edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Bej Prishtina, eshtrat e të cilit u kthyen në Shqipëri në vitin 1976. Janë të vetmet eshtra që nuk i zhdukën grekët gjatë prishjes së varrezës shqiptare. Po kështu, një dokument për ekzistencën e një varreze të shqiptarëve dikur, në lagjen “Triandria” është botuar në “Gazeta e Athinës”, në shtator të vitit 2002, ku Shahin Qenan Mesareja, nipi i gjeneralit turk me kombësi shqiptare, Hasan Tahsin Pasha, deklaron se varri i Hasan Tahsin Pashës ka qenë në varrezat shqiptare në “Triandria”, në Selanik, të cilat janë zhdukur. Gjenerali Hasan Tahsin Pasha ka shërbyer si komandat i ushtrisë turke në Greqinë e Veriut, i cili më 26 tetor të vitit 1912 iu dhuroi grekëve qytetin e Selanikut midis pretendimeve edhe të ushtrisë bullgare. Shteti grek mundi të zhdukë varrezat e çdo kombi jo-grek, ndërsa Shqipëria duhet të nderojë ushtarët grekë që janë vrarë në Shqipëri si pushtues në Luftën Italo-Greke të vitit 1941.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›